Militantët e partive në pushtet “rrjepin” buxhetin e shtetit - Bota Sot
Militantët e partive në pushtet “rrjepin” buxhetin e shtetit

Politika

Militantët e partive në pushtet “rrjepin” buxhetin e shtetit

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 11 qershor 2018 Në ora: 11:09
Qeveria PANA-Lista serbe

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, gjatë një seance parlamentare kritikoi kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për mos transparencë dhe shpenzime enorme të parasë publike gjatë vitit 2017.

Driton Selmanaj, tha se krye parlamentari Veseli ka më shumë  këshilltarë sesa paraardhësit e tij që kanë mbajtur këtë pozitë, duke thënë se e 15 këshilltarët e kryetarit të Kuvendit i kushtojnë buxhetit të Kosovë mbi gjysmë milion euro.

“Dua të shpreh mospajtimin tonë për shpenzimin e parasë publike nga institucionet publike, këtë rast nga kabineti i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ju njoftoj se përkundër kërkesave të mia për qasje në dokumente publike drejtuar kabinetit të Kuvendit, unë nuk kam arritur të marrë përgjigje zyrtare”, tha Selmanaj.

Driton Selmanaj, e ka quajtur të panevojshëm dhe jo të arsyeshme edhe  pagën që po ia jep shteti i Kosovës Arbana Xharrës, këshilltares së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

 “Ka 5 muaj që vazhdon të merr pagë dhe nuk është në Kosovë. Pra, të ardhurat mujore ku përshihet paga bazë, shujta … nxjerr përfundimisht se asnjëri se ka pagën nën 1800. Pse të abuzohet me paranë publike në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndryshe,  Arbana Xharra, këshilltarja e krye parlamentarit,  merr rrogë mujore 1512 euro në muaj, më shumë se Kryeministri i shtetit, Ramush Haradinaj, i cili ka rrogën 1347 euro.

Pa reagim nuk mbeti as Ish-këshilltarja politike e Kadri Veselit, Arbana Xharra, ku përmes një shkrimi iu drejtua  deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj.

Ajo ka treguar që e ka të ndërprerë marrëdhënien e punës si pjesë e ekipit të Veselit, të cilit ka thënë se do t’i bashkohet sërish kur të kthehet në Kosovë.

Ky është reagimi i plotë i Xharrës:

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj, sot më paska lakuar emrin në Kuvendin e Kosovës, kinse unë paguhem që pesë muaj nga Buxheti i Kosovës, në cilësinë e këshilltares së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Si pikë e parë, kjo është një gënjeshtër.

Unë jam larguar nga Kosova në fund të muajit shkurt. Kam qenë atje deri pas kremtimit të 10 vjetorit të pavarësisë, duke dhënë kontributin tim si pjesë e Këshillit Organizativ.

Përkundër largimit të përkohshëm, unë edhe gjatë qëndrimit në SHBA kam vazhduar punën në distancë, deri në përmbylljen e disa projekteve që më ishin besuar të merresha me to.

Por, deri në kthimin tim, unë tashmë e kam të ndërprerë marrëdhënien time të punës si pjesë e ekipit të Krye-parlamentarit Veseli, të cilit do t’i bashkohem sërish kur të kthehem!

Më vjen mirë që ky trillim i deputetit Selmanaj më shërbeu si shkas për të sqaruar pozicionin tim publikisht, megjithatë me vjen keq për të që më shumë po vërehet mosprezenca ime në kabinetin e Kryetarit të Kuvendit, se prezenca e tij në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti Selmanaj e ka monitoruar një kohë të gjatë Kuvendin e Kosovës, si pjesë e LDK-së në prapaskenë, prandaj po dua të besoj se gjatë kësaj kohe i ka mësuar të paktën disa procedura që lehtësisht mund të çojnë deri te e vërteta.

Përndryshe, e inkurajoj jo vetëm deputetin Selmanaj, por edhe kolegët e tij, që të vazhdojnë të merren me mua.

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” i është drejtuar zyrës së kryetarit të kuvendit lidhur me këtë çështje mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Kërkohet skanim i gjendjes aktuale

Image
Valon Ramadani

Anëtari në Komisionin, për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Valon Ramadani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se para se të bëhet ligi për paga duhet një skanim i gjendjes aktuale.

Ramadani ka shtuar se, pasi që vendet e punës në Kosovë nuk janë të caktuara si në pagë ashtu edhe në pozicion të punëtorëve, pra domosdoshmëritë duhet një katalogim i gjendjes, ku përfundimisht edhe do ta rregullonte këtë problem.

“Nuk është problemi vetëm tek Arbana Xharra, përndryshe ka edhe emra tjetë po duhet luftuar për t’i gjetur. Mandatin e kaluar kemi diskutuar për një paket të ligjeve që i ka kërkuar Bashkimi Evropian si puna e ligjit të pagave, ligjit për  shërbyesve civil, ligji për qeverinë. Andaj edhe është nisur të bëhen disa ligje. Të parën e kemi bërë ligjin për shërbyesit civilë, mirëpo para këtij ka qenë dashur të bëhet ligji për paga dhe qeveri. Ne nuk mundemi që çdo qeveri që vjen të ndryshojë numrin e këshilltarëve, ministrave, apo zëvendës ministrave, por kur të bëhet ligji për qeverinë janë të caktuara vendet  që duhet dhe nuk ka nevojë  që numri  të rritet deri në 70 - 80. Vlen të theksohet se Ligji për paga ne Komisionin e Administratës Publike nuk na ka ardhur ende”, ka potencuar Ramadani.

Tutje, Ramadani ka shtuar se skanimi i gjendjes aktuale do t’i nxirrte ne pah militantët partiakë të punësuar nga partitë politike

“Mendoj që para se te aprovohet Ligji për pagat dhe qeverinë, gjithashtu edhe për këshillin e pavarur mbikëqyrës i cili veç se ka nisur të bëhet, por mendoj që do të kthehet në fazën fillestare, neve na duhet një skanim i gjendjes. Ky skanim apo katalogim i gjendjes qysh ne e kem, aktualisht është i përzier. Vendet e punës janë të përziera në Kosovë. Ku nuk dihet pozicioni i saktë i punëtorëve, e një ashtu edhe i pagave. Duhet skanim për një shikim se ku është situata tash, mirëpo kjo nuk u konvenon  partive që janë në pushtet sepse kanë shumë njerëz të punësuar në mënyrë të ndryshme, militant partiak të punësuar, e me kontratat mbi vepër, e kur të bëhet skanimi dalin në shesh të gjitha. Ligji për paga mund të vije në Komision e nëse vije neve na duhet një skanim i gjendjes të deritanishme, një katalogim i vendeve të punës edhe  tani diskutohet për nivelizim të pagave”, është shprehur ai.

Image
Imer Mushkolaj

Zyrtarët shtetërorë të paguhen njësoj

Ndërsa analisti Politik, Imer Mushkolaj, ka thënë për “Bota sot” se nivelizimi i pagave është i domosdoshëm, dhe duhet rregulluar me ligj.

“Nivelizimi i pagave është i domosdoshëm dhe kjo çështje duhet rregulluar me ligj. Për punën e njëjtë, pozitën e njëjtë, zyrtarët shtetërorë duhet të paguhen njësoj. Deri me tash pagesa është rregulluar jo në mënyrë të unifikuar, mbështetur në rregullore të ndryshme, por kjo situate duhet të marrë fund”, ka përfunduar Mushkolaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test