Thaçin e pret dimri i vetmisë së madhe, rezoluta e pozitës do të dështojë - Bota Sot
Thaçin e pret dimri i vetmisë së madhe, rezoluta e pozitës do të dështojë

Politika

E mërkurë, 17 tetor 2018

Thaçin e pret dimri i vetmisë së madhe, rezoluta e pozitës do të dështojë

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 8 tetor 2018 Në ora: 08:06
Hashim Thaçi, foto ilustrim nga Bota sot

Partitë politike në pushtet përmes një rezolute, të cilën synojnë ta miratojnë në parlament, duan që të hartojnë një platformë të përbashkët lidhur me dialogun me Serbinë. Të shtunën kryetari i kuvendit Kadri Veseli, takoi kryeministrin Haradinaj dhe zëvendësit e tij, Enver Hoxhaj, Dardan Gashi dhe Fatmir Limaj. Një draft rezolutë e hartuar nga partitë në pushtet, pas takimeve të së shtunës, doli në medie, ku thuhet se: "Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht obligative, përmes së cilës do të ndodhë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Rezoluta përmban gjashtë pika, ku në fund thuhet: "Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoriteti suprem, i cili do të ratifikojë marrëveshjen ligjore ndërkombëtarisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kuvendi i Kosovës me votat e dy të tretave të deputetëve, ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: Territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake”. Pa përfunduar takimet dhe pa u zyrtarizuar akoma rezoluta e partive në pushtet, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për medie, ftoi partitë politike ato në pushtet dhe opozitë, që të miratojnë një platformë të përbashkët për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

"Ftoj të gjitha partitë politike kosovare të pozitës dhe opozitës të bashkohen rreth një platforme, një qëllimi, të miratojnë një platformë të përbashkët dhe të marrin pjesë të gjithë pa dallim në këtë proces. Interesi i përbashkët i Kosovës mbrohet dhe avancohet vetëm me pjesëmarrje të përgjegjshme, konstruktive në procesin e dialogut në Bruksel dhe jo duke tentuar që të minojnë përpjekjet për të arritur marrëveshje paqësore Kosovë-Serbi ligjërisht të obligueshme në rrafshin ndërkombëtar, por edhe që nënkupton njohjen reciproke”, tha Presidenti Thaçi.

Bazuar në këtë rezolutë lindin dyshime se Kryeministri Ramush Haradinaj mund të bëj të njëjtën “lojë” sikurse me demarkacionin me Malin e zi, ku e ndryshoi qëndrimin e tij për votimin e marrëveshjes pas një aneksi që ju shtua asaj, e që u vlerësua se i njëjti nuk do të ketë asnjë vlerë juridike.

Futja e “territorit”, në pikën gjashtë të draftrezolutës së prezantuar të shtunën, sjellë dyshimin se Haradinaj bashkë me koalicionin qeverisës, mund të përkrahin idenë e presidentit Thaçi për ndryshim kufijsh, ndonëse më herët u shfaqën kategorik kundër.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një reagimi në profilin e tij të Facebook-ut, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, në ndërmarrjen e tij me Serbinë për "kompromis të dhimbshëm" mbi Kosovën, nuk ka mandat nga Kuvendi, pasi siç thotë ai e ka popullin kundër.

Kurti: Hashim Thaçi Është i vetmuar, e ka popullin kundër

Në komentin e titulluar “Dimri i vetmisë së madhe”, ai ka thënë se Thaçi medoemos synon një letër nga Kuvendi, një dokument nga Kuvendi, rezolutë apo çka do qoftë ajo, që mandej të vrapojë te Vuçiqi në Bruksel.

“Dihet që Thaçi në ndërmarrjen e tij me Serbinë për "kompromis të dhimbshëm" mbi Kosovën, nuk ka mandat nga Kuvendi dhe e ka popullin kundër. Madje, ai nuk ka as platformë me parime për negociata dhe as ekip negociator. Është i vetmuar. Kështu duhet të ngelet, sepse vetëm kësisoj nuk do të ngjajë ai "kompromisi i dhimbshëm" i paralajmëruar. Thaçi medoemos synon një letër nga Kuvendi, një dokument nga Kuvendi, rezolutë apo çkado qoftë ajo, që mandej të vrapojë te Vuçiqi në Bruksel”, është shprehur Kurti.

Sipas të parit të LVV-së, vështirë se ka mbetur ndonjë rezolutë e Kuvendit pa e shkelur Thaçi si kryeministër apo president.

“Pse do të ishte ndryshe me rezolutën e ardhshme?! Thaçi do rezolutë pikërisht që të mund ta shkelë atë! Nëse "ligji është si llastiku", rezoluta është aq më tepër e tillë. Kuvendi që njëmend mbron republikën e demokracinë do t'i bënte rezolutë denoncuese e kundërshtuese Thaçit për shkeljet që ai bëri këtë verë, e jo për vazhdimin e tyre në vjeshtë e dimër. Prandaj, shumë më e fuqishme është mungesa e rezolutës sesa ndonjë rezolutë e fuqishme”, është shprehur ai.

Për më tepër, Kurti ka thënë se pas protestës së 29 shtatorit, Thaçi nuk mund të bëjë marrëveshje me Vuçiqin.

“Kuvendi nuk duhet ta ndihmojë Thaçin me rezolutën që ai do ta bëjë llastik. Populli është me opozitën. Ai nuk i nënshtrohet një njeriu. Duhet të qëndrojmë. Dhe, Thaçin e pret dimri i vetmisë së madhe, pa një rezolutë që do shërbente si dhjami për arushën. Ndërkaq, për neve vjen pranvera, e cila nuk e pret dimrin të mbarojë. Kush qëndron, fiton”, ka përfunduar Kurti.

Lidhur me këtë çështje, gazeta “Bota sot” ka biseduar me deputetë dhe analistë politik..

Zgjedhjet para vazhdimit të dialogut

Image
Imet Rrahmani

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani lidhur me këtë çështje, ka thënë për gazetën “Bota sot” se, rezoluta e qeverisë është e njëjtë me atë të opozitës.

Tutje, Rrahmani ka shtuar se zgjedhjet e mundshme mund të ulin tensionet dhe të vazhdohet pastaj me dialogun.

“Nuk e di çka do të bëjnë individ të caktuar, por që politika kosovare ka nevojë për platformë për dialogu kjo është më se e qartë! Platforma duhet të unifikoj të gjithë. Ne mendojmë se zgjedhjet para vazhdimit të dialogut mund të ulin tensionet dhe të zvogëlojnë dallimet. Përndryshe në këtë mjegull që është krijuar me qëllim askush nuk ka besim se dialogu do të shkoj më tutje as me përkrahjen e partnerëve dhe miqve. Propozimi i një rezolute që në esencë ka të njëjtin objektiv sikur rezoluta e opozitës, në kohën kur nuk po lejohet mbajtja e seancës së jashtëzakonshme vetëm pse është thirrur nga opozita, flet se pushteti po mundohet me lojëra politike të ulëta ta minimizoj nevojën për zgjedhje”, ka përfunduar deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani.

Abazi: Rezoluta e pozitës, tentim për të mbuluar dështimin e madh të Hashim Thaçit

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi ka thënë për gazetën “Bota sot” se, Haradinaj ka hipur në anijen që po fundoset, duke e vazhduar jetën e një njeriu qe i ka sjellë vendit shumë dhimbje, duke aluduar në Presidentin Thaçi.

Image
Haki Abazi

“E gjithë kjo periudhë e qeverisjes dhe fazë e lojërave është një mashtrim i madh dhe një vazhdimësi në rrugën pa krye. Gjithçka që kanë bërë ky grup i njerëzve që sot po e mbajnë pushtetin pa legjitimitet dhe me forcë e shantazh është degradim gradual. Rezoluta e pozitës është tentim për të larguar vëmendjen e qytetarëve dhe sikur po duan të mbulojnë dështimin e madh të Hashim Thaçit në idetë e tij të krisura që nuk i ka pranuar askush as në vend e as në bashkësinë ndërkombëtare. Haradinaj ka hipur në anijen që po fundoset, ai në një formë ose tjetër është duke e vazhduar jetën e një njeriu qe i ka sjellë vendit shumë dhimbje, shumë dështime, shumë izolim dhe aftësia e tij e vetëm është mashtrimi dhe pazaret pas skenave” ka thënë ai.

Abazi gjithashtu ka shtuar se, sa më shpejtë që ky kuadër poltik largohet nga skena politike aq më i shpejtë do të bëhet zhvillimi i vendit.

“Këtu vetëm zhvillim nuk ka dhe për të ikur përgjegjësisë për mos zhvillim e për të vazhduar pasurinë e tyre dhe klaneve të tyre ata prodhojnë kriza. Kostoja më e madhe është izolimi i vendit dhe varfërimi i vendit. Në këto skenare çdo gjë është e mundur dhe kjo është arsyeja që opozita dhe qytetarët nuk duhen mashtruar me këto eskivime politike që po bëhen. Sa më shpejtë që ky kuadër politik largohet nga skena politike aq më i shpejtë do të bëhet zhvillimi i vendit dhe integrimet euroatlantike do të bëhen të mundura. Sot këta njerëz janë peng i të këqijave që kanë bërë dhe Listës srpska, nuk ka se si të jetë më keq se kjo situatë ku gjendet shteti dhe vendi në këtë momente” ka përfunduar Haki Abazi.

Haradinaj do të përsëris situatën e demarkacionit me Malin e Zi

Image
Ali Hertica

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Ali Hertica, ka thënë për gazetën “Bota sot” se, nuk duhet të kemi besim tek kryeministri Haradinaj sepse edhe vetë Haradinaj thoshte se nuk do ketë demarkacion, se kufiri është në Zhlep dhe Çakor, por ndodhi e kundërta.

“Derisa kryeministri Ramush Haradinaj refuzon lëvizjen e kufijve me Serbinë, në secilën formë, Presidenti Hashim Thaçi, thotë se idenë e tij për korrigjim kufijsh do realizohet  ndërsa kryeministri kosovar gjithashtu ka thënë se ai preferon të jetojë në paqe dhe jo të kthente tragjeditë e së kaluarës, një gjë e cila sipas tij do të ndodhte me një marrëveshje sipas idesë së Thaçit. Haradinaj ka deklaruar se është kundër idesë së shkëmbimit, ai mbështetë përkushtimin e Kosovës në dialog dhe përpjekjet e Thaçit për të arritur një zgjidhje të mundshme. Mirëpo nuk duhet të kemi  besim tek Haradinaj për këto deklarata që i ka thënë se nuk do ketë korrigjim kufijsh sepse edhe vet Haradinaj thoshte se nuk do ketë demarkacion por kufiri është në Zhlep dhe Çakorr ,por ndodhi e kundërta, kështu që ka humbur besimi tek liderët kosovar “ ka thënë ai

Tutje, Hertica ka shtuar se liderët e Kosovës po luajnë rolin e gjelave duke u thirrur në patriotizëm por po del e kundërta.

“Në këtë mënyrë, rezoluta e pikës së 6 do hap edhe zyrtarisht mundësinë që dikush të arrijë marrëveshje dhe për territorin dhe të njëjtën ta procedojë në parlament, ku duhen pastaj 2/3 e deputetëve për t’u miratuar, është një dokument shumë i rëndësishëm për procesin e integrimit ... në BE mund të happen kur të përmbushen më mirë kriteret,kështu që tani liderët kosovar thujse po luajn lojërat e gjelave duke u thirrur në patriotizëm por po del e kundërta dhe do ti bëhen votat Thaçit nga Haradinaj për korrigjimin e kufirit me Serbinë që do jetë një lojë e dhimbshme” ka përfunduar Ali Hertica.

A do ta përkrahë PSD’ja rezolutën e propozuar nga Kadri Veseli?

Partia e Shpend Ahmetit ende nuk e ka thënë asnjë fjalë rreth propozimit të Draft-Rezolutës nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Kjo parti ka thënë se të hënën do të mbajë mbledhje të kryesisë për të dalë me një qëndrim rreth. Ndërsa LDK e Vetëvendosje menjëherë pas propozimit të kësaj rezolute, e kanë kundërshtuar.

Partia Socialdemokrate ende nuk e ka një qëndrim për këtë rezolutë, mirëpo pritet që të hënën kjo parti të mbajë mbledhje të kryesisë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, kështu ka thënë për Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi.

Rezoluta e propozuar nga Veseli, e cila ka marrë bekimin edhe nga anëtarët e tjerë të Qeverisë do të diskutohet në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës në muajin dhjetor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test