Skandalet e Haradinajt po e sjellin vendin buzë greminës

Politika

Skandalet e Haradinajt po e sjellin vendin buzë greminës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 27 qershor 2018 Në ora: 10:06
Qeveria e Kosovës

Ministri i financave Bedri Hamza, nuk do ta zbatojë vendimin e qeverisë për rritje pagash, duke e refuzuar së bashku me shtatë këshilltarët e tij.

Vendimi i tyre do të jetë i pakthyeshëm deri në miratimin e ligjit për paga, që do ta procedojë qeveria në Kuvend.

Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur javën e kaluar, duke konsideruar qëndrimin e Kushtetueses mbi rritjen e pagave, ministri i Financave, Hamza, nuk votoi vendimin për rritje pagash me sugjerimin që të pritej miratimi i Ligjit për pagat, në mbështetje të të  cilit do të harmonizohej rritja e pagave të zyrtarëve të lartë.

Mundësia e përçarjes së koalicionit

Ky vendim i ministrit Hamza, mund të jetë shkëndijë e ndezjes së përçarjes mes koalicioni qeverisës, pasi vendimet e kryeministrit duhet të zbatohen dhe jo të kundërshtohen nga ministrat e tij. Sipas nenit 6, pika 4.9 të rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së ministrave dhe kryeministrit, ky i fundit është i obliguar që çdo mosmarrëveshje me ministrat, ta zgjedhë atë në mënyrën e duhur. Mirëpo, Haradinaj nuk e bëri një gjë të tillë pas vendimit të ministrit Bedri Hamza, madje e mati burrërinë e Hamzës me vendimin e tij.

Reagimi i Haradinajt

Për këtë nuk u pajtuar shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj i cili u shfaq edhe i indinjuar nga ky vendim i ministrit Hamza.

“Nëse dëshiron ministri i Financave, Bedri Hamza, të jetë burri më i mirë i Qeverisë dhe Kosovës, le të ndihmojë të përshpejtohet ligji për nivelizimin e pagave, por qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë”, tha Haradinaj.

Ai theksoi se vendimi për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar do të jetë i përkohshëm, deri në miratimin e ligjit për nivelizimin e pagave.

Kjo deklaratë e kryeministrit Haradinaj vjen një ditë pasi shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që vendimi për rritjen e pagave të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat.

Kelmendi: Veprimi i Hamzës, akt gjysmë moral

Refuzimin e rrijtës së pagës nga ministri Hamza, e quan akt gjysmë moral njohësi i çështjeve politike, Jeton Kelmendi. Sipas Kelmendit, Hamza është dashur të luftojë edhe më shumë dhe si ministër i financave.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se refuzimi i pagës nga ministri i financave Bedri Hamza, është një akt gjysmë moral. Nuk po e quaj plotësisht të moralshëm, sepse ministri Hamza është dashur të luftoj edhe më shumë dhe si ministër i financave e ka pasur atë mundësi ta parandaloj ngritjen arbitrare nga kryeministri Haradinaj. Ndërkaq, po them veprim gjysmë moral për arsye se vetë-vetën po e penalizon nga një rritje e jashtëligjshme, një rritje e turpshme, e nga ana tjetër mendoj se qeveria ka të drejt ta shkarkojë, por nuk do ta bëjë atë në asnjë rrethanë, pasi është i vetmi njeri pak profesionist në atë qeveri, krahas ministrave tjerë aty. Pra, nga kryeministri e më poshtë, të gjithë janë jo adekuat për ato pozita që kanë, pra, asnjëri nga të tjerët nuk e meritojnë të jenë ministra”, potencoi Kelmendi.

Opozita qyqare, PSD satelit i SHIK-ut

Ai ka kritika edhe për opozitën, të cilën e quan qyqare, ndërsa PSD-në e quan satelit të SHIK-ut dhe kombinacioneve të saj. Kelmendi bën thirrje që shoqëria civile së bashku me opozitën, ta pengojnë rritjen e pagave edhe me demonstrata nëse është nevoja.

“Nga ana tjetër mendoj se rritja arbitrare nga Haradinaj, kur akoma pa e pasur ligjin për paga, mendoj se është një skandal që po e gjunjëzon Kosovën, në fakt këtu po e gjunjëzon edhe opozita qyqare nga LDK dhe Vetëvendosje, sepse opozitë nuk është edhe partia e Shpend Ahmetit, për faktin se ajo është një parti satelite e SHIK-ut dhe kombinacioneve të saj. Në këtë rast, do të duhej që shoqëria civile së bashku me partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje, edhe me demonstrata ta pengojnë një rritje të tillë të pagave. Kosova po turpërohet nga kjo edhe pas mesazheve të fuqishme nga Aposotlva, e cila tha se kjo rritje është krejtësisht e panatyrshme dhe e dëmton edhe më shumë qeverinë e varfëruar, por mendoj se kjo qeveri e ka kuptuar se është e pafuqishme dhe e plogësht dhe do të goditet sidomos nga Gjykata Speciale”, thekson Kelmendi për “Bota sot”.

Ramush Haradinaj po dëmton qëllimisht qeverinë

Tutje, Kelmendi shton se qëllimi i Ramush Haradinajt është që ta dëmtojë sa më shumë qeverinë, e pasardhësi i tij të ketë probleme në përmirësimin e tyre.

