Kryqëzohet padrejtësisht ish Prokurori Blakaj - Bota Sot
Kryqëzohet padrejtësisht ish Prokurori Blakaj

Politika

E hënë, 22 tetor 2018

Kryqëzohet padrejtësisht ish Prokurori Blakaj

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 18 shtator 2018 Në ora: 08:33
Elez Blakaj

Përmes një komunikate për media, Prokuroria e Shtetit ka pranuar se numri i veteranëve të rrejshëm, të cilët janë pjesë e aktakuzës së ish-prokurorit special Elez Blakaj, është rritur.

Rreth 2 mijë persona janë shtuar në aktakuzën e ngritur kundër veteranëve mashtrues. Kështu ka thënë ish-prokurori Elez Blakaj, i cili ka dhënë dorëheqje nga puna në Prokurori për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas shantazheve dhe kërcënimeve që i kishte marrë.

Lista e përpiluar nga Blakaj, me disa modifikime nga prokurorët aktualë tashmë është publikuar.

Por, në këto modifikime, janë shtuar edhe një numër i madh i ish-ushtarëve të UÇK-së. E për këtë Blakaj ka thënë se nuk jep më përgjegjësi, pasi nuk është lista të cilën e ka përpiluar vetë ai, por është ndryshuar aktakuza.

Reagimi i Blakajt

Ish-Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, në një reagim përmes Facebook-ut ka thënë se ajo çfarë po sheh nga informacionet e publikuara në media, që i referohet aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët.

“Ajo çka po shoh tash nga informacionet e publikuara në media, që i referohen aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët. Këtë sqarim po e bëj për të informuar publikun se së pari aktakuza paska pësuar ndryshime nga ajo që e kam përpiluar unë, sepse janë rreth 2.000 persona më shumë, për të cilët nuk kam as informacion se si janë selektuar dhe sesi janë përfshirë në aktakuzë”, ka thënë Blakaj.

Për ndryshimin e aktakuzës, nga Prokuroria e Kosovës, nuk kanë dhënë përgjigje, edhe pse që nga mëngjesi i ditës së hënë ua kemi dërguar pyetjet, se pse ka ndodhur kjo.

Prokuroria: Lista pësoi ndryshime

Por, përmes një komunikate për media, Prokuroria e Shtetit ka pranuar se numri i veteranëve të rrejshëm, të cilët janë pjesë e aktakuzës së ish-prokurorit special Elez Blakaj, është rritur.

Në këtë komunikatë për media, thuhet se rritja e numrit nga 19060 në 20238 përfituesve është bërë nga të dhënat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, të cilat gjenden në CD 3 dhe 4, e që kanë të bëjnë me personat që gjatë hetimeve në bazë të aplikacioneve të kontrolluara nga Prokurori, është konstatuar se kanë qenë pjesëtarë të UÇPMB-së, por, për të cilët nuk ka të dhëna në aplikacion se kanë qenë veteran luftëtar të UÇK-së, siç është përcaktuar me Ligj, gjithashtu janë vënë në listë edhe përfituesit, aplikacionet e të cilave janë plotësuar dhe nënshkruar nga i njëjti dorëshkrim.

Image
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se, rasti i veteranëve është rasti më i ndërlikuar, sensitiv dhe kompleks që ka pasur sistemi i drejtësisë në Kosovë që nga pas lufta.

“Nëse i njëjti do të trajtohej në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje dhe në mënyrë profesionale do të zbulonte në dritë dyshimet për manipulime me listat e veteranëve jo vetëm në nivel të Komisionit Qeveritar por edhe në nivel të zonave operative nga ana e personave përgjegjës. Reagimet, kërcënimet dhe sharjet publike ndaj prokurorit Blakaj duhet parë si luftë speciale e individëve dhe grupeve të caktuara që interes parësor kanë dështimin e këtij rasti, dhe ndërrimin e kursit nga veteranët e rrejshëm tek z. Blakaj”, thotë Miftaraj për gazetën “Bota sot”.

Miftaraj: Blakaj po sulmohet padrejtësisht

Ai e quan të pakuptimtë ndryshimin e aktakuzës nga një prokuror tjetër.

