Nën timonin e Kadri Veselit, Kuvendi i Kosovës joserioz

Politika

Nën timonin e Kadri Veselit, Kuvendi i Kosovës joserioz

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 30 korrik 2018 Në ora: 07:06
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës po vazhdon të mbetet jofunksional për shkak të mungesës së deputetëve në seancat plenare ku diskutohen politikat e ndryshme. Përveç Kuvendit, një pjesë e konsiderueshme e deputetëve mungojnë nëpër komisionet parlamentare, ku fillimisht, aty duhet ti diskutojnë ligjet e që pastaj ti bëjnë gati për seancë.

Në bazë të kësaj, Kuvendi është funksional vetëm në mënyrë formale sepse fatkeqësisht nuk po e kryen obligimin e vet kryesor kushtetues dhe ligjor që ka, që është miratimi i ligjeve.

Nga mungesa e interesimit të deputetëve për të marrë pjesë në seancat e kuvendit dhe nëpër komisionet parlamentare, po pësojnë qytetarët e vendit pasi që të zgjedhurit e tyre nuk po i mbushin pritshmëritë e premtuara, që ndoshta ndonjë masë ndëshkuese për ta, do të ishte një “ujë i ftohët” që të vetëdijesohen.

Avdyli:  Kjo qeveri prodhon bllokadë dhe ngecje

Deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli, thotë për “Bota sot” se kjo qeveri me 42 deputetë, nuk ka se si mos të ngecë dhe arroganca dhe fyerja e përfaqësuesve të PDK-së sipas tij, ka ndikuar te kjo.

Image
Haxhi Avdyli

“Kjo qeveri e pakicës ku vetëm 42 deputet shqiptarë e përkrahin, s’ka si të mos prodhojë vetëm bllokadë dhe ngecje. Dhe më keqja është arroganca dhe fyerja që ju bëhen nga Kadri Veseli, Memli Krasniqi e  deputetë tjerë po këtyre deputetëve për të cilët kanë nevojë për votën e tyre”, thotë Avdyli.

Mungesa e debatit konstruktiv e në vend të tyre akuza, fyerje dhe sulme fizike në kuvendin e Kosovës, ka ndikuar që të minimizohet puna e parlamentit, shton tutje Haxhi Avdyli.

“Aty s’ka debat konstruktiv por ka shumë akuza e fyerje, e deri në sulme siç ndodhi me rastin e rrëshqitjes së Xhavit Halitit, e raste tjera. Por ky koalicion i shkapërderdhur s’ka më argumente të fjalës për të qëndruar në pushtet tani përmes degradimit të kuvendit dhe minimizimi të rolit të saj, po duan ta shtyjnë edhe ndonjë javë në postet e tyre të pamerituara, ku nga mosdija dhe shpesh edhe qëllime korruptive kanë katandis këtë vend si më së keqi”, thotë ai.

Murati: Trendi i punës në Kuvend duhet urgjentisht të ndryshojë

Artan Murati nga KDI, thotë për “Bota sot” se Kuvendi është jofunksional që moti, pasi mungon vendimmarrja e posaçërisht serioziteti në punë, pavarësisht që ka aktivitet shumë shpesh.

Image
Artan Murati

“Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar normalisht tash e sa kohë. Ndonëse Kuvendi ka aktivitet pothuajse çdo ditë, qoftë përmes komisioneve parlamentare apo seancave plenare, megjithatë mungon vendimmarrja e posaçërisht serioziteti në punë”, deklaron Murati.

Përveç që janë duke munguar në punimet e Kuvendit, Murati thotë se deputetët edhe po e bllokojnë punën e Kuvendit me mospjesëmarrje në votim.

“Deputetët përveç që janë duke munguar në punimet e Kuvendit, janë edhe duke e bllokuar punën e Kuvendit me mospjesëmarrje në votim. Për më tepër, jemi dëshmitar se pothuajse në secilën seancë plenare shpërfaqen inate politike të cilat po ndikojnë edhe më tepër në polarizimin mes subjekteve politike parlamentare. Pra, Kuvendi nuk është efikas dhe trendi i punës në Kuvend duhet urgjentisht të ndryshojë”, thekson Artan Murati.

Maxharraj: Është mjerim që ky njeri të udhëheq me Kuvendin

Ndërsa prof. dr. Binak Maxharraj, për mosefikasitetin e punës së Kuvendit, ia lë fajin Kadri Veselit, që e konsideron si fat të keq dhe si një njeri të padijshëm që në mendje ka inskenimin e skenave banale.

Image
Binak Maxharraj

“Është fatkeqësi e madhe që Kadri Veseli të udhëheq me kuvendin. E patëm fatin e keq të pas luftës që pushtetin, për ta shkatërruar atë, e morën një garniturë kaskaderësh të dalur nga lufta, siç janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, të cilëve nuk u intereson shteti por plaçkitja e shtetit. I këtillë është edhe krye parlamentari Kadri Veseli. Për Kadri Veselin kam thënë dhe tani po e përsëris së është fatkeqësi e madhe për Kosovën që ky njeri të udhëheqë me Parlamentin. Ky njeri i cili erdhi nga nëntoka, nga errësira, as se si nuk po mund të gjendet në dritë. U deshën tre muaj të humben pas zgjedhjeve që ky njeri me zor të bëhet krye parlamentar, pasi që e bëri bërllok punën e tij si Kryetar i PDK, të cilën edhe e shkatërroi. Kadri Veseli është një njeri që nuk e meriton me qenë as çoban i dhenve e le më Kryeparlamentar. Është një njëri i padijshëm, tinxar, i pa edukuar sepse i mungon edukata elementare, është njeri grindavec, të cilit më shumë i pëlqejnë skenat e këqija në Kuvend shkaktar i të cilave është vet. Si duket ky njeri jeton dhe inskenon skena banale. Është i paskrupullt, nuk dinë të lexojë mirë, nuk e dinë mirë gjuhen shqipe, belbëzon, i ofendon deputetët me fjalë banale rrugaçërie. Që prej së ka ardhur me “zor” në krye të Parlamentit, puna e Parlamentit është një katastrofë e vërtet”, shprehet Maxharraj “Bota sot”.

Ai e sheh këtë legjislaturë të kuvendit, si më të dobëtën që nga paslufta, e deputetët janë rebeluar nga krye parlamentari i tyre.

“Është një ndër Legjislaturat më të dobëta që nga pas lufta, nuk ka punë, deputet nuk kanë invencion dhe dëshirë për punë, sepse e kanë “ogiçin” e keq që po i udhëheq. Deputetët nën udhëheqjen e tij gati sa janë rebeluar, nuk dëgjojnë Kadri Veselin, dalin e vijnë nga salla kur të donë, në Kuvend nuk ka rregulla as disiplinë, e ky harifi sa i padijshëm që është veç qesh me atë qeshjen e tij cinike. Mbledhjet e Kuvendit nuk mbahen me rregull dhe bojkotohen, shumë ligje kanë mbetur pa u aprovuar për shkak të kuorumit. Për të gjitha këto që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës dhe denigrimin e tij, nuk janë fajtor deputetët, por kryesisht vet krye parlamentari Kadri Veseli, njeriu të cilit aspak nuk i intereson mirëvajtja e Kuvendit, por atij më shumë i pëlqejnë skenat në Kuvend të cilat ai vetë i inskenon. Është mekat, është turp, është skandaloze, është mjerim që ky njeri të udhëheq me Kuvendin”, përfundoi Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat