Nuk ka klane brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës - Bota Sot
Nuk ka klane brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës

Politika

E mërkurë, 17 tetor 2018

Nuk ka klane brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 tetor 2018 Në ora: 08:15
Sali Asllanaj

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sali Asllanaj, thotë se është e vështirë të gjendet diçka pozitive për tu vlerësuar te qeveria aktuale. Asllanaj në intervistën e dhënë për gazetën “Bota sot”, thotë se qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të mbahet mend vetëm për skandale.

Sa i përket partisë së tij, anëtari i LDK-së deklaron se subjekti i tij është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

Duke folur për idenë e korrigjimit të kufijve, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës thekson se kjo temë është shumë e ndejshme dhe me doza të mëdha të rrezikut. Ndërsa, shton se partia e tij është që të mbrohen këta kufij që ka dhe më të cilët është njohur ndërkombëtarisht.

“Bota sot”: Qeveria “Haradinaj” ka bërë një vit të qeverisjes së saj. Për ketë periudhë të kaluar si e vlerësoni punën e saj një vjeçare?

Sali Asllanaj: Është e vështirë të gjesh diçka për tu vlerësuar te kjo qeveri aktuale. Ashtu si është formuar më shumë shantazhe e arnime, ashtu edhe po e shtynë me të vetmin imperativ pushtetin. Ju mungon gjithçka nga njohurit për shtetin, më shumë lënë përshtypjen se qytetarët janë për ata, e jo e kundërta. Abuzohet me paranë publike si me qenë para të ndonjë shteti edhe atë armiqësor. E sulmojnë shtetin ligjor edhe ashtu të dobët në të gjitha drejtimet. Me një fjalë sot qeverisemi nga një klasë politike arrogante në ekstrem dhe ligjin e respektojnë aq sa u konvenon për privilegjet e veta dhe të akrabllakut të vet. Po punojmë shumë që kjo qeveri t’i ketë ditët e numëruara dhe të mbetët në arkivat e historisë si një qeverisje më e keqja e mundshme.

“Bota sot”: Për çka do të mbahet mend kjo qeveri?

Sali Asllanaj: Kjo qeveri do të mbahet mend për skandalet e panumërta, për shpërdorimin e parasë publike të formës si rasti i 53 milionëshit të “Bechtel-Enkes”, si qeveri me shumë ministra me aktakuza, me numër enormë të zëvendësministrave dhe si qeveri që klientelën politike e krijon me fryrjen e listave të veteranëve, e ku veteranët e vërtetë kanë mbetur në minorancë të dukshme.

“Bota sot”: Krerët e lartë të shtetit e fajësojnë opozitën se liberalizimi i vizave mund të shtyhet për faj të tyre deri në vitin 2020. Sa qëndron kjo?

Sali Asllanaj: Prej kësaj qeverie që duket se i ka humbur rruga në oborr, këto akuza mund të duken normale, sepse këta që udhëheqin tani me shtetin, nuk do të dëshironin opozitë fare. Do të vepronin lirshëm në një ambient që askush nuk i denoncon. Përndryshe, çdo qeveri normale do të duhej të ishte mirënjohëse kësaj opozite e cila përdorë vetëm mjetet demokratike dhe argumentet për luftën e vet politike.

“Bota sot”: Të flasim pak për subjektin tuaj, LDK-në. Sa është e përgatitur kjo parti për të shkuar në zgjedhje parakohshme?

Sali Asllanaj: Partitë serioze opozitare do të duhet gjithmonë të jenë të përgatitura për zgjedhje, e që mendoj që Lidhja Demokratike e Kosovës është parti serioze. Kur kësaj i shtohet edhe sondazhet e fundit ku LDK-në e rendisin dukshëm të parën, na bënë optimistë se në zgjedhjet e ardhshme do të qeverisim vendin me një shumicë të madhe.

“Bota sot”: Cili është disponimi i përgjithshëm brenda subjektit tuaj, pasi që mediet në vazhdimësi raportojnë se ekzistojnë klane të ndryshme. Cila është e vërteta?

Sali Asllanaj: Me përgjegjësi të plotë mund të them se nuk ka klane brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ka mendime të ndryshme dhe kjo është vlerë e Lidhjes Demokratike të Kosovës si partia më liberale në vend.

“Bota sot”: Kur pritet të mbahen zgjedhjet e brendshme të LDK-së?

Sali Asllanaj: Statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës parash që vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet e brendshme në LDK.

“Bota sot”: Në vazhdimësi partia juaj përmend se për Qeverinë Haradinaj do ta iniciojë një mocion mosbesimi. A mendoni se do të ketë sukses në këtë drejtim subjekti juaj dhe kur pritet të ndodh një gjë e tillë?

Sali Asllanaj: Jemi të bindur se ketë qeveri nuk do ta pres vitin e ri. Është edhe një numër i vogël i votave që na nevojiten për rrëzimin e Qeverisë. Besojmë se disa deputetë të koalicionit qeverisës, që janë të pakënaqur me ketë lloj qeverisje, do ta përkrahin mocionin.

“Bota sot”: Së fundi kanë nisur të avancojnë raportet me Lëvizjen Vetëvendosje? Si e vlerësoni ju ketë bashkëpunim?

Sali Asllanaj: Është i pashmangshëm bashkëpunimi mes partive opozitare. Në ketë aspekt edhe bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosjen është i natyrshëm dhe normal dhe se a do të arrihet në diçka tjetër me të madhe, të shohim.

“Bota sot”: Sa janë gjasat për një koalicion parazgjedhor?

Sali Asllanaj: Unë personalisht jam ithtar se në duhet të shkojmë vet në zgjedhje, sepse koalicionet parazgjedhore, në shumë raste nuk kanë dhënë efektet e pritshme. Megjithatë, kjo çështje u përket organeve të partisë që të vendosin.

“Bota sot”: Kalojmë te krye tema e muajve të fundit, “korrigjimi i kufijve”, ide kjo e presidentit Hashim Thaçi. Cili është opinion juaj lidhur me ketë çështje?

Sali Asllanaj: Është çështje shumë e ndejshme dhe me doza të mëdha të rrezikut se përndryshe integrimi i Luginës së Preshevës në kuadër të Kosovës, për mua është shumë i dëshirueshëm. Dyshojë që një gjë e tillë mund të arrihet me bisedime.

“Bota sot”: A ka ndryshuar qëndrimi i LDK-së për ketë nismë?

Sali Asllanaj: Jo, nuk ka ndryshuar. Lidhja Demokratike e Kosovës është që të mbrohen këta kufij që ka dhe më të cilët është njohur Kosova ndërkombëtarisht dhe konsiderojmë se cenimi i kufijve është cenim i shtetësisë së Kosovës.

“Bota sot”: Kush duhet ta udhëheqë dialogun final mes Kosovës e Serbisë?

Sali Asllanaj: Dialogun duhet ta udhëheqë një qeveri që ka legjitimitetin e plotë. Ose thënë ndryshe një qeveri e cila ka mbështetjen e shumicës shqiptare në Parlament.

“Bota sot”: A ka LDK-ja një emër që thotë se ky person duhet ta udhëheq dialogun?

Sali Asllanaj: Lidhja Demokratike e Kosovës nuk merret me emra te përveçëm. Duhet një gjithë-përfshirje sa më e madhe që do të reflektonte me dy të tretat (2/3) në Parlament.

“Bota sot”: A do të kandidoni përsëri për kryetar të Suharekës?

Sali Asllanaj: Jo..

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test