“Është e pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike që për një aktakuzë të ndryshuar, plotësuar dhe ndryshuar nga një prokuror aktual në PSRK të sulmohet publikisht një prokuror që ka dhënë dorëheqje nga sistemi prokurorial dhe i cili nuk ka qasje në dosjen e dërguar në gjykatë. Ne këtë e shohim më tepër si sulm dhe gjykim publik jo vetëm ndaj personalitetit të ish- Prokurorit Blakaj, por më tepër si sulm dhe ndërhyrje direkte ndaj trupit gjykues që do të duhet ta trajtoj këtë lëndë dhe ndaj çdo prokurori apo gjykatësi që do të ketë guximin për të trajtuar raste të tilla në të ardhmen”, thekson ai.

“Në shtet si Kosova ku mungon llogaridhënia, me sistem të drejtësisë të brishtë, të politizuar dhe të një anshëm, mundësitë për të baltosur individë që mbrojnë profesionin dhe punën e tyre janë jashtëzakonisht të mëdha”, përfundon Ehat Miftaraj nga IKD-ja.

Burjani: Gjykata do ta ketë vështirë

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike në Kosovë, dhe analisti politik, Blerim Burjani, pohon se, kjo çështje është komplekse dhe shumë e paqartë nga vetë njerëzit e tillë.

“Shumë komandantë janë shfaqur, që ndonjëherë fitohet përshtypja janë pa ushtarë, por tash kanë dalë shumë komandantë të tillë dhe duhet të jenë real dhe të japin emrat njerëzve që kanë kontribute në luftë, andaj në mesin e veteranëve mund të ketë persona të shumtë që fare nuk kanë qenë në front apo në luftë, por janë futur emrat e tyre”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, ka shumë të tillë, e që Komisioni përveç emrave që ka marrë nga komandantët e zonave për gjëra të tjera nuk ka fare njohuri, andaj ka dalë edhe numri aq i madh i veteranëve.

“Tash Gjykata do të ketë të vështirë të gjejë të gjithë ata që kanë hyrë në listë në mënyra të shumta. Ka të përfshirë edhe lider të luftës në këtë temë, së paku kështu thuhet nga prokurorët. Ideja po dihet se është me marrë pensione, kurse një pjesë e madhe në lista, ekonomikisht qëndrojnë larg më mirë se qytetarët. Nuk ka fund kjo temë, gjykata dhe prokuroria duhet ta kryej punën e vet”, shton ai.

Burjani përgjegjësi thotë se duhet të mbajnë komandantët e Zonave.

“Komandantët e Zonave duhet të ofrojnë të dhëna të qarta dhe duhet të mbajnë përgjegjësi, nëse janë fryrë listat. Ata duhet të dinë se kush ishte në luftë e kush jo. Kjo çështje dhe hyrja në listë ka ndodhur në shumë dimensione, metoda apo forma të ndryshme”, përfundon Blerim Burjani.

Duhanaj: Publikimi i emrave, është shkelje e rëndë ligjore

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj pohon se, sipas deklaratave të ish- prokurorit të Prokurorisë Speciale Elez Blakaj, në lidhje me listat e veteranëve del të ketë dyshime të bazuara që, sipas tij, listës i janë shtuar edhe 2000 emra.

“Duke qenë se kjo gjë mund dhe duhet të faktohet dhe se ne nga periferia mund vetëm t'i interpretojmë pretendimet e palëve. Nga kjo del që pas dorëheqjes dhe largimit të z. Blakaj, dikush brenda sistemit prokurorial po synon ta diskreditoj atë si dhe punën e bërë deri në hapjen e aktakuzës. Ajo që me bën mua të dyshoj, është se duke publikuar listat, së pari është shkelur ligji, pasi që çdo i akuzuar gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë derisa i njëjti, me vendim të Gjykatës shpallët fajtor”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, deri në këtë aktvendim i akuzuari, kushdo qoftë ai sipas ligjit, konsiderohet i pafajshëm.

“Vetë publikimi i emrave, është shkelje e rëndë ligjore dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi! Në anën tjetër, nëse dikush, brenda listës, ka vendosur qëllimshëm emra të cilët mund të jenë të besueshëm si veteran atëherë për mendimin tim kjo ka vetëm një qëllim. Diskreditimin e z. Blakaj, para opinionit në mënyrë që edhe kjo çështje të bastardohet si çdo gjë në hapësirën e Kosovës”, përfundon Leon Duhanaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test