Njohjet e Kosovës të pakthyeshme, kërkohet përkushtim më i madh për arritjen e të rejave - Bota Sot
Njohjet e Kosovës të pakthyeshme, kërkohet përkushtim më i madh për arritjen e të rejave

Politika

E martë, 13 nëntor 2018

Njohjet e Kosovës të pakthyeshme, kërkohet përkushtim më i madh për arritjen e të rejave

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 tetor 2018 Në ora: 17:32
Ilustrim

Një ofensivë e vazhdueshme e shtetit serb për të siguruar më shumë “çnjohje” të Kosovës, po e vë në presion shtetin tonë që vend se të lobonte për njohje, po lobon për një defensivë nga shteti serb për t’i ruajtur njohjet që ka deri më tani.

Ministri i politikës së jashtme serbe, Ivica Daçiç, publikisht u shpreh se Serbia po punon me intensitet për të siguruar çnjohje të Kosovës, madje ka thënë se deri në fillim të vitit të ardhshëm, po punojnë që numri i njohjeve të Kosovës të bie nën 100.

Aktualisht Kosova numëron 116 shtete që e kanë njohur atë.

Zëvendësministrja e Kosovës i kundërpërgjigjet Ivica Daçiçit për njohjet

Zëvendësministrja e punëve të jashtme të Kosovës, Rejhan Vuniqi, në një prononcim për “Bota sot” i ka komentuar këto deklarata të Daçiç, duke thënë se janë kundërshtuar me sukses përpjekjet serbe për të revokuar njohjen e Kosovës në muajt e fundit.

Image
Rejhan Vuniqi

“Ne kemi kundërshtuar me sukses përpjekjet serbe për të revokuar njohjen e Kosovës në muajt e fundit dhe në të njëjtën mënyrë do të vazhdojmë të kundërpërgjigjemi ndaj përpjekjeve serbe që kanë synim për të dëmtuar qëndrimin e Kosovës ndërkombëtarisht. Pra, ne nuk komentojmë se çfarë thotë Dacic, por punojmë në terren me vendet për të forcuar angazhimin bilateral të Kosovës dhe pozitën e saj multilaterale. Ky është qëllimi ynë dhe puna vazhdon më tutje. Përgjigja më e mirë për deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Serbisë është ngritja e anëtarësimit të Kosovës si Anëtar i Asocuar në Frankofoni me konsensus, ku rreth 20 vende nuk e njohin Kosovën, por e mbështeten fuqishëm Kosovën. Ky është rezultat i punës personale të ministrit Pacolli dhe të shërbimit të jashtëm të Kosovës”, ka thënë Vuniqi.

Ajo më tutje tregon për angazhimet e Ministrisë së Jashtme në rrugën e procesit të njohjes së Kosovës.

“Ministria dhe Ministri personalisht janë plotësisht të angazhuar në procesin e njohjes së Kosovës. Asambleja e Përgjithshme e OKB ishte një platformë e mirë për të lobuar më tej, ku u takuan më shumë se 70 delegacione. Ne kemi vizituar disa vende që janë në proces të njohjes së Kosovës dhe disa prej tyre po finalizojnë procedurat e brendshme. Kur dhe si nuk do të jemi në gjendje të themi pasi është një çështje qe vendoset nga një qeveri tjetër dhe për të mbajtur diskrecionin e procesit. Por puna po bëhet drejtpërdrejt me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Njohja e Kosovës është një proces i pandalshëm. Gjeografia është globale. Vendet kanë të drejtën sovrane për të marrë vendime dhe ne jemi duke punuar me disa vende për të shpejtuar procesin. Ne jemi duke punuar me vendet që kanë për disa arsye hezitim për të njohur Kosovën, ndaj sfidat janë më të mëdha”, ka treguar Vuniqi për “Bota sot”.

Prof. Dr. Binak Maxharraj e ka komentuar për “Bota sot” deklaratën e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili haptas doli dhe tha që Serbia po punon që numri i shteteve që kanë njohur Kosovën, të bie nën 100.

Ideja për korrigjim kufijsh, po i ndihmon Daçiq-it që të lobojë kundër njohjes së Kosovës

Maxharraj thotë se, Daçiç po ndjek vijën e kasapit Millosheviq dhe se, Daqiç dhe Vuçiq, janë po ata që kanë krijuar probleme në Mitrovicën e Veriut dhe që të dy ende mbeten armiq të Kosovës. Ai thekson se ideja për korrigjim po i ndihmon Daçiçit të lobojë për “çnjohje”.

Image
Prof. Dr. Binak Maxharraj

“Ideja për korrigjim kufijsh, po i ndihmon Daçiçit që të loboj për çnjohje të Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq është njeriu i vijës së Slobodan Millosheviq. Ishte zëvendës i tij kur e shkatërruan ish Jugosllavinë me qellim për të krijuar Serbin e Madhe. Tashti ai e trashëgon Partinë Socialiste te Sllobodan Millosheviqit ku edhe është kryetar i saj. Ata gjatë luftërave vranë me qindra e mijëra civil, shkatërruan të gjithë infrastrukturën edhe ekonomin, depërtuan me miliona jashtë. Masakrat i vazhduan edhe në Kosovë, me ç’rast masakruan dhe vranë mbi 15 mijë kryesisht civil, përdhunuan mbi 20 mijë vajza, motrat dhe nenat tona, e bëri Kosovën tokë te djegur, derisa Kosova më ne fund u çlirua nga kthetrat e shovinizmit Serb. Qenia e Ivica Daçiqit prej krimineli nuk ka ndryshuar fare as sot e kësaj dite, ani pse dialogu me Hashim Thaçin për disa vite ai mbeti armiku kryesor I Kosovës se bashku me Aleksnder Vuçiqin. Këta as sot e kësaj dite nuk mund te pajtohen se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur. Nganjëherë mundohen të veshin petkun e demokratit, por në esencë janë çetnik, kriminel si atëherë kur vrisnin shqiptar, me ju ardhur rasti ata prapë vrasin dhe sakatojnë shqiptar. Që të dytë janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe qe 20 vite e këndej bëjnë çmos që ta pengojnë rrugëtimin e pavarësisë së Kosovës, çoftë duke krijuar problem ne veriun e Kosovës te cilin pothuaj se e kanë okupuar plotësisht, dhe tashti po e kërkojnë edhe ndarjen e saj, por këta shkojnë edhe me larg duke e penguar Kosovën ne anëtarësimin në Organizata te ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Maxharraj.

Mirëpo, profesori mendon se këto deklarata të Daçiç janë boshe dhe se, nuk ka diçka serioze në këtë drejtim. Ai kritikon ministrin e jashtme të Kosovës për mos punën e tij të duhur në aspektin diplomatik.

“Njëra ndër këto pengesa është edhe lobimi për mosnjohjen e Kosovës, bile duke shkuar edhe më larg se qe paguan për mosnjohje. Pos asaj qe ky njeriu trupulat po merret dhe po tenton që të loboj edhe te ato shtete labile për çnjohjen e Kosovës. Bile ai pa fije turpi deklaron se deri në fund të këtij viti do ta qojë çnjohjen e Kosovës nën 100 vende. Ani pse Ivica Daçiq lobon qe sa vite ai nuk ka arrijë të bëj ndonjë punë të madhe ne këtë drejtim. Këto janë vetëm deklarata boshe në këtë drejtim, sa për te qu mesazhe të vendet e ndryshme për situatën politike aspak stabile ne Kosovë. Situata politike në Kosovë është e brishtë dhe jo stabile, e cila edhe me tutje po shkon duke u përkeqësuar, sepse partitë politike për shkak te bajraktarizmit te tyre nuk po mund të merren vesh as “për një çorbë pule” e le ma për më shumë”, është shprehur Maxharraj.

Sipas tij, Qeveria është po ashtu jo stabile, me shumë defekte e skandale të ndryshme, e pa aftë të organizojë jetën shtetërore ne vend.

“Por, kësaj situate që Ivica Daçiq është ”trimëruar” për me ç’kapë njohjet po i kontribuojnë edhe aspekte, Aspekti i parë ka e bëjë me punën e dobët, të brishtë, jo organizative të Ministrisë së punëve te jashtme, e cila po ashtu ka brenda saj skandale diplomatike, por kjo Ministri në krye me Behgjet Pacollin. Nuk është e aftë, nuk ka sens të mjaftueshëm diplomatik për lobim me te dinjitetshëm për sjelljen e njohjeve te reja. Këtë më se miri e tregon fakti se në këto vitet e fundit gati së nuk kemi asnjë njohje te re. Ky është faji i jonë, i kësaj Ministrie e cila nuk angazhohet sa duhet”, ka thënë ai.

Maxharraj  ka shtuar se, rasti më i mirë u tregua këto ditë në Nju Jork, ku u mbajte Asambleja e Përgjithshme e OKB, ku u bënë shumë skandale te pa hijshme, që lanë një njollë të keqe në diplomacinë ndërkombëtare.

“Aspekti i dytë, që po ndikon në mosardhjen e njohjeve të reja, por edhe për tentimin e Ivica Daçiqit që të zbresë, reduktoj numrin e njohjeve po I kontribuon edhe politika destruktive e Presidentit të Kosovës, i cili ne vend se të jetë një president unifikues ai po bahet kohet e fundit përçarësi më i madh i skenës politike. Ideja e tij për copëtimin dhe korrigjimin e territorit po e përçanë edhe më shumë jetën politike në Kosovë. Në këtë ide këtë njeri nuk e përkrah askush, as vendoret as ndërkombëtaret, por e ka lidhë diku “çykën e vetë” dhe nuk po lëshon pe. Këtë ide ky po e shtjellon kudo qe arrijnë dhe mundë te shkojë, pa marr parasysh se a i pëlqen dikujt kjo apo jo. Me këtë ide Presidenti i Kosovës më shumë po qon mesazhe nëpër botë së diçka me këtë Kosovën tone nuk është ne rregull, prandaj edhe hezitojnë të na pranojnë, por ndoshta me insistimin e Ivica Daçiqit edhe të na çnjohin dhe shumë prej tyre ndoshta edhe pyesin si është e mundur që një shtet ta njoh Kosovën me këta kufij, kurse shteti tjetër me kufijtë tjerë që krijon paqartësi dhe konfuzitet në aspektin ardhjes se njohjeve te reja por edhe te çnjohjes në të cilin po insiston dhe lobon Ivica Daçiq”, është ka përfunduar ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test