Opozita përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme - Bota Sot
Opozita përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme

Politika

E diel, 21 tetor 2018

Opozita përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 shtator 2018 Në ora: 21:07
Takimi Mustafa-Kurti

“LDK është e gatshme dhe e përgatitur çdoherë për zgjedhje. Të gjitha rrethanat racionale dërgojnë drejt zgjedhjeve te jashtëzakonshme, duke marre parasysh se kjo qeveri tanimë ka humbur legjitimitetin dhe besimin e popullit. E keni parë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës se kjo qeveri nuk ka numra as të mbajë seanca, e lëre më të marrin vendime të rëndësishme për këtë vend”, thotë anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Partitë opozitare ani pse nuk i kanë numrat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj, së fundi i kanë shtuar aktivitetet e tyre në teren.

E, shtimi i këtyre aktiviteteve po del të jetë me vetëm një qëllim: Përgatitja për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

Më e zëshmja në këtë drejtim deri më tani është treguar subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nuk ndalet së kërkuari zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nga LDK shprehen se partia e tyre është e gatshme dhe e përgatitur çdoherë për zgjedhje. Sipas tyre, të gjitha rrethanat racionale dërgojnë drejt zgjedhjeve te jashtëzakonshme, duke marre parasysh se kjo qeveri tanimë ka humbur legjitimitetin dhe besimin e popullit.

Ndërsa, njohësit e rrethanave politike në vend, konsiderojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë në dorën e PDK-së dhe nëse asaj i leverdisin, atëherë nesër do të kishim zgjedhje të parakohshme.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: LDK është e gatshme

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, thotë se partia e tij është e gatshme dhe e përgatitur për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gecaj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se të gjitha rrethanat racionale dërgojnë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke marre parasysh se kjo qeveri tanimë ka humbur legjitimitetin dhe besimin e popullit.

“LDK është e gatshme dhe e përgatitur çdoherë për zgjedhje. Të gjitha rrethanat racionale dërgojnë drejt zgjedhjeve te jashtëzakonshme, duke marre parasysh se kjo qeveri tanimë ka humbur legjitimitetin dhe besimin e popullit. E keni parë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës se kjo qeveri nuk ka numra as të mbajë seanca, e lëre më të marrin vendime të rëndësishme për këtë vend”, thotë anëtari i LDK-së.

Tutje, ai thotë se është mirë që partitë politike të ulen dhe në mënyrë të civilizuar të merren vesh për zgjedhje, e nëse nuk arrihet një gjë e tillë, Gecaj shton se partia e tij do t’i përdor mjetet institucionale për të përmbysur këtë qeveri.

“Ashtu siç edhe kanë theksuar shumë herë deri më tani zyrtarët e LDK-së, është mirë që partitë politike të ulen dhe në mënyrë të civilizuar të merren vesh për zgjedhje. Nëse jo, LDK do t’i përdor të gjitha mjetet institucionale për të përmbysur këtë qeveri dhe për ta nxjerr popullin nga kjo rrugë e pakrye”, ka përfunduar anëtari i LDK-së.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Zgjedhjet në dorën e PDK-së

Analisti tjetër politik, Faik Krasniqi, duke i komentuar aktivitetet e shtuara të partive opozitare në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk është në dorën e opozitës se kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, sepse siç  shprehet ai, kjo e fundit nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

“Opozita mund të zhvillojë aktivitete të shumta, por nuk është në dorën e saj se kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, sepse nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë në dorën e PDK-së dhe nëse asaj i leverdisin, atëherë nesër do të kishim zgjedhje”, ka thënë Krasniqi.  

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, ka theksuar se Kosovës i duhet një qeveri e shumicës shqiptare, dhe jo një Qeveri që shantazhohet nga pakica serbe.

“Sidoqoftë, do të ishte mirë që deri në dhjetor të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave, kur mblidhet Këshilli i Ministrave të BE-së për të votuar dhe pas votimit mund të shkohet në zgjedhje, sepse Kosovës i duhet një Qeveri e shumicës shqiptare, dhe jo një Qeveri që shantazhohet nga pakica serbe, respektivisht Beogradi”, ka theksuar analisti politik, Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Kujtojmë se subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi është deklaruar se po ndjek me shumë kujdes debatin dhe qëndrimet lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky subjekt vlerëson se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas verifikimit të legjitimitetit me anë të votës së qytetarëve të Kosovës në zgjedhje të parakohshme, meqë institucionet aktuale e kanë humbur fuqinë politike dhe legjitimitetin qytetar për ta drejtuar dhe për ta përfaqësuar Kosovën.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Vendi të shkoj në zgjedhje sa më shpejtë

Ndërsa, analisti tjetër politik, Nexhat Haziri, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vendi ndodhet në një krizë institucionale.

“Tani ne po flasim për një mosfunksionim të institucioneve të vendit, sidomos e Kuvendit, si institucioni më i lart ligjvënës në vend, dhe kjo paraqet një krizë institucionale e politike, sidomos tani kur është dëshmuar se askush nuk e ka shumicën parlamentare, as pozita e as opozita. Dhe po ashtu si faktor tjetër është opozita aktuale e cila është shumë e fuqishme jo vetëm për nga numrat në Kuvendin e Kosovës, por edhe me përballjen me iniciativat dhe keqqeverisjen e koalicionit PAN”, ka thënë Haziri.

Ai shton se duhet që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme sa më shpejtë.

“Andaj duke marrë parasysh të gjitha këto, vendin për ta nxjerrë nga kjo krizë institucionale që po ashtu rrjedhë nga mungesa e legjitimitetit dhe mungesa e moralit politik të koalicioni PAN, duhet që vendi të shkoj në zgjedhje sa më shpejtë”, ka shtuar ai.

Në fund, Haziri ka thënë se Kosovës i duhen institucione dhe lider me legjitimitet të plotë, sidomos në vazhdimin e dialogut me Serbinë, dhe, sipas tij, ky legjitimitet duhet të vije nga zgjedhjet e parakohshme.

“Natyrisht se tashmë opozita po e ka lexuar këtë fakt të kryer dhe se në ditët e ardhshme pritet që ti shtojë akoma më shumë veprimet e saja qoftë në Kuvend por edhe në teren në bashkëbisedim me qytetarët e vendit e që është një lloj para-fushatë për zgjedhjet e parakohshme. Pra për fund mendoj se Kosovës i duhen institucione dhe lider me legjitimitet të plotë, sidomos në vazhdimin e dialogut me Serbinë, dhe ky legjitimitet duhet të vije nga zgjedhjet e parakohshme”, ka përfunduar Haziri.

“Tani ne po flasim për një mosfunksionim të institucioneve të vendit, sidomos e Kuvendit, si institucioni më i lart ligjvënës në vend, dhe kjo paraqet një krizë institucionale e politike, sidomos tani kur është dëshmuar se askush nuk e ka shumicën parlamentare, as pozita e as opozita. Dhe po ashtu si faktor tjetër është opozita aktuale e cila është shumë e fuqishme jo vetëm për nga numrat në Kuvendin e Kosovës, por edhe me përballjen me iniciativat dhe keqqeverisjen e koalicionit PAN”, ka thënë Haziri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test