Protestë gjithë-popullore për të “goditur” planin ogurzi kundër sovranitetit të Kosovës

Politika

Protestë gjithë-popullore për të “goditur” planin ogurzi kundër sovranitetit të Kosovës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 2 nëntor 2018 Në ora: 08:25
Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje e mbajtur më 29 Shtator

“Tani është koha e fundit të dëgjohet zëri i qytetarit dhe i sovranit për shtetësinë dhe politikën e gabuar të njerëzve të cilët kanë në egon e tyre historikun e së ardhmes personale pa pasur platformë politike. Andaj të thirret një protestë gjithë popullore, ku kjo do të jetë një goditje e fortë e këtij plani ogurzi për politikën dhe sovranin e Kosovës”, thotë analisti Ali Hertica.

Hera e fundit kur sheshet e kryeqytetit u mbushen plot njerëz ishte 29 Shtatori, ditë kjo kur partia e dytë më e madhe opozitare Lëvizja Vetëvendosje, organizoi protestë masive për të kundërshtuar idenë e presidentit Thaçi në lidhje me korrigjimin e kufijve.

Protesta me slogan “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu” ishte një test i madh për këtë subjekt politik pas ndarjes në dy pjesë.

Ndërsa, protestën nuk e përkrahën partitë e tjera opozitare, si Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa, me përjashtim të Vjosa Osmanit dhe Haxhi Avdylit, të dy nga radhët e LDK-së.

Në ditët kur në Kosovë po diskutohet shumë lidhur me dialogun me Serbinë dhe fazën finale,  Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe homologu i tij, Aleksandër Vuciq do të takohen më 11 nëntor në Paris, në kuadër të një ftese të bërë nga Kryeministri i Francës, Emanuel Macron.

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku ata janë deklaruar për gjasat që e thirrjes së një proteste për të kundërshtuar takimin e dy presidentëve në Francë.

Image
Ismail Kurteshi

“Nuk përjashtohet mundësia”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ende nuk është diskutuar me organet e partisë rreth një protestë të mundshme.

“Nuk është dikuar ende, nuk përjashtohet mundësia mirëpo ky vendim merret vetëm pasi që të kemi biseduar me organet e partisë, njëherë për njëherë nuk kemi diskutuar ende rreth një proteste të afërt” ka përfunduar Ismail Kurteshi.

Image
Drita Millaku

“Asgjë Konkrete”

Deputetja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk ka ende asgjë konkrete

“Për momentin nuk jemi në diskutim sa i përket protestave kështu që konkrete nuk ka asgjë” ka përfunduar Drita Millaku.

“LDK nuk i mbështet protestat”

Image
Naser Rugova

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka thënë për gazetën Bota sot se kryesia e LDK-së ka dalë me qëndrim kundër protestave.

“LDK është unike dhe kjo është treguar tashmë, sa i takon çështjes së protestave dje kryesia e LDK-së ka dalë me qëndrim zyrtar të cilin e mbështesin të gjitha forumet e LDK-së” ka përfunduar Naser Rugova.

Thirrja për LDK-në dhe Vetëvendosjen, kërkohet protestë gjithëpopullore

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Ali Hertica, në një bisedë me gazetën “Bota sot”, ka thënë se duhet të thirret një protestë gjithpopullore, para takimit të ardhshëm Thaçi-Vuçiq.

Ai ka ftuar LDK-në dhe VV-në që t’i lënë mbrapa inatet personale por të dalin unike së bashku me zërin e sovranit.

Image
Ali Hertica

“Të zhgënjyer me politikën pa platformë nga Thaçi për takimin e fundit të bisedimeve me Serbin dhe Vuçiqin tani subjektet dhe shoqëria civile duhet të thirret protestë gjithë popullore, për të parandaluar një marrëveshje finale me Serbin për fatin e Kosovës dhe shtetësinë e saj. Pavarësisht termave të ndryshëm të përdorur kohëve të fundit korrigjim, apo shkëmbim është plotësisht e qartë se në marrëveshjen finale midis Prishtinës dhe Beogradit do të vihet shkëmbimi i veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Kjo ideja e Thaçit nuk është e detajizuar nga askush ku as ekspertet nuk kanë idenë rreth kësaj platforme pa koncept politik duke u dëgjuar zërat kontradiktat edhe brenda koalicionit qeverisës dhe kundërshtimeve të opozitës, megjithatë i gjithë spektri politik dhe ai qytetar nuk e përkrahin një gjë të tillë. Madje, në jo përkrahje të saj janë deklaruar edhe shtete fqinje dhe aleate të Kosovës që e ndihmuan deri më tani shtetësinë e saj”, ka thënë ai.

Sipas Herticës, tani është koha e fundit që të dëgjohet zëri i qytetarit dhe i sovranit.

“Edhe Parlamenti i Kosovës duhet sa më shpejt të miratohen në një deklaratë të përbashkët, ndërsa për të ndaluar këtë hap të Thaçit sepse ai de facto nuk është i autorizuar të shpalosë këtë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel. Tani është koha e fundit të dëgjohet zëri i qytetarit dhe i sovranit për shtetësinë dhe politikën e gabuar të njerëzve të cilët kanë në egon e tyre historikun e ardhmes personale pa pasur platformë politike që do jetë kundërshtim me fjalën e sovranit , andaj të thirret një protestë gjithë popullore, ku kjo do të jetë një goditje e fortë e këtij plani ogurzi për politikën dhe sovranin e Kosovës. Tani mos të shikohen ato inatet apo apetitet e LDK-së dhe VV-së por të dalin unike së bashku me zërin e sovranit për të ndaluar këtë që po fundoset shtetësia e Republikës nga disa njerëz të cilit kanë idenë e mbrapsht politike të pa logjik për pasojat e së ardhmes së shtetit” ka përfunduar Ali Hertica.

Vlen të theksohet se presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se kjo protestë nuk është kundër tij, por, siç ka deklaruar ai, “kundër Luginës së Preshevës” dhe vullnetit të qytetarëve të atjeshëm për bashkim me Kosovën.

Paraprakisht, Vetëvendosje ka informuar edhe autoritetet e rendit për mbajtjen e protestës së 29 Shtatorit, duke bërë thirrje që gjithçka të shkojë qetë dhe pa incidente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat