Hashim Thaçi në qorrsokak, “korrigjimi i kufijve” nuk gjen mbështetje - Bota Sot
Hashim Thaçi në qorrsokak, “korrigjimi i kufijve” nuk gjen mbështetje

Politika

Hashim Thaçi në qorrsokak, “korrigjimi i kufijve” nuk gjen mbështetje

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 tetor 2018 Në ora: 07:59
Faton Abdullahu, Haki Abazi dhe Jeton Kelmendi

“Largimi i Philips është dëshmi se Presidenti aktual po largohet nga këto koncepte gjeopolitike të cilat determinuan lindjen e shtetit tonë. Në këtë segment Hashim Thaçi i djeshëm do ta akuzonte Hashim Thaçin e sotëm për tradhti kombëtare dhe antiuesternizëm. Nëse lexohet me vëmendje arsyetimi i dorëheqjes së Phillips, ai ka bërë mu këtë akuzë ndaj presidentit aktual. I mbetet opozitës dhe të gjithë të tjerëve që do t’i bashkëngjitën kauzës së saj, ta mbrojnë Presidentin aktual nga vetja e tij dhe Kosovën nga Presidenti”, ka thënë Faton Abdullahu, politolog.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në pamundësi për të qenë figurë uniteti në Kosovë, me idenë e tij për “korrigjim të kufijve”, tashmë po e humb edhe përkrahjen e shteteve mike dhe miqve të tij.

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherësh këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga Hashim Thaçi, së fundi ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Arsyeja kryesore e kësaj dorëheqje, siç mësohet ka ardhur pasi ky i fundit, e kishte kundërshtuar fuqishëm idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar si alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

E, këtë dorëheqje, nuk e kanë lënë pa e komentuar edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Analistët politik konsiderojnë se kreu i shtetit në vazhdimësi ka përdorur njerëz për të arsyetuar veprimet e tija qëllimkëqija. Ata ndër tjerash, theksojnë se kjo dorëheqje është edhe një mesazh i fortë se populli duhet të bashkohet, deri në rrëzimin e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit.

Abazi: David Philips e ka kuptuar që Hashim Thaçi përdorë njerëz për të arsyetuar veprimet e veta qëllimkëqija

Analisti Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se tashmë edhe këshilltari David Philips e ka kuptuar që presidenti Hashim Thaçi përdorë njerëz për të arsyetuar veprimet e veta qëllimkëqija.

Abazi shton se, është vështirë të qëndrosh në të njëjtën hapësirë me presidentin Thaçi, pasi sipas tij, energjia negative e tij është e paparë dhe kjo bëhet evidente.

Image
Haki Abazi

“Më vjen mirë që këshilltari David Philips e ka kuptuar që Thaçi përdorë njerëz për të arsyetuar veprimet e veta qëllimkëqija dhe të dështuara. Nuk mendoj që do të duhej bërë këshilltarë në rend të parë. Ajo çfarë ka thënë Philips është ajo çka kanë thënë me dhjetëra njerëz dhe personalitete ndërkombëtare, përfshirë edhe disa që janë paguar”.

“Jam i bindur që së shpejti edhe Tony Blair dhe Ëolfgang Pettritsch do të bëjnë të njëjtën gjë. Ata jozyrtarit thonë si çuditshëm dhe me energji negative është Thaçi. Është vështirë të qëndrosh në të njëjtën hapësirë me të, energjia negative e tij është e paparë dhe kjo bëhet evidente shumë shpejtë. Mos harroni letrën e gjykatësit britanik, Richard May”, është shprehur Abazi.

Tutje, analisti politik shton se përreth Thaçit janë duke qëndruar njerëz që kanë përfitime financiare dhe shpërblime për servilitetin, ndër ta përmend edhe emrat e Baton Haxhiut, Blerim Shalës e Adi Nurellarit.

“Rreth Thaçit janë duke qëndruar njerëz që kanë përfitime financiare dhe shpërblime për servilitetin e tyre siç është puna e Baton Haxhiut, Maliqeve, Blerim Shalës e a Adi Nurellarit. Thaçi nuk ka asnjë këshilltarë me kredibilitet dhe që në mënyrë të pavarur e me njohuri mund ta këshillojë. Me qenë i sinqertë nuk e di nëse dikush mund ta këshillojë një njeri të pa marrun vesh sikur ai”.

Abdullahu: Hashim Thaçi i djeshëm do ta akuzonte Thaçin e sotëm për tradhti kombëtare

Edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, duke e komentuar dorëheqjen e David Philps, për gazetën “Bota sot”, deklaron se ata që e njohin veprimtarinë e këshilltarit, e dinë mirë se ai përveç që është njohës i mirë i rrethanave jo vetëm gjeopolitike në Ballkan, ai ishte për kohë të gjatë dhe në forma të ndryshme pjesë aktive dhe kreative e koncepteve euroatlantikë.

Abdullahu shton se, ish-këshilltari David Philips është produkt i kësaj mendësie gjeopolitike.

Image
Faton Abdullahu

“Ata që e njohin veprimtarinë e këshilltarit, studiuesit dhe diplomatit David Philips e dinë mirë se ai përveç që është njohës i mirë i rrethanave jo vetëm gjeopolitike në Ballkan, ai ishte për kohë të gjatë dhe në forma të ndryshme pjesë aktive dhe kreative e koncepteve euroatlantikë të administratës amerikane që pulsonin aktive si në administratën e Bushit ashtu edhe të Klintonit. Shteti i Kosovës është produkt i kësaj mendësie gjeopolitike të cilën Philips e ka mbrojtur dhe për të cilën është angazhuar gjatë dhe profesionalisht”, ka thënë Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik thekson se, largimi i ish-këshilltarit është dëshmi se presidenti aktual po largohet nga këto koncepte gjeopolitike, të cilat determinuan lindjen e shtetit.

“Largimi i Philips është dëshmi se Presidenti aktual po largohet nga këto koncepte gjeopolitike të cilat determinuan lindjen e shtetit tonë. Në këtë segment Hashim Thaçi i djeshëm do ta akuzonte Hashim Thaçin e sotëm për tradhti kombëtare dhe antiuesternizëm. Nëse lexohet me vëmendje arsyetimi i dorëheqjes së Phillips, ai ka bërë mu këtë akuzë ndaj presidentit aktual. I mbetet opozitës dhe të gjithë të tjerëve që do t’i bashkëngjitën kauzës së saj, ta mbrojnë Presidentin aktual nga vetja e tij dhe Kosovën nga Presidenti”, ka thënë në fund Abdullahu.

Kelmendi: Dorëheqja, sinjal i çartë se presidentit Thaçi e ka humbur rrugën

Ndërsa, profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se presidentit Hashim Thaçi i ka humbur rruga.

Sipas tij, kreu i shtetit ka shkelur kushtetutën në dy parime.

Image
Jeton Kelmendi

“Dorëheqja e David Philips është një sinjal i çartë se presidentit Hashim Thaçi e ka humbur rrugën. I ka humbur busulla dhe kilja e tij sot për sot është në Beograd, se si t’i shërbej Beogradit. Prandaj, është një mesazh shumë i qartë për qytetarët e Kosovës për shqiptarët në përgjithësi se orë e çast duhet ta shkarkojnë presidentin nga pozita e tij, sepse bëhet fjalë për një periudhë kur shefi i shtetit e qetë në pazar tokën e shtetit”, ka nënvizuar Kelmendi.

“Natyrisht ai e ka shkelur kushtetutën në dy parime. Në të parën kur parashihet në një mënyrë që presidenti paraqet unitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ka shkelur unitetin sepse çdo ditë sulmon kryeministrin, aleatin e vet dhe opozitën. Shkelje shumë më e madhe sepse e cenon edhe territorin e Kosovës, duke propozuar ndryshime kufijsh dhe pastaj me ato kopallat e presidentit që do ta marrim Luginën dhe nuk do të japim asgjë”, ka potencuar Kelmendi.

Krejt në fund, Kelmendi thekson se kjo dorëheqje është mesazh se duhet të bashkohemi deri në rrëzimin e tij nga pozita e presidentit.

“Kjo dorëheqje është mesazhi më i mirë dhe i fuqishëm që e kanë qytetarët e Kosovës. Edhe unë si profesor i shkencave politike jam i mendimit se duhet të bashkohen mbi një milion qytetarë deri në rrëzimin e tij nga pushteti dhe natyrisht edhe nxjerrjen e një presidenti të ri konsensual ose shkuarja në zgjedhje dhe pastaj të dal një president tjetër”, ka përfunduar Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Letra e dorëheqjes

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherësh këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë. Derisa, disa herë kishte kundërshtuar idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ka thënë se është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

Dorëheqjen e tij, siç mësohet, vije se nuk mund të marrë pjesë në një plan të propozuar për ndarje, që, siç thotë ai, ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e tij.

Kujtojmë se Phillips, është drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Yorkut.

Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, nën presidencën e Clintonit, Bushit dhe Obamës. Autori i “Liberating Kosovo: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-së”, Phillips punoi edhe me Ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnje dhe Kosovë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test