“Lojë fjalësh nga Thaçi e Vuçiç, SHBA dhe BE nuk lejojnë shkëmbim territoresh” - Bota Sot
“Lojë fjalësh nga Thaçi e Vuçiç, SHBA dhe BE nuk lejojnë shkëmbim territoresh”

Politika

E diel, 21 tetor 2018

“Lojë fjalësh nga Thaçi e Vuçiç, SHBA dhe BE nuk lejojnë shkëmbim territoresh”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 gusht 2018 Në ora: 14:12
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuqiç

Presidenti Hashim Thaçi në konferencat e fundit të mbajtura për media, ka përmendur mundësinë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, që sipas tij nuk nënkupton ndarje të Kosovës.

Sipas presidentit korrigjimi i kufijve do të thotë bashkim i Luginës së Preshevës me Kosovën dhe jo autonomi për serbët në Kosovë.

E kjo ide e tij nuk ka gjetur përkrahje.

Për këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Serbia gjithmonë ka shfaqur ambicie për ta  ndarë Kosovën por që Kosova nuk guxon të futet në aventura të tilla.

Image
Faik Krasniqi

“Serbia gjithmonë ka shfaqur ambicie për ndarjen e Kosovës. Por, Kosova nuk guxon të futet në aventura të tilla, që për hir të njohjes nga Serbia të humbas mbi 1000 km2. Në rast se Kosova dhe Serbia pajtohen për shkëmbim territoresh, atëherë Lugina e Preshevës me 1249 km2 (komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) t'i takonin Kosovës, kurse tre komunat me shumicë serbe me 996 km2 (komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) t'i takonin Serbisë, do të ishte më e arsyeshme. Edhe pse gjatë shkëmbimit të 1956 këto tre komuna shqiptare i janë bashkuar Serbisë, kurse Leposaviqi dhe disa fshatra Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, e gjithë kjo është lojë fjalësh mes Thaçit dhe Vuçiqit, pasi SHBA dhe BE nuk e lejojnë që të ndodhë një gjë e tillë.

“Sidoqoftë, këto janë vetëm lojë fjalësh mes Thaçit dhe Vuçiqit, sepse SHBA dhe BE-ja nuk besoj që lejojnë gjëra të tilla. Në rast se ndodh shkëmbimi mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë hapet kutia e Pandorës në gjithë globin”, ka theksuar Krasniqi.

Ai vlerëson se Serbia nuk e ka qëllim shkëmbimin e territorit por Asociacionin e komunave serbe.

“Por as qëllimi i Serbisë nuk është shkëmbimi i territorit me Kosovën. Serbia synon që të siguroj Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive, në mënyrë që pas 20 viteve ajo pjesë të shkëputet me referendum dhe t'i bashkohet Serbisë”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test