Opozita kundër rezolutës që legjitimon Thaçin si drejtues të dialogut - Bota Sot
Opozita kundër rezolutës që legjitimon Thaçin si drejtues të dialogut

Politika

E premte, 19 tetor 2018

Opozita kundër rezolutës që legjitimon Thaçin si drejtues të dialogut

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 12 tetor 2018 Në ora: 08:26
Hashim Thaçi

“Prandaj LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë bërë mirë që e kanë injoruar këtë takim. Do të duhej ta injorojnë deri sa të marrin garanci dhe vendoset përfundimisht që Presidenti Thaçi nuk do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, në të kundërtën s'kanë arsye të marrin pjesë në takime të tilla”, thotë Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Kreu i Kuvendit Kadri Veseli, ka thirrur të mërkurën në një takim krerët e opozitës për të diskutuar për çështjen e Rezolutës për dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë takim përveç pozitës, kanë marrë pjesë edhe Partia Socialdemokrate dhe Alternativa, kurse e injoruan përsëri dy subjektet më të mëdha opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

I pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u bëri thirrje publike partive opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes që të marrin pjesë, për gjetjen e një gjuhe të përbashkët për Dialogun Kosovë-Serbi.

Pas takimit, Veseli ka thënë se janë pajtuar që duhet të ketë një qëndrim në raport me Serbinë, Kosova shtet i pavarur, sovran dhe me pushtet të unifikuar, ndërkohë që ka thënë se nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

Thirrja e dëshpëruar e Veselit

Veseli  u ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së që të bëhen bashkë në të mirë të Kosovës, ku ai ka thënë se duhet të jenë të bashkuar nëse interesi i Kosovës është mbi interesin e pushtetit apo kolltukëve të tyre.

“Kemi pasur një takim shumë konstruktiv. Më lejoni të theksoj se prej muajit maj kam bërë përpjekje të thërras kolegët e opozitës që të kemi takime të përbashkëta, ju kam dorëzuar edhe dokumente si propozime disa herë. Sot kemi qenë bashkërisht pikërisht për ta forcuar pozicionin e Kosovës  në dialog, Kosova duhet të jetë me një zë, Kosova duet të jetë me një qëndrim rreth pozicionit të vet me platformën e dialogut Kosovë-Serbi”. është shprehur ai.

Për më tepër, Veseli shtoi se, Kosova nuk duhet t’i lejoj Serbisë, përkatësisht Vuçiqit të tregojë forcë mbi ne, të tregojë lidership më shumë se ne dhe në të njëjtën kohë të tregojë partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, më shumë se Kosova që ka qenë tradicionalisht partnere e bashkësisë ndërkombëtare.

“Rezoluta të cilën e kemi propozuar përfshin gjithçka që opozita dhe pozita e ka folur, do të thotë janë të gjitha të përfshira. Në të njëjtën kohë më lejoni të theksoj që rezoluta e propozuar nga partnerët e koalicionit është një rezolutë e hapur nëse ka nevojë të futen edhe gjëra të cilat mund të jenë interes, mund të forcojnë qëndrimin tonë në ballafaqim me Serbinë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit ka pasur edhe një mesazh për LDK dhe Vetëvendosjen.

“Ne duhet të jemi bashkë, ne duhet të arrijmë konsensus nacional, është i pashmangshëm ky konsensus nacional, në mënyrën që në ballafaqimin final me Serbinë pa mëdyshje të del edhe më e fuqishme, e pavarur, sovrane, e pacenuar në asnjë centimetër të integritetit të vet, pa pretendime territoriale ndaj asnjë shteti, pa precedentë të krijuar negativ për kudo në botë ndonjë konflikt apo në ndonjë kufi të hapur të tyre, por Kosova shtet i pavarur, sovran, Kosova perëndimore dhe euroatlantike”, tha Veseli.

Sejdiu: Pa platformë shtetërore cila është detyra e z. Limaj?

Kurse, deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu, është shprehur se procesi i dialogut Kosovë Serbi nuk mund të vazhdojë përpara pa një konsensus në mes të partive politike në vend.

Sejdiu ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e PSD-së se konsensusi për platformën e dialogut duhet të bëhet në Kuvend. Kurse, ka potencuar se si parti do të marrin pjesë në çdo takim të thirrur për të diskutuar për dialogun me shtetin serb.

“Ky dokument është dokument,  i cili nuk plotëson kriterin minimal, e ajo është Kuvendi, përkrahja, konsensusi në Kuvend. Përmbajtja pa proces nuk garanton kurrgjë hiç, neve na duhet procesi në Kuvend, diskutimi në Kuvend, konsensusi në Kuvend, vota në Kuvend e më pastaj ekipi i cili atë platformë shtetërore të dakorduar din me implementua dhe dinë me e ruajt si pozicion i cili nuk lëviz si delegacion shtetëror. E para e punës, propozimi për z.Limaj ka ardhur në orën 7 në mbrëmje, një ditë para seancës së ftuar nga opozita. Pra, si vendim ka qenë vendim në dy drejtime i gabuar. E para, i ngutshëm, meqë ka krijuar situatë konflikti në mes pushtetit dhe opozitës, pra duke dashur me e rrëmbye seancën e opozitës dhe e dyta, unë nuk besoj në persona për të cilët nuk i di cilat janë detyrat e tij. Pra, pa platformë shtetërore cila është detyra e z. Limaj. Rrjedhimisht platforma shtetërore e dakorduar me konsensus në Kuvend më pastaj ekipi i cili mund ta zbatojë   atë platformë. Ndoshta personi më i mirë për këtë punë mund të jetë z. Limaj, por unë nuk besoj”, tha Sejdiu.

Rrjedhimisht, sipas tij vetëm Kuvendi mund të nxjerrë personin adekuat për të negociuar me shtetin serb.

Kusari-Lila: Mungesa e konsensusit qon në zgjedhje

Në anën tjetër, edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa e ka potencuar se duhet një konsensus në mes partive politike për dialogun me Serbinë.

Kusari ka thënë se nëse nuk arrihet ky konsensus vendi duhet të shkojë në zgjedhje, ndërsa fajtorë për gjendjen e krijuar në Kosovë e ka lënë kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, që ia ka lënë kryesimin e delegacionit në bisedime me Serbinë.

“Konsiderojmë se pavarësisht pozicionit pozitë-opozitës Kosova duhet të ketë një platformë shtetërore, e cila është unike dhe e dakorduar nga të gjithë spektri politik shqiptar. A e kemi këtë, nuk e kemi dhe konsiderojmë se gjithashtu nëse nuk arrihet një konsensus mes partive politike shqiptare, përfshi këtu edhe LVV dhe LDK atëherë me siguri se duhet të shkohet në zgjidhjen tjetër dhe kjo zgjidhje është zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë. Në situatën në të cilën ne gjendemi Kosova është e bllokuar në mos marrje të çfarëdo vendimi si rrjedhojë e mos marrjes së vendimeve në raport me dialogun me një proces tepër të ndejshëm për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës”, është shprehur kryetarja e Alternativës.

Për Mimoza Kusarin, ajo çfarë po ndodh në Kosovë është një bllokim i tërësishëm institucional, në të cilin pozita përmes Qeverisë i ka mekanizmat e ekzekutivit, por që fillimisht në situatën në të cilën është sot edhe Kuvendi i Kosovës përgjegjësinë kryesore e ka pozita.

“Mos të harrojmë se është kryeministri i vendit ai i cili është tërhequr nga pozicioni i marrjes së kryesimit të delegacionit kosovar duke thënë se këtë me vetë dëshire ia lë presidentit të vendit, i cili pa mandat dhe pa një platformë të qartë ka sjell vendin në një situatë ku krijohet një panik dhe një kaos i përgjithshëm”, tha ajo.

“Në publik kundërshtarë të Thaçit, në Kuvend e përkrahin me rezolutë”

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, thotë se presidentit Hashim Thaçi për negociatat nuk i duhet asgjë më shumë përveç një Rezolute nga Parlamenti i Kosovës.

Image
Avni Zogiani

Sipas tij, opinionit publik po i servohen mashtrime, pasi edhe partitë opozitare po e mundësojnë që Thaçi të vazhdojë me një Rezolutë në Parlament, që sipas tij ishte edhe propozim i një partie opozitare.

“Kryeministri Ramush Haradinaj dhe disa “kundërshtarë” të presidentit Hashim Thaçi nga opozita e kanë me hile. Asgjë më shumë nuk i duhet Thaçit në lidhje me negociatat, përveç një Rezolute, çfarëdo që të jetë ajo, nga Parlamenti i Kosovës! Një ekip uniteti siç e quajnë këta, do ta kryejë rolin që e kryjti kur ata shkuan në Bruksel për vizat, bëjnë foto e sillen korridoreve, ndërkohë që Thaçi e Vuçiq bëjnë negociata... kjo tashmë ka ndodhë dhe e dimë si do të shkojë. Në anën tjetër presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga Kushtetuesja që të bëjë interpretimin e një situate tjetër që mund të përdorët si precedent që i mundëson atij të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare me fuqi obligative”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, kushdo që mendon se duke bërë platformë për kontrollim të Thaçit po ia hedh opinionit publik, sipas tij, duhet ta kuptojë se koha ka me i dëshmua si vegla të tij.

“Hileja e Ramushit dhe disa liderëve opozitar qëndron këtu: Ata dalin në publik si kundërshtarë të Thaçit dhe negociatave të tij, por mundësojnë që ai të vazhdojë me një Rezolutë në Parlament... ky madje ka qenë edhe propozim i një prej partive opozitare kohë më parë, i përkrahur nga do figura të reja të politikës, që opinionit i shiten si kundërshtarë të Thaçit... Opinioni publik thjesht është duke e absorbuar këtë mashtrim sepse mediat janë duke e shfaqur kundërshtimin e tyre si të shkëputur nga fakti se këta po duan me ia dhënë vizën Thaçit në Parlament”, përfundon Zogiani.

Krasniqi: LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë bërë mirë që e kanë injoruar këtë takim

Analisti politik, Faik Krasniqi thotë se, janë shumë çështje me interes nacional që duhet t'i bëj bashkë pozitën dhe opozitën, sepse për atë punë janë votuar nga qytetarët e këtij vendi.

Image
Faik Krasniqi

“Liberalizimi i vizave, Ushtria dhe dialogu me Serbinë janë çështje me interes shtetëror dhe jetik për shtetin e Kosovës. Por është e pakuptimtë që opozita të bëhet pjesë e një takimi ku nga pozita kërkohet të votohet një Rezolutë për dialogun Kosovë-Serbi, kurse në anën tjetër PDK-ja ish partia e Presidentit Thaçi nuk distancohet nga ish lideri i saj me idetë e tij për ndarjen e Kosovës, apo korrigjimi i kufijve siç po e quan ai. Prandaj LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë bërë mirë që e kanë injoruar këtë takim. Do të duhej ta injorojnë deri sa të marrin garanci dhe vendoset përfundimisht që Presidenti Thaçi nuk do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, në të kundërtën s'kanë arsye të marrin pjesë në takime të tilla”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Në një postim në Facebook, shefi i Grupi parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se LDK-ja kishte propozuar një rezolutë në të cilën çështja e territoreve nuk duhej të ishte pjesë e dialogut. Si Lidhje Demokratike e Kosovës, për ta mbrojtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kemi propozuar Rezolutën me të cilën do të vendosnim vijën kryesore të kuqe në dialogun Kosovë-Serbi – territori i Kosovës të mos jetë pjesë e dialogut.

Ata që sot po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesor të përpjekjes tonë për ta mbrojtur shtetin.

Të tillët kanë dëshmuar tash e sa kohë se kurdo që ju nevojitet, e vejnë në pikëpyetje shtetësinë, pozitën ndërkombëtare dhe territorin e vendit. E kane filluar më 22 dhjetor të vitit të kaluar, e po vazhdojnë sot e gjithë ditën.

Të tillëve, jo që nuk duhet votuar rezolutën, por një orë e para duhet larguar nga pushteti.

Vetëm zgjedhjet i japin frymë demokracisë dhe institucioneve në vend. Çdo vonesë e bënë edhe më të paqartë të ardhmen tonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test