Përafrohen qëndrimet opozitare për mocionin

Politika

Përafrohen qëndrimet opozitare për mocionin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 korrik 2018 Në ora: 08:35
Opozita në Kuvend

“Partitë opozitare duhet të pozicionojnë dhe të hyjnë në bisedime mbi bazën reale të forcës së tyre, e jo të përpiqen të përfitojnë nga rastet! Por, bashkimi konstruktiv i opozitës, nëse ndodh, mund të rezultojë i suksesshëm sa i përket rrëzimit të Qeverisë, por dyshoj se mund të sjellë qeverisjen e dëshiruar për kthesë historike!”, ka theksuar Zogaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur pajtueshmëri për rrëzimin e qeverisë, pas kërkesës së Partisë Socialdemokrate për mocion ndaj qeverisë aktuale.

Qeveria e aktuale është “qeveri e pakicës” duke mos pasur mundësi t’i shtyjë proceset përpara, ndërsa opozita ende nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë për rrëzimin e saj.

Opozita vazhdon të jetë e përçarë për të rrëzuar qeverinë aktuale, ndërsa deklarata e ftesa për rrëzim kanë pasur pothuajse që nga fillimi i legjislaturës.

Ditë më parë, shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka ftuar ka ftuar Vetëvendosjen e Lidhjen Demokratike të Kosovës që ose t’ia japin votat një mocioni që do ta inicionte PSD-ja, ose të nisin vetë mocion e PSD-ja do t’i përkrahte.

“E ftojmë LDK dhe LVV që ta iniciojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë dhe ne do t’i japim 12 nënshkrime dhe 12 vota, ose të na i japin nënshkrimet dhe ne e iniciojmë”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

E ftesës së Sejdiut, i është përgjigjur përmes gazetës “Bota sot”, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë për “Bota sot”, se është koha për koordinim të hapave për shpëtimin e vendit nga kjo qeveri.

Image
Haxhi Avdyli

Avdyli: Koha për koordinim të hapave

Ai ka kërkuar bashkim edhe të deputetëve opozitarë, që sipas tij, ta shpëtojnë Kosovën nga degradimi i një qeverie të interesave klanore.

“Duhet bashkim opozitar për të rrëzuar këtë qeveri të vendimeve të këqija. Pse jo të bashkohen edhe deputetë që tani janë në koalicion qeverisës për të shpëtuar Kosovën nga degradimi i një qeverie të interesave klanore, por edhe për ta shpëtuar Kosovën nga marrëveshjet e dëmshme që mund t’i lidhin qeveritarët që nuk përfaqësojnë assesi shumicën shqiptare. Është koha për koordinim të hapave për shpëtimin e vendit nga deputetët që duan këtë vend, e jo për bashkëpunime të fshehta për ta mbajtur në jetë këtë qeveri të pakicës që është e kapur nga Srpska”, ka deklaruar Avdyli.

Gjersa, deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, ka kërkuar nga LDK-ja dhe LVV-ja t’iu bëjnë ftesë për një tryezë opozitare për strategji e taktikë për rrëzimin e qeverisë, ose t’iu japin atyre autorizimin dhe ata ta thërrasin tryezën, LDK-ja e përkrahë një gjë të tillë, duke thënë se duhen sa më shpejt partitë opozitare të ulen dhe të koordinohen.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se vetëm zgjedhjet mund ta shpëtojnë vendin, edhe përkundër që asnjë deputet nuk do të gëzohej për zgjedhje një vjet pas fitores së mandatit.

“Çdo ditë e kaluar me këtë qeveri do t’i kushtojë Kosovës, prandaj duhet sa më shpejt të ulen të 3 partitë opozitare dhe të koordinohen. Janë 58 deputetë shqiptarë opozitarë kundrejt 42 të pozitës, ku edhe nga ata 42 gjysma janë  të pakënaqur me këtë qeverisje të keqe. Vetëm zgjedhjet e reja shpëtojnë vendin. Asnjë deputetë nuk gëzohet për të shkuar në zgjedhje një vjet pas fitores së mandatit, por kur vjen puna e rrezikimeve të interesit të vendit duhet t’ia bëjmë argatin Kosovës, e jo interesave tona të ngushta”, ka përfunduar Avdyli për “Bota sot”.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje thotë se vetëm me votat e opozitës nuk mund të rrëzohet qeveria.

Image
Ismail Kurteshi

Kurteshi: Mungojnë numrat 

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka thënë për “Bota sot”, se ata janë për rrëzimin e qeverisë, mirëpo u mungojnë numrat.

“Ne jemi për rrëzimin e qeverisë, por të njëjtën kohë ne e dimë që nuk  i kemi numrat, ndoshta nesër apo pasnesër po, por sot për sot mungojnë numrat dhe duhet ta kemi parasysh këtë se nevojiten 61 vota për ta rrëzuar”, ka pohuar Kurteshi.

Duke folur rreth ndonjë tryeze të përbashkët opozitare për strategji e taktik për rrëzimin e qeverisë, Kurteshi nuk ka njohuri nëse do të mbahej një tryezë e atillë, mirëpo ka shtuar se janë për rrëzimin e qeverisë.

“Nuk e di për ndonjë tryezë, por ne jemi për ta rrëzuar këtë qeveri, jemi për ta ndryshuar këtë qeveri, e cila sipas nesh, nuk është duke i përmbushur pritjet e qytetarëve për premtimet dhe detyrat që i ka. Duhet të bëjmë përpjekje që t’i bëjmë numrat, ka edhe deputetë të pozitës të pa kënaqur, por ata duhet të vendosin që të japin votën për mocion mos besimi”, ka theksuar Kurteshi.

Analistët politikë nuk e konsiderojnë serioze kërkesën e PSD-së, gjersa kanë thënë se votat e tyre nuk do të mjaftonin për rrëzimin e kësaj qeverie.

Image
Skender Zogaj

Zogaj: Nuk e konsideroj serioze as kërkesën e PSD

Skender Zogaj, analist politik, ka deklaruar se kërkesat e një anshme të subjekteve politike ndodhin për qëllime të ngushta dhe të ulëta.

“Kjo puna e kërkesave të një anshme të subjekteve partiake për çështjet jetike të vendit, në të shumtën e herëve po ndodh, për qëllime të ngushta dhe të ulëta, prandaj, edhe kur janë arritur marrëveshje, ato janë shprishur si tym duhani dhe kanë lënë prapa përvoja të hidhura dhe pasoja të dëmshme! Nuk e konsideroj serioze as kërkesën e PSD drejtuar LDK-s dhe VV-s për të inicuar mocionin e rrëzimit të Qeverisë. Këto punë nuk bëhen sipas tekeve të individëve dhe grupeve të mshigëzuar politike, siç e konsideroj kreun e PSD-s që për interesa karrieriste ia ka fut thikën në shpinë amës VV, në çastet më të vështira! Pse u dashka opozita e vërtetë - LDK e VV t’i bashkëngjiten PSD-s?! “, ka pohuar Zogaj.

Ai ka thënë se partitë opozitare duhet të pozicionohen dhe të hyjnë në bisedime mbi bazën reale të forcës, e jo të përpiqen të përfitojnë nga rastet.

“Partitë opozitare duhet të pozicionojnë dhe të hyjnë në bisedime mbi bazën reale të forcës së tyre, e jo të përpiqen të përfitojnë nga rastet! Por, bashkimi konstruktiv i opozitës, nëse ndodh, mund të rezultojë i suksesshëm sa i përket rrëzimit të Qeverisë, por dyshoj se mund të sjellë qeverisjen e dëshiruar për kthesë historike!”, ka theksuar Zogaj.

Image
Faik Krasniqi

Opozita duhet të krijojë aleatë brenda koalicionit

Ndërsa, analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot”, se mocioni për rrëzimin e qeverisë do të ishte i kotë, nëse opozita nuk i siguron së paku dy apo tri vota të koalicionit qeverisës.

Qeveria do të vazhdojë akoma, nëse nuk do të sigurohen votat e pozitës për rrëzim, ka shtuar Krasniqi.

“Nuk mjaftojnë vetëm votat e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë, sepse u duhen 61 vota të deputetëve në Kuvend. Prandaj do të ishte i kotë mocioni për rrëzimin e Qeverisë, nëse opozita nuk i siguron edhe së paku dy-tre vota. Opozita duhet të krijojë aleatë brenda koalicionit për ta rrëzuar Qeverinë, me deputetë të pakënaqur të pozitës. Në të kundërtën kjo Qeveri do të vazhdojë akoma të qeverisë, edhe pse është Qeveri e pakicës!”, ka deklaruar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat