Si po bie poshtë ideja “joshqiptare” e Thaçit - Bota Sot
Si po bie poshtë ideja “joshqiptare” e Thaçit

Politika

E mërkurë, 17 tetor 2018

Si po bie poshtë ideja “joshqiptare” e Thaçit

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 9 tetor 2018 Në ora: 11:38
Hashim Thaçi

"Siç po shihet me këtë qasje rreth ndryshimit të kufijve presidenti i Kosovës ka mbete i vetmuar, ka mbetur i ngujuar në folenë e qyqeve hu vetëm, pa e ndihmuar askush”, ka nënvizuar prof. dr. Binak Maxharraj.

Kthimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri që përdorimi i fjalës “korrigjim i kufijve” na ana e presidentit Thaçi të pakësohet.

Tani nga “korrigjim i kufijve” u konvertua në “korrigjim i lehtë i kufijve”.

Kjo sigurisht ngase një numër i madh personalitetesh dhe shtete të fuqishme botërore i dolën kundër.

I fundit ishte edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në fjalën e tij në OKB por edhe në Uashington, është shprehur kundër idesë së ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, që po cilësohet si një element i ri që ka dalë në bisedimet finale ndërmjet tyre.

“Besoj se ka pasur një debat të gjerë dhe natyrisht edhe interpretime apo spekulime nga më të ndryshmet. Ndaj kam thënë që në rastin më të mirë kjo është humbje kohe, kjo tema e ndryshimit të kufijve. Në rastin më të keq na rrezikon që të rihapim “Kutinë e Pandorës” në Ballkan”, është shprehur ai gjatë një interviste për voa.

Gazeta “Bota sot” ka biseduar me publicistë, të cilët kanë shprehur qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje.

Kabashi: Ideja e “korrigjimit të kufijve” , ide e kamotshme serbomadhe për zhbërjen e hapësirës jetësore të kombit shqiptar.

Publicisti i njohur Bajram Kabashi ka thënë për “Bota sot” ka thënë se, presidenti i vendit po vepron prapa shpinës së kombit shqiptar në Kosovë dhe të institucioneve të shtetit, duke dalë me apo pa vetëdije në favor të një shteti tjetër.

"Ideja e Thaçit" për "korrigjim" kufijsh, nuk ka qenë kurrë ide e një shqiptari, e as ide e një politikani e burrështetasi të mirëfilltë të Kosovës. Kjo, në të vërtetë ka qenë dhe mbetët një ide e kamotshme serbomadhe për zhbërjen e hapësirës jetësore të kombit shqiptar. Dihet historikisht se sa herë që serbomëdhenjtë kanë bërë "korrigjime" apo "krasitje" të tilla me luftë apo me "paqe" ndaj territorit të kombit shqiptar, në realitet e kanë lënë një "pykë",-sherr tjetër, për ta shfrytëzuar në momentin më të volitshëm për ta në mënyrë që të vazhdojnë me "korrigjime të tjera" deri në zhbërjen definitive të hapësirës jetësore të kombit shqiptar. Pjesës së pyetjes se, "a po bije "poshtë" ideja joshqiptare e Thaçit, mund t'i përgjigjem kështu që ajo "ide" është e mëkatshme vetëm po të shqiptohet, se lëre më të bëhet propagandë për të, siç bënë "presidenti", si të ishte pjesë e presidencës së Serbisë. Popujt e mençur edhe kur i humbin territoret me luftë , nuk pajtohen me humbjen , e Hashim Thaçi me "dorën e vet" dhe pa e pyetur askënd , do të çmendet për t'ia dhënë pjesët e veriut vendit Serbisë , që asaj kurrë nuk i kanë takuar” ka thënë ai.

Image
Bajram Kabashi

Në fund Kabashi ka thënë se presidenti Thaçi, po të kishte vetëm pak ndërgjegje njeriu e ndërgjegje kombëtare, do të duhej të largohej pa e larguar të tjerët.

“Hashim Thaçi e ka humbur besimin e popullit të Kosovës me sjelljet e tija çmendurake shtet zhbërës këta muajt e fundit ... Ai ka punuar prapa shpinës së kombit shqiptar në Kosovë dhe të institucioneve të shtetit , duke dalë me apo pa vetëdije në favor të një shteti tjetër. Ai do të duhej të ishte qytetari më lojal dhe më i përgjegjshëm i Republikës së Kosovës si president që është , e se a e ka humbur "partneritetin me Shqipërinë" nuk është aq me rëndësi, kur atë e ka humbur me qytetarët e vendit të vet ! Kjo që ka bërë ai nga pozita më e lartë e shtetit është një fatkeqësi e vërtetë kombëtare, është veprimi më antikushtetues i mundshëm i tij. Po të kishte vetëm pak ndërgjegje njeriu e ndërgjegje kombëtare, ai do të duhej të largohej pa e larguar të tjerët” ka përfunduar Bajram Kabashi.

“Loja e Gjarprit”

Publicisti tjetër, Binak Maxharraj, në një bisedë me gazetën “Bota sot” ka thënë se, karriera e Thaçit po ikën në humnerë.

“Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tanimë është njeri i harxhuar, e ka hëngër koha. Ai veç po sillet rreth mullarit të vetë. Duket si njeri i hutuar, karriera e tij po ikën në humnerë. Ai në paraqitjet e tij është konfuz, i paqartë, djallëzor, konfliktuoz me vetveten. Thjeshtë ky njeri nuk dinë as se çka dëshiron. Nuk i pret sakica në një vend, hynë në mal pa sakicë, e atje në mal e hupe krejt rrugën. Ky njeri që nga viti 2011 bisedon me Serbinë, bënë dialog me të për çështje të ndryshme, gjoja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në ato biseda ishte krejtësisht inferiori papërgatitur, që rezultoi me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën siç janë demarkacioni me Malin e Zi, ku për fajin e tij Kosova humbi mbi 8200 hektar tokë më 2013 e nënshkroi marrëveshje edhe më të rrezikshme për krijimin AKS me kompetenca ekzekutive, të cilën Kushtetuesja e hodhi poshtë me 23 nene” ka thënë ai.

Maxharraj: Thaçi si Don Kishoti

Tutje Maxharraj e ka krahasuar Presidentin Thaçi me “Don Kishotin”, duke treguar për të bëmat e tij.

Image
Binak Maxharraj

“Por Thaçi nuk ndalet me kaq, e uzurpoi edhe vazhdimin final të dialogut me Serbinë, pa pëlqimin e Parlamentit dhe konsensusin ndërpartiak. Shkoi atje si një Don Kishot i vetmuar. Shkoj atje për të dialoguar për një marrëveshje historike siç thotë ai për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. E bënë këtë ani pse Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin në Kosovë, kjo i bije sikur dëshiron me ja fal të gjitha këto. Thotë se për të arritur deri te finalja do të bëjmë kompromise të dhembshme. Qe tre muaj e me tepër në krye në vete e hapi edhe çështjen e kufijve, ku herë thotë për ndarje, shkëmbim e herë korrigjim. Si duket presidenti e ka prekur çështjen më të rrezikshme në Ballkan, ndryshimin e kufijve midis Serbisë edhe Kosovës,apo edhe këmbim të territoreve. Herë e thotë njërën e herë tjetrën, e prapë nga fillimi. Dihet se Serbia se për çka është e interesuar, gati qe një shekull. Ajo është e interesuar ta marr Veriun e Kosovës, pjesën pa të cilën Kosova nuk ka jetë”, është shprehur ai.

Për Maxharrajn, të ja heqësh veriun Kosovës, është njësoj si të ja heqësh njeriut kokën.

“Dhe kjo doli e vërtetë kur haptazi kryeministrja e Serbisë Bernabiq deklaroi se na do ta njohim Kosovën nëse e marrim veriun, përndryshe s`ka njohje. Kjo tregon kur ai e hodhi në lojë çështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën sigurisht në këmbim me veriun, ani pse Thaçi këtë publikisht nuk e ka deklaruar, por kjo nënkupton vetvetiu se si është e mundur që Serbia e cila na ka vra e pre të jepe falas Luginën e Preshevës pa marre asgjë si këmbim” ka shtuar Maxharraj.

“Po ftohen marrëdhëniet me Shqipërinë, fajtor Thaçi”

Sipas tij, ideja për këmbimin e territoreve të Presidentit Thaçi nuk po has në mirëkuptim askund në qarqet perëndimore gjë të cilën e konsiderojnë si të rrezikshme për tërë Ballkanin, ani pse Thaçi i bënë qejfin vetes se e ka mbështetjen për këtë.

“Për çështjen e kufijve Thaçi nuk e ka përkrahjen nga askush de facto, nuk e ka përkrahjen as nga populli i vete i cili këto ditë masovikishte protestoi për këtë çështje, nuk e ka përkrahjen as të asnjë partie politike, bile këtë ide të tij e hedhë poshtë edhe partia e tij PDK,AAK në pushtet. Idenë për ndryshim të kufijve e kanë kundërshtuar edhe qendrat më të mëdha botërore, e sidomos ato evropiane. Për çështjen e ndryshimit të kufijve reagoi shumë ashpër edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta,i cili nga Uashingtoni i qoji fjalë Thaçit të mos luaj me kufijtë, sepse ata janë të shenjtë, kjo do të përbënte çelësin e hapjes së Kutisë së Pandorës në kuptimin më të keq të fjalës. Meta pastaj i drejtohet Thaçit se është e paimagjinueshme që dialogu Kosovë-Serbi të prodhoje Marrëveshje e cila do ti ndryshoj kufijtë në baza etnike. Siç po shihet me këtë qasje rreth ndryshimit të kufijve presidenti i Kosovës ka mbete i vetmuar, ka mbetë i ngujuar në folenë e qyqeve hu vetëm, pa e ndihmuar askush”, ka nënvizuar Maxharraj.

Më këtë qëndrim të tij Don Kishotesk, Maxharraj ka theksuar, se Presidenti Thaçi po e humbë partneritetin me shumë shtete të botës, ka mbete i izoluar, i ka ftohë marrëdhëniet edhe me Shqipërinë të cilat për këtë po keqësohen dita me ditë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test