Abdullahu: Thaçi e bëri veten të pëlqyerin e Serbisë, Kuvendi të krijojë vija të kuqe që ai nuk guxon t’i shkelë

Politika

Abdullahu: Thaçi e bëri veten të pëlqyerin e Serbisë, Kuvendi të krijojë vija të kuqe që ai nuk guxon t’i shkelë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 qershor 2018 Në ora: 13:51
Faton Abdullahu

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, mbrëmë ka bërë thirrje që liderët e vendit të bashkohen rreth dialogut me Serbinë, në mënyrë që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

E së fundmi edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i bëri thirrje opozitës që të jetë pjesë e delegacionit në bisedimet me Serbinë.

Lidhur me këto, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kërkesa e ambasadorit amerikan është e drejtë dhe në kohën e duhur, por që pengohet nga presidenti ky unitet.

“Kërkesa e Ambasadorit Delawie për unitet në dialogun me Serbinë, është me vend dhe bëhet edhe në mënyrën e duhur edhe në kohën e duhur. Ai që e pengon këtë unitet është Presidenti aktual”, është shprehur ai.

Sipas Abdullahut, sa më shumë që Thaçi po kundërshtohet për të qenë në krye të bisedimeve, aq më shumë po mundohet të lë përshtypje për çdo lloj dialogu me Serbinë.

“Presidenti këtë e bën duke anashkaluar institucionet e Kosovës e për rrjedhojë edhe kontrollin dhe procesin demokratik, pa të cilin nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje e qëndrueshme në raport me Serbinë. Sa më shumë që Thaçit po i rrezikohet përpjekja për të qenë në krye të bisedimeve me Serbinë, sa më shumë që po ngjallë mospajtime tek opozita, por edhe disa partnerë të koalicionit qeverisës, aq më shumë ai po shtrëngohet të lë përshtypje se është i hapur për çdo gjë lloj dialogu me Serbinë”, vlerëson Abdullahu.

Sipas tij, Thaçi me deklaratën për vijat të kuqe me dialogun, ai e ka bërë veten të parapëlqyerin e Serbisë, prandaj në Kuvend duhet të krijohen vija të kuqe të cilat nuk guxon askush t’i tejkalojë, e as presidenti.

“Nga kjo sëkëlldi, e krijuar nga qasja e tij klandestine në dialog, ai shkoj aq larg sa tha që, në bisedimet me Serbinë nuk ka vija të kuqe. Prandaj me këtë deklaratë skandaloze Thaçi e ka bërë veten të parapëlqyerin e Serbisë për të dialoguar me Kosovën. Askush nuk do ta thoshte këtë në asnjë variant në Kosovë. Aq më pak besoj Kuvendi i Kosovës. Prandaj, ky Kuvend do të duhej të krijojë vija të kuqe të cilat nuk guxon askush t’i tejkalojë, e aq më pak Presidenti”, ka përfunduar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat