Rrezik nga shpërthimi i konflikteve të reja të armatosura në Ballkan, BE shpëtimi - Bota Sot
Rrezik nga shpërthimi i konflikteve të reja të armatosura në Ballkan, BE shpëtimi

Politika

E mërkurë, 17 tetor 2018

Rrezik nga shpërthimi i konflikteve të reja të armatosura në Ballkan, BE shpëtimi

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 tetor 2018 Në ora: 20:56
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ditë më parë ka kërkuar nga  Bashkimi Evropian që të tregojë seriozitet sa i përket çështjes së Ballkanit Perëndimor.

Për më tepër, ai është shprehur se në këtë rajon të Ballkanit mund të ri ndizet përsëri një konflikt i njëjtë me atë të viteve 90-ta.

“Nëse në këtë peizazh shumë kompleks të Evropës nëse krijojmë përshtypjen se nuk jemi serioz në lidhje me perspektiven evropiane dhe pranimin e Ballkanit Perëndimor në BE, më vonë ose ndoshta edhe më herët, do të përjetojmë atë që ndodhi në Ballkan në vitet 1990”, ka deklaruar Juncker në fjalimin e tij të mbajtur në një organizim të quajtur “Për një Evropë Politike Botërore”, raporton gazeta gjermane ‘Die Presse’.

Kjo deklaratë e presidentit Juncker po konsiderohet si e arsyeshme duke parë marrëdhëniet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aq më tepër kur në diskutim është vënë edhe propozimi për korrigjim të kufijve.

Haziri: Deklarata e Juncker e arsyeshme

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri e ka quajtur deklaratën e presidentit Juncker të arsyeshme duke parë situatën e krijuar në vendet e Ballkanit.

“Është një shqetësim i arsyeshëm i presidenti të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, sidomos tani pas dështimit të referendumit të 30 shtatorit në Maqedoni për marrëveshjen me Greqinë lidhur me ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Ngecja apo vështirësitë që janë shfaqur lidhur me vazhdimin e dialogut të fazës finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një Mal I zi me një stabilitet të lëkundshëm politik si rezultat i mosmarrëveshjeve politike në mes qeverisë malazeze dhe opozitës serbe”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Për me tepër, ai ka shtuar se po shtohen zërat në Bruksel, se e vetmja mënyrë për ta evituar eskalimin e situatës në rajon, është që Ballkani ta ketë vëmendjen e Brukselit që ta bëjë pjesë të BE-së.

“Pra të gjithë këta faktor ndikojnë në rrezikun potencial që është në Ballkan për shpërthimin e ndonjë konflikti i cili do të në shpëntë në luftërat e përgjakura të viteve të 90-ta gjatë shpërbërjes së ish federatës jugosllave.  Andaj, çdo ditë e më shumë po shtohen zërat në Bruksel, se e vetmja mënyrë apo mjet sido që ta quani, për ta evituar eskalimin e situatës në rajon, është që  Ballkani  ta ketë vëmendjen e Brukselit dhe këmbënguljen e tij që këtë rajon ta bëjë pjesë të BE-së. Ndryshe, çdo zvogëlim të interesimit të Brukselit për Ballkanin, kjo zbritësi do të plotësohet nga Rusia e cila do të kërkoj destabilizimin e rajonit në mënyrë që disa nga shtetet ti fus nën ndikimin e saj”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Ballkani në rrezik

Kurse, për deklaratat të Juncker, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka deklaruar se paralajmërojnë rrezikun e shpërthimit të konflikteve të reja të armatosura në Ballkan, nëse shtetet në fjale nuk bëjnë më shumë dhe ma shpjet për anëtarësim në BE.

Image
Hajrullah Tërnava

Po ashtu, ai ka shpjeguar në detaje situatën e cila mbizotëron në shtetet e Ballkanit dhe lidhjet tyre ndërmjet veti, si dhe ndikimin serb dhe rus.

“Situata politike e Ballkanit edhe mbas këtyre viteve të luftërave të fundit që i patën, ende nuk është stabile dhe llogaritet e brishtë. Sidomos kjo vlen për ato republikat të  ish Jugosllavisë të cilat u shkëputen mbas luftërave që i patën, e sidomos si Bosnja e Hercegovina, Serbia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi. Shefi i komisionit Evropian, Jean-Claude Junker paralajmëron rrezikun e shpërthimit të konflikteve të reja të armatosura në Ballkan nëse shtetet në fjale nuk bëjnë më shumë dhe më shpjet për anëtarësim në BE. Angazhimet në këtë drejtim të anëtarësimit dhe pajtimit duhen të tregojnë të gjitha, e sidomos Serbia e cila në të gjitha konfliktet ishte shkaktarja  e gjitha të këqijave. Edhe faktori ndërkombëtar duhet të jetë më këmbëngulës dhe më koherent me afate më të shkurta në afat të anëtarësimit në BE dhe NATO”, ka shpjeguar Tërnava për “Bota sot”.

Ai ka thënë se tani Serbia bënë çmos të jetë në lidhje të ngushta me Rusinë si dhe bota e akuzon si fajtoren kryesore për luftërat që i ka bërë deri me tani, por megjithatë i jep mundësin që të anëtarësohet në NATO dhe në BE, por si kusht kërkon që ta njoh Pavarësinë e Kosovës.

Politikanët të mos bien pre e politikave ballkanike

Gjithashtu, Tërnava është shprehur i habitur si disa politikan shqiptarë bien pre e politikave Ballkanike.

“Serbia edhe si e tillë që është tani ka ndikim të madh edhe në politikat kosovare përmes Listës Serbe e sidomos nëse i lejohet asociacion ekzekutiv apo falja e veriut, atëherë lirisht mund të konstatohet se Kosova kurrë nuk do të jetë funksionale. Serbia duke i humbur të gjitha luftërat, e që për të gjitha luftërat që i ka fillua ishte vet fajtore, tani fajin dhe armiq kryesor i konsiderojnë Amerikën dhe BE përhirë të luftës  dhe kapitullimit të humbjes së Kosovës. Tani Serbia bënë çmos të jetë në lidhje të ngushta me Rusinë. Pavarësisht sjelljeve të Serbisë e cila nuk pajtohet me ato politika të deri tanishme, e që bota e akuzon si fajtoren kryesore për luftërat që i ka bërë deri me tani, por megjithatë ia len mundësin që të anëtarësohet në NATO dhe në BE, por si kusht kërkon që ta njoh Pavarësinë e Kosovës. Nëse e shikojmë në tërësi konfiguracioni Ballkanik për të cilat folëm deri tani, këto shtete nuk kufizohen askund me Rusinë, dhe shumë tjera shtete me afër Rusisë tani janë anëtare të NATO-se si Rumunia, Bullgaria, Ukraina etj, prandaj perspektiva dhe ecja e sigurt për një qetësi të përgjithshme e këtyre shteteve është NATO-ja dhe BE. Është për tu habitur si disa politikanë shqiptarë bien pre e politikave Ballkanike, dhe ende ndërtojnë iluzione se një shtete Ballkanik kishte me qenë i përshtatshëm për popujt tonë, sikur që e patëm na përvojën me Jugosllavinë,  që ajo përvojë  është e freskët për kombin tonë, që nëpër burgjet e Jugosllavisë ka pasur mbas shumti të burgosur politik shqiptar edhe që ishim kombi i tretë në Jugosllavi, asnjëherë nuk e patëm epitetin e kombit, e as që ishim Republikë, mirë është që politikanët tonë të ua shpjegojnë politikave të Shqipërisë”, ka shtuar Tërnava për “Bota sot”.

Tërnava: Anëtarësimi në NATO shpëtim

Po ashtu,  ai e sheh si shpëtim të kombit e sheh anëtarësimin në NATO dhe BE, në mënyrë që të jetojnë në një bashkësi pa kufijve.

“Dhe ky popull mos të bien pre e politikave Ballkanike sikur që po vërehet shpesh në biseda të përafërta që po insiston Serbia për krijimin e një Konfederate Ballkanike apo Federate të tillë ku edhe Shqipëria do të ishte në kufij të këtij shteti në perspektivë. Perspektiva e të gjithë shqiptareve në këto rrethana është që sa më parë t`i plotësojnë kushtet dhe të anëtarësohen në NATO dhe BE, ky është shpëtimi i kombit tonë ku do të jetojmë në një bashkësi pa kufij në zhvillim e sipër dhe viteve të ardhshme të konsolidohemi dhe të ecim në hap me kohën dhe të miqve tonë tani të certifikuar për kombin tonë”, ka përfunduar Tërnava për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test