“Unë mendoj se ky është mendimi që udhëhiqet kreu i vendit Ramush Haradinaj, që të dëmtohet sa më rënd për aq sa të mundet, e kush të vij pas tij, të ketë probleme me përmirësimin e kësaj gjendje që e ka katandisur Kosovën, por po them që nuk është fajtor individi, sepse natyrisht që individi cili do qoftë ai, edhe mund të çmendet edhe mund të gjuaj gurë, por është një katandisje e shoqërisë që e duron një gjendje kaq të mirë të katandisur, në një farë mënyre ky popull sikur është pajtuar se kështu po u dashka të veprohet”, shprehet Kelmendi.

Koalicioni qeverisës përbëhet nga i keqi, i ligu dhe askushi

Ai thotë se koalicioni qeverisës përbëhet nga i keqi, i ligu dhe askushi, e sipas tij, të këqinjë janë  PDK, të ligë janë AAK, ndërsa askushët janë NISMA, AKR dhe partitë tjera përbërëse të koalicionit. Ndër tjera, ai tregon edhe kurthin që po ia bën PDK-ja kryeministrit Haradinaj.

“Koalicioni qeverisës përbëhet nga i keqi, i ligu dhe askushi. Kështu do ta quaja këtë qeveri, mes të kqinjëve, të ligjve dhe askushve, pra të këqij janë PDK-ja, të ligë janë AAK-ja, ndërsa askushët janë NISMA, AKR-ja dhe partitë e tjera minoritare. Mendoj që PDK-ja që moti po ia thyen qafën Haradinajt, sepse po e lejon të merr veprime të turpshme, të cilat nesër do t’i shkaktojnë kokëçarje, pasi sigurisht se Haradinaj dhe qeveria e tij do të merr përgjegjësi një ditë për 53 milion eurot e Bechtel Enkas, e shumë e shumë skandaleve tjera”, thotë Kelmendi.

Ai shton tutje se e vetmja parti që mund ta dërgoj vendin në zgjedhje është NISMA, sepse ka një rritje të vazhdueshme, kurse për PDK-në thotë që është në gjendje të katandisur.

“Por, PDK është e katandisur nga gjendja e brendshme, sepse është në teposhtëze dhe nuk ka ide se çfarë të bëj, prandaj po e lë fajin që ta vazhdoj ky, që në fund të tërhiqet e të thotë që fajin e ka Haradinaj, në mënyrë që ta amnistoj vetën nga gjithë këto dëme që po i shkakton Kosovës. Unë nuk mendoj që tani PDK do ta qojë në zgjedhje Haradinajn. E vetmja parti që mund ta dërgoj vendin në zgjedhje është NISMA, sepse ka një rritje të vazhdueshme”, theksoi Kelmendi.

Beqaj: Vendimi i ministrit në përputhje me nivelin e gjendjes ekonomike në vend

Image
Behlul Beqaj

Ndërsa analisti tjetër politik, Behlul Beqaj, thotë për “Bota sot” se vendimi i ministrit Hamza është për t'u vlerësuar në përputhje me nivelin e gjendjes ekonomike në vend, por, sipas tij, ky vendim tregon edhe orientimin e PDK-së që të jetë më afër kërkesave dhe qëndrimeve të subjekteve ndërkombëtare.

“Konsideroj se refuzimi i kërkesës së kryeministrit, është në përputhje më vlerësimet reale nga të gjithë subjekteve dhe disponimit të përgjithshëm të qytetarëve, duke marrë parasysh nivelin dhe gjendjen e përgjithshme ekonomike në shoqëri. Njëherit ky vendim tregon edhe orientimin e PDK-së që të jetë më afër kërkesave dhe qëndrimeve të subjekteve ndërkombëtare, për faktin se lidhur me këtë vendim ndikoi edhe Apostolova, e cila kërkoi që të rishikohet edhe njëherë vendimi rreth ngritjes së pagave, pavarësisht nga vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë se vendimi i ministrit, në fakt është në përputhje me interesin e shtetit, që të jetë sa më afër realitetit dhe kërkesave të mirëfillta që i kanë qytetarët sa i përket nevojës që të kërkohet dhe të bëhet një zgjidhje e mirëfilltë për ta, e jo vetëm në interes të pushtetarëve”, tha Beqaj.

Provokimi ndaj qeverisë

Ky veprim mund të jetë edhe provokim ndaj qeverisë, thotë Beqaj, ndërsa shton tutje se sikur të ishte kryeministri vërtet kryeministër, do duhej ta shkarkoj ministrin që nuk i përfill urdhrat e tij, por nuk e bënë atë sepse mund të rrezikohet koalicioni.

“Çështja e mospranimit të pagës nga ministri Hamza që del kundër kryeministrit, mund të jetë edhe një provokim  për qeverinë, për faktin se sikur të ishte kryeministri vërtetë kryeministër, do duhej ta shkarkoj ministrin që nuk i përfill urdhrat e tij, por ky nuk do ta bënte atë sepse do  rrezikohej koalicioni, prandaj momenti është shumë i përshtatshëm që ministri në fjalë me një veprim të përfitoj fuqi në PDK dhe në kuadër të qeverisë”, përfundoi Beqaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat