Edhe analisti politik, Faton Mehmeti, e ka komentuar dorëheqjen e David Philips, njëherësh ish-këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga presidenti Hashim Thaçi.
Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kjo dorëheqje po e vërteton se ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve është ide personale e tij, dhe sipas tij, ketë ide nuk po e mbështet askush përpos presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Tashmë po dalin në pah se ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve është ide personale e tij, që nuk e mbështet askush përpos Vuçiqit. Dorëheqja e këshilltarit të tij, David Philips shpreh më së miri rrezikun që i kanoset vendit nga ky njeri që fatkeqësisht është president. E gjithë kjo këmbëngulje e Thaçit për korrigjim të kufijve ka të bëjë thjeshtë me fatin e tij personale, me aludimin se një marrëveshje me Serbinë do të amnistonte Thaçin nga krimet dhe mekëtat e tija ndaj Kosovës. Por, çdo ditë e më tepër ky njeri po mbetet vetëm”, thotë Mehmeti.
Me tej, ai shton se presidenti Thaçi do i harxhoj të gjitha mundësitë, dhe nëse nuk gjen mbështetje askund, siç thotë analisti politik, ky i fundit do të inicioj rrëzimin e qeverisë.
“Thaçi do i harxhon të gjitha mundësitë, dhe nëse nuk gjen mbështetje askund do të inicioj rrëzimin e qeverisë,me idenë se vendi po stagnon. Kjo do i jepte atij mundësinë që të shtynë punën e Gjykatës Speciale. Thaçi dëshiron me çdo kusht të mbaj vendin në tension, pasi vetëm kështu është i mundur të mbetet në pushtet, dhe të mbeturit në pushtet i siguron atij amnisti. Pra e gjitha kjo ka të bëjë me fatin personal të një njeri, i cili pa të drejtë e ka lidhur fatin e tij personal me fatin e Kosovës”, ka shtuar ai.
Në fund, Mehmeti ka nënvizuar se kjo dorëheqje është edhe një sinjal se SHBA-ja nuk e mbështet Hashim Thaçin nga marrëzitë e tij.
“David Phillips tregoi më së miri për rrezikun që i kanoset vendit, andaj edhe dha dorëheqje. Ky është sinjal se SHBA-ja nuk e mbështet Thaçin nga marrëzitë e tija, dhe i cili po mbetet gjithnjë vetëm .Thaçi, ky Don Kishoti që po mbetet vetëm me Sancho Panchon alias Kadri Veselin”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”.