Thaçi përsëri në “luftë” me SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë… në krah Vuçiqin dhe Daçiqin! - Bota Sot
Thaçi përsëri në “luftë” me SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë… në krah Vuçiqin dhe Daçiqin!

Politika

E premte, 16 nëntor 2018

Thaçi përsëri në “luftë” me SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë… në krah Vuçiqin dhe Daçiqin!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 17 gusht 2018 Në ora: 11:20
Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq

Ende është e freskët nata e ftohtë dhe e frikshme e 22 dhjetorit të vitit 2017. Jo që ishte e ftohtë koha, e as që kishte ndodhur diçka e frikshme në Kosovë, por natë të ftohtë dhe të frikshme të premten e 22 dhjetorit e shndërroi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i përkrahur edhe nga dy aleatët e tij, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.

Më 22 dhjetor, Thaçi kishte marr nismë për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale. Me nënshkrimin e 43 deputetëve, dhe i përkrahur nga Kadri Veseli, dhe Ramush Haradinaj, presidenti kishte tentuar në mënyrë krejt të papritur ta shfuqizojë Specialen, për të cilën kishte bërë aq shumë thirrje që të votohej në kohën kur ishte themeluar.

E atë natë, paralajmërimet ishin të frikshme. Thaçi, i përkrahur nga Haradinaj e Veseli, rrezikuan që Kosovën ta izolojnë nga bota perëndimore, rrezikuan që Kosova ta humb mbështetjen e SHBA-së, aleatit kryesor dhe mikut më të madh të shqiptarëve.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, kishte paralajmëruar pasoja të rënda për Kosovën me 22 dhjetor në rast se do të behej shfuqizimi i Speciales.

“Ideja për ta ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa. Nuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, kishte thënë ambasadori amerikan.

Po ashtu, përveç Delawies, pasoja të rënda kishte paralajmëruar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Cornell, i cili 22 dhjetorin e kishte quajtur “nata më e frikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”, shkruan “Bota sot”.

“Kësaj here kam përshtypjen se interesat personale po vihen para interesave të shtetit. NATO-ja nuk është mashtruar për të ndërhyrë, por ka pas arsye për të ndërhyrë. Ne e dimë saktë se çka ka ndodhur këtu gjatë luftës. Më vinte shumë mirë kur para dy viteve ka pasur gatishmëri për të pranuar drejtësi për të gjithë. Më vjen shumë keq tash kur dëgjoj tash një përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Specialen. Nëse anulohet tash reagimi do të jetë shumë i keq për Kosovën. Nuk e di çfarë mund të them se do të jetë reagimi i Londrës, ne kemi qenë gjithmonë miq të sinqertë të Kosovës. Por nëse miratohet sonte kjo, mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta. Votimi për të shfuqizuar Ligjin mbi Gjykatën Speciale do të ishte një tradhti e angazhimit tonë dhe do të vinte në pikëpyetje nëse Kosova beson në drejtësi ose në mosndëshkimin. Do të kishte pasoja të rënda për Kosovën”, kishte deklaruar ambasadori britanik.

Gjithashtu, shfuqizimin e Speciales e kishte kundërshtuar ashpër edhe Bashkimi Evropian si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurse, presidenti Thaçi këto paralajmërime i kishte cilësuar si tepër të ekzagjeruara.

E, tash presidenti Thaçi i ka hyrë edhe një aventure të rrezikshme. Ai duke mos patur asnjë mandat për bisedimet me Serbinë, ka paralajmëruar ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, apo siç po e quan ai “korrigjim i kufirit”.

Por, përderisa ai pothuajse çdo ditë në konferencat e tij po prezanton këtë ide, të cilën haptas kanë dalë ta përkrahin edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe ministri i jashtëm, Ivica Daçiq, kundër një ideje të tillë kanë dalë shumë shtete të fuqishme, si SHBA, Gjermania, Britania, e shumë diplomatë dhe analistë botërorë.

Ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel, ajo e cila i bëri të ditur haptas Thaçit, Vuçiqit dhe Daçiqit se në Ballkan nuk do të ketë asnjë ndryshim të kufijve.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ditë më parë në një konferencë për media, pas takimit me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, tha se ka tendenca të caktuara në Ballkanin Perëndimor dhe se po flitet për rivendosje të kufijve, gjë e cila, sipas mendimit të saj nuk mund të bëhet.

“Kufijtë dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të krijuara (vendosura) dhe janë të paprekshme. Kjo duhet të përsëritet shumë herë sepse ka disa tendenca të bisedohet për kufij, dhe kjo nuk mund të bëhet. Këtë nuk mund ta bëjmë. Nisur nga kjo, ne natyrshëm jemi të pajtimit se qëndron perspektiva europiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Angela Merkel ditë më parë, shkruan “Bota sot”.

E gjatë ditës së djeshme, edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, në një përgjigje për “Bota sot”, kanë deklaruar se Kosova dhe Serbi duhet të arrijnë një marrëveshje që nuk cenon stabilitetin në rajon.

“Përmbajtja e çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe BE-në si lehtësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe që nuk krijon jostabilitet në cilindo shtet apo në rajon. Kjo do të kërkojë vizion dhe fleksibilitet në të dy anët. Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë mbi procesin, që të pakësojnë retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive. Në këtë pikë ne nuk duam të hyjmë në një debat publik rreth elementeve hipotetike të një zgjidhjeje që mund të dalë nga negociatat. Ne do të vështrojmë shumë seriozisht dhe me shumë kujdes atë për të cilën palët bien dakord. Kjo nuk nënkupton liri të pakufishme të veprimit. Për aq sa kemi shqetësime për elementet specifike të cilësdo marrëveshjeje të propozuar, ne do të jemi të qartë me palët lidhur me këto”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Që nuk ka ndryshuar qëndrimi amerikan ndaj Kosovës, e konfirmoi edhe ambasadori i ri i SHBA-së që do të vijë në Kosovë, Philip Kosnett.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes dy vendeve. Mendojmë se ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për të kapërcyer tensionet e vjetra. Ne besojmë se është me rëndësi kritike që dy vendet të jenë në gjendje të diskutojnë ide të reja. Kjo nuk është fjalë-kod për të mbuluar idenë e shkëmbimit të territoreve. Ne duam të shohim se çfarë idesh do të paraqesin dy qeveritë. Synimi ynë strategjik afat-gjatë është të shohim stabilitet në rajon, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vjetra mes dy vendeve në forma që forcojnë lidhjet e dy vendeve me Perëndimin,” tha Kosnett,  të enjten para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Kurse, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruari O’Cornell, deklaroi se kufijtë mund të ndërrohen vetëm me plumba, duke dalë kundër idesë së Thaçit.

"Kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba", tha O’Cornell.

Kundër idesë së Thaçit kanë dalë edhe shumë diplomatë dhe analistë botërorë, si Carl Bildt, Daniel Serwer, Wolfgang Ishinger, Janusz Bugajski, etj... të cilët kanë paralajmëruar destabilzim të rajonit në rast se ndodhë një gjë e tillë.

Por, pavarësisht këtyre Thaçi, ka vendosur ta vazhdojë luftën.

Ai madje deklaratën e ambasadori britanik, Ruari O’Cornell e ka quajtur të çmendur.

“Korrigjimi i kufijve të gjatë rreth 400km në mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhet me dialog, do të shkruhet me fjalë dhe në një proces paqësor. Larg nga bisedat për armiqësitë, plumbat ose luftën. Këto ide janë të huaja dhe duhet të refuzohen nga të gjithë”, ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në përgjigjen e tij.

Kurse, menjëherë pas deklaratës së Merkelit, Thaçi në një intervistë për Reuters, kishte këmbëngulur për “korrigjim kufijsh”.

Ai, në një intervistë të tij për Reuters, ka thënë se në shtator do t’i propozojë Serbisë planin për korrigjimin e kufirit, ani pse Merkel tha se nuk do të ketë ndryshime të kufijve në Ballkan.

“Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra. Kjo do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Srpska (në Bosnjë). Korrigjimi i kufijve definitivisht do të shmangë ndarjen e Kosovës, duke shkëmbyer territore, më shumë krizë apo probleme ose ndoshta edhe një luftë të re. Nëse palët bien dakord në procesin e dialogut dhe arrijnë një marrëveshje për korrigjimin e kufirit, BE dhe Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin atë. Ne po ndjekim një proces paqësor dhe kjo do të shmangë problemet, do të shmangë krizat dhe do të hapë një perspektivë të BE për të dy vendet”, deklaroi Hashim Thaçi për Reuters.

E, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se në shtator do të vazhdojë dialogu mes Kosovës e Serbisë.

“Beogradi dhe Prishtina do të përcaktojnë temat e bisedimeve mbi normalizimin e marrëdhënieve reciproke dhe roli i Bashkimit Evropian është ndërmjetës. Një zgjidhje e qëndrueshme do të thotë një zgjidhje e qëndrueshme dhe realiste në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin.

Tashmë mbetët të shihet se si do të përfundojë “lufta” e Thaçit, në krah me Vuçiqin dhe Daçiqin përballë ndërkombëtarëve për “korrigjim kufijsh” dhe cila do të jetë marrëveshja e dhimbshme mes Kosovës e Serbisë, e paralajmëruar shumë kohë më parë nga të dy presidentët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test