Demaçi vdiq i trembur nga madhështia e Rugovës

Politika

Demaçi vdiq i trembur nga madhështia e Rugovës

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 31 korrik 2018 Në ora: 22:28
Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi

Zakonisht tek ne, pas vdekjes thuhen fjalë të mira për të ndjerin. S`kishte si të ishte ndryshe edhe në rastin e Adem Demaçit. Figura e Demaçit u lartësua aq shumë sa, po të mund t’i dëgjonte fjalimet edhe vet Ademi do ishte habitur. Fatkeqësisht është “sëmundje” tek shqiptarët, që kur vdes dikush e lartësojmë në piedestal. Kur flitet për Demaçin duhet të jemi realist në atë çfarë themi, duke u bazuar vetëm tek e vërteta.

Ademi vuajti 28 vite burg pasi ngriti  zërin për të drejtat e shqiptarëve, dhe u kthye në ato vite si simbol i rezistencës, për çka është Presidenti Rugova e vlerësonte, pavarësisht çfarë Demaçi thoshte për të, këtu edhe qëndronte madhështia e tij. Por, pas daljes nga burgu, Demaçi zuri në thua tek Rugova, madhështia e të cilit eklipsonte duke e lënë nën hijen e së shkuarës, të cilën gjë Adem Demaçi nuk e kapërdiu dot. Tipike shqiptare që s’të fal suksesin dot, çka bëri që madhështia e Demaçit të binte në nivel mjaft të ulët.

Të gjitha akuzat për Rugovën ranë poshtë, realiteti tregoi se Rugova kishte të drejtë, të cilën gjë Ademi nuk e përballoi asnjëherë. S`do të kishte asgjë të keqe nëse Demaçi do të kishte mendim ndryshe nga Rugova, se tek e fundit është e mire për demokracinë, por të fyesh një personalitet siç ishte Rugova vetëm nga xhelozia, shpërfaqi meskinizmin brenda vetës, që Ademin “e madh” e tradhtonte shpesh herë. Sëmundja e xhelozisë nga ka ndjekur gjithnjë ne shqiptarëve, dhe si e tillë ka prodhuar vetëm ndasi. Pikërisht këtë të fundit presidenti Rugova e luftonte, shpesh edhe duke falur kundërshtarët e tij në emër të unitetit. Por, Rugova ishte i madh, dhe si i tillë ka mbetur, edhe pse Ademi nuk e pranoi dot. Në këtë sens e vlerësoi statusin në fb të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, i cili shkroi fjalë të mira për bacën Adem duke vlerësuar kontributin e tij. Megjithëse LDK nuk mori pjesë në varrimin e tij, besoj se si shoqëri duhet t’i tejkalojmë ndasitë në emër të bashkimit.

Përveç me Rugovën Demaçi gaboi edhe në të bërit politikë, duhet kujtuar këtu momentin kritik gjatë bisedimeve në Rambuje. Delegacioni i Kosovës, kryesisht nga kampi i luftës nuk nënshkruante marrëveshjen pa marr pëlqimin e Demaçit, të cilin u mundua ta bindë edhe Sekretarja e shtetit zonja Madeleine Albright, që nuk ia arriti. Gjithsesi nëse nuk do ta kishte nënshkruar pala shqiptare atë marrëveshje do të humbnim mbështetjen e SHBA-së, dhe Kosova sot nuk do të ishte kjo që është. Bindja e Demaçit rezultoi e dështuar për Kosovën, dhe të vepruarit me emocione rrezikonte ta fuste Kosovën në një rrugë pa krye.

Përballë emocioneve  të Demaçit dhe mençurisë së Rugovës, triumfoi kjo e dyta, dhe koha e vërtetoi një gjë të tillë. Demaçi duhet të vlerësohet ashtu siç ishte, pa e zhveshur nga meritat por edhe duke mos ia shtuar ato. Në betejën me Rugovën, Demaçi doli i humbur. Ishin vlerat e Rugovës ato që triumfuan, njëra ndër të cilat ishte të mos urrente kundërshtarët, duke mos u marrë me ta fare. Durimi i Rugovës doli të ishte arma më e fortë kundër atyre që e kundërshtonin. Me vlerat që kishte Rugova jam i sigurt se po të ishte gjallë do e nderonte Demaçin. Kushdo që ka sulmuar Rugovën ka përfunduar i humbur, fatkeqësisht Demaçi nuk e kuptoj këtë, ose nuk deshi ta kuptonte, gjithsesi duke mos arritur të dilte nga inati përballë madhështisë së Presidentit historik. Ndonëse, kishte mundësi  të dilte nga mesknizmi i tij, nuk ia arriti dot, duke u tkurrur në një njeri inatçor, i humbur nga madhështia e kundërshtarit të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat