Kosova t’i thotë jo shantazhit të Serbisë - Bota Sot
Kosova t’i thotë jo shantazhit të Serbisë

Politika

Kosova t’i thotë jo shantazhit të Serbisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 nëntor 2018 Në ora: 16:21
Qeveria e Kosovës

Ditë më parë Kosova ka vendosur taksën prej 10 për qind për produktet e Serbisë dhe të Bosnjë Hercegovinës që hyjnë në Kosovë. E në takimin e të enjtes të mbajtur në Bruksel në mes të Presidentit Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandër Vuçiq, me lehtësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, presidenti serb tha se Kosova duhet ta tërheq taksën për produktet serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu në mes të dyja vendeve.

"Serbia është e gatshme për dialog, por para saj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet - të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë. Mos të vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat?! Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund ta respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit", është shprehur Vuçiq.

Image
Drita Millaku

Millaku: Kjo taksë prej 10 % është një shaka e qeverisë

Se si duhet të veprojë Kosova në këtë rast dhe a duhet të tërhiqet kjo taksë në mënyrë që dialogu të vazhdojë, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo parti ka qenë gjithmonë kundër produkteve serbe dhe se taksa nuk është e mjaftueshme.

“Ne si LVV kemi qenë gjithmonë që produktet serbe jo vetëm të bojkotohen por edhe të ndalohen të hynë në Kosovë. Kjo taksë prej 10 % është një shaka e qeverisë, dihet tani se në Kosovë hyn mall nga Serbia 1 milion euro në ditë, me këto para që fiton Serbia nga Kosova do të jetë në gjendje të paguajë destabilizimin e shtetit tonë. Pra, me paratë tona ne po financojmë një shtet armik. Pra vendosja e taksës 10 % ndaj Serbisë nuk është e mjaftueshme pasi që Serbia këtë taksë edhe mund ta durojë”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, Kosova duhet të bëjë kushtëzime në dialog dhe jo Serbia, derisa shton se Kosova nuk duhet të pranojë shantazhet nga askush.

“Kosova duhet të jetë më radikale në këtë aspekt dhe duhet Kosova të kushtëzojë e jo Serbia. Situata e krijuar ku Serbia e kushtëzon dialogun është produkt i bisedimeve që ka zhvilluar Hashim Thaçi deri më tani, pra bisedime pa kritere dhe pa platformë ku edhe temat i dikton Beogradi. Kosova duhet të mos pranojë shantazhin nga askush dhe duhet të jetë shumë e vendosur në kërkesat e veta e sidomos me temat që duhet diskutuar”, ka vlerësuar deputetja.

Millaku e ka quajtur qesharake deklaratën e Hoxhajt se duhet bojkotuar produktet serbe.

“Qesharake janë disa prononcime të njerëzve që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje sikur ajo e Enver Hoxhës këtij tipi tani i ka ra ndërmend se duhet të bojkotohen produktet serbe. Kjo shihet se sa janë të pafytyrë këta njerëz”, ka theksuar ajo.

Sipas deputetes, në Kosovë duhet të ndalohen produktet serbe në Kosovë, sepse me paratë tona po financojmë destabilizimin e shtetit.

“Pra shkurt duhet të ndalohen tërësisht produktet serbe në Kosovë, sepse ne me paratë tona po financojmë strukturat paralele serbe dhe destabilizimin e shtetit tonë”, ka deklaruar deputetja Drita Millaku për “Bota sot”.

Image
Faton Topalli

Topalli: Kosova duhet të qëndrojë pranë vendimit që ka marrë

Ndërsa, deputeti nga radhët e PSD-së, Faton Topalli, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Vuçiq me këtë kërkesë ka treguar se sa e rëndësishme është Kosova për Serbinë si partner ekonomik.

“Vuçiq tregoi me këtë rast se sa e rëndësishme është Republika e Kosovës për Serbinë si partner ekonomik. Kjo aq më shumë kur dihet se armiku ynë më i madh politik është në të njëjtën kohë edhe partneri ynë kryesor ekonomik në rajon. Në fakt ne blejmë nga Serbia dhe nuk i shesim gati asgjë. Republika e Kosovës është e interesuar t'i stabilizojë marrëdhëniet me Serbinë, por jo me çdo kusht. Marrëdhëniet e mira ndërtohen përmes respektit, barazisë, reciprocitetit dhe jo shantazheve, kërcënimeve dhe politikave armiqësore”, ka thënë ai.

Sipas Topallit, Serbia dëshiron të jetë pjesë e BE-së dhe kjo nuk bëhet pa stabilizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa ne nuk kemi varësi nga Serbia në aspektin ekonomik.

“Sa mund të jetë pengesë kjo për vazhdimin e dialogut? Serbia dëshiron të bëhet pjesë e BE-së. Kjo nuk mund të ndodh pa stabilizimin e marrëdhënieve me Kosovën, njohjen e Republikës së Kosovës. Në këtë kuptim ne e kemi me më pak ngutë se sa Serbia. Në aspektin ekonomik nuk kemi ndonjë varësi. Nëse nuk blejmë nga Serbia do të blejmë më shumë ta zëmë nga Shqipëria, Maqedonia apo Mali i zi”, ka vlerësuar ai.

Se si duhet të veprojë Kosova në këtë rast, deputeti thotë se duhet të qëndrojë pranë vendimit të marrë dhe të mbrojë prodhuesit vendorë.

“Kosova duhet të qëndrojë pranë vendimit që ka marrë. Ne duhet t’i mbrojmë prodhuesit tonë. Kjo është detyrë e Kuvendit dhe Qeverisë”, ka theksuar Topalli.

Heqja dorë nga taksa e nxjerrë Serbinë fituese në dialog

E nëse taksa hiqet nga Qeveria e Kosovës, deputeti i PSDK-së, thotë se Serbia do të dalë fitimtare në dialog.

“Nëse Republika e Kosovës lëshon vazhdimisht pe para Serbisë, Serbia do të dalë fitimtare në negociata, e kjo do të ishte e dëmshme për qytetarët e Kosovës. Me Serbinë duhet të bisedojmë si partner të barabartë dhe t'i mbrojmë interesat e Republikës së Kosovës. Dialogu ka kuptim vetëm nëse me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes Serbia e njeh Republikën e Kosovës dhe zotohet se do të ndërtojë tani e tutje marrëdhënie miqësore me fqinjin e saj, Republikën e Kosovës”, ka deklaruar deputeti Faton Topalli për gazetën “Bota sot”.

Image
Haki Abazi

Abazi: Qytetarët e Kosovës duhet të sabotojnë të gjitha mallrat e Serbisë

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë se ajo që po ndodhë në Bruksel nuk është dialog, derisa deklaratat e Vuçiq i quan fashiste dhe përbuzëse.

“Ajo që po ndodhë në Bruksel është maskaradë nuk është dialog. Deklaratat e Vuçiq para mediave janë deklarata fashiste dhe përbuzëse. Ai flet për dhunimin e grave serbe në pyetjen që i bëhet për dhunimin e 20 mijë grave shqiptare gjatë luftës. Vendimi për 10% rritje është i tanishëm ndërsa obstruksionin i Vuçiq dhe i Serbisë për shtetin e Kosovës janë që nga 1999. Kosova ka shumë arsye për të mos vazhduar asnjë lloj dialogu me Serbinë dhe për herë të parë të tregojë kurriz si shtet”, ka deklaruar Abazi.

Sipas tij, e gjitha kjo po ndodhë pasi Thaçi dëshiron të mbetet i rëndësishëm në politikë me kompromise me serbë, derisa shton se kur të përfundojnë proceset negative brenda Kosovës dhe të ketë zbatim të ligjit, të diskutohet me Serbinë.

“Kjo gjë nuk ndodhë kur vet Thaçi është interesuar të mbetet relevant në politikë nëpërmjet kompromiseve dhe sabotimit të kushtetutës së Kosovës. Kosova nuk është peng i Serbisë, Kosova është peng i mos zhvillimit dhe mos funksionimit të institucioneve, krimit dhe korrupsionit në vend. Vetëm kur të përfundojnë këto procese brenda dhe të ketë zbatim të ligjit dhe institucionet të funksionojnë plotësisht Kosova duhet të merret me Serbinë”, është shprehur Haki Abazi për “Bota sot”.

Sa i përket taksës, ai vlerëson se taksa duhet të hiqet por që duhet të sabotohen mallrat e Serbisë nga qytetarët e Kosovës.

“Unë mendoj që qeveria duhet të heqë 10% por qytetarët e Kosovës secili duhet të sabotojë të gjitha mallrat e Serbisë deri në pranimin e plotë të pavarësisë së Kosovës”, ka vlerësuar Abazi.

Image
Skënder Zogaj

Zogaj: Assesi kërkesa serbe nuk guxon të plotësohet

Kurse, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, vlerëson se taksat është e vonuar dhe se nuk do të ndikojë në vazhdimin e bisedimeve, andaj dhe nuk duhet të hiqet nga ana e Kosovës.

“Taksa për produktet serbe është vendimi shumë i vonuar, por më mirë vonë se kurrë! Ky vendim është shumë i qëlluar dhe, nuk do të mund të ndikojë fare në vazhdimin e bisedimeve, sepse, Serbia është një skile e cila sajon shkase për të sprovuar seriozitetin e vendimit kosovar! Prandaj taksa nuk do të hiqet dhe Serbia do ta ul bishtin dhe do te vazhdojë bisedimet”, është shprehur ai.

Sipas tij, kërkesa e Serbisë nuk duhet të plotësohet assesi sepse nuk është pengesë por nxitje për dialog.

“Reagimet e këtilla tipike për politikën serbe, dhe politika kosovare decidivisht duhet t’ia thotë Serbisë që nga kërkesat e këtilla të heq dorë njëherë e përgjithmonë! Dialogu më shumë se Kosovës i duhet Serbisë! Këtë Serbia e din, por e luan lojën e saj të hiles