Deputeti i LDK-së: Transformimi i FSK-së “lojë politike” për kontrabandim

Politika

Deputeti i LDK-së: Transformimi i FSK-së “lojë politike” për kontrabandim

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 shtator 2018 Në ora: 21:27
FSK

Tri projektligje për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, janë proceduar nga Qeveria e Kosovës të enjten, mirëpo kjo çështje nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk konsiderohet aq aktuale sa është përcaktimi i statutit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Transformimi i Forcave të Sigurisë të Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, është njëra nga çështjet e cila ishte premtuar për t’u zgjidhur nga qeverisja aktuale, duke marrë përkrahjen edhe presidenciale.

Përkundër, deklarimeve të njëpasnjëshme transformimi i FKS-së ishte “harruar”, për t’u zëvendësuar me debatet e ndryshme për shkëmbim apo ndarje të Kosovës.

Në fazën e fundit të dialogut me Serbinë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të procedojë projektligjet për transformimi e FSK-së, përkundër që ndërkombëtarët kishin deklaruar se shndërrimi i FSK-së duhet të bëhet me ndryshme kushtetuese.

Kundër veprimit të Qeverisë, është shprehur edhe Presidenti Hashim Thaçi edhe pse në të kaluarën ishte një ndër më të zëshmit për ushtrinë e Kosovës.

Presidenti e ka quajtur të gabuar në këtë kohë, gjersa ka shtuar se duhet të lëvizet në krijimin e ushtrisë, mirëpo vetëm përmes një procesi plotësisht të koordinuar me ShBA-të dhe me NATO-në.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës është duke quajtur “lojë politike”, çështjen e ushtrisë së Kosovës.

Image
Ramiz Kelmendi

Ramiz Kelmendi deputet i LDK-së, ka thënë për “Bota sot”, se në situatën që gjendet Kosova momentalisht është e panevojshme çështja e transformimit të FSK-së.

Ai e konsideron si lojë këtë çështje, vetëm që sipas tij, në parlament të kontrabandohet ndonjë prej pikave që nuk kalojnë deri më sot.

“Më duke që është duke u bërë një lojë politike, ndoshta e panevojshme momentalisht për arsye se shumë më aktuale është çështja e zgjedhjes së statusit të Kosovës në negociata me Serbinë, sesa ndoshta një ligji që ne mund ta marrim sa here dëshirojmë. Sepse, për atë ligj dhe për formimin e ushtrisë sa herë dëshiron gjithmonë uniteti i përgjithshëm i spektit politik mund të procedohet, apo ndoshta është një lojë që në emër të këtij ligji t’i përcjellim te parlamenti në mënyrë që pastaj të kontrabandohet ndonjë prej këtyre pikave që nuk kalojnë deri sot”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Kundër ushtrisë së Kosovës ka qenë Lista serbe, ndërkaq në vitin 2014 Thaçi kishte marrë vendim për transformimin e FSK-së, duke thënë se ka pasur mbështetje të plotë të SHBA-së dhe NATO-s. Por sipas tij për shkak të kokëfortësisë dhe egove elektorale nuk ka arritur të procedohet në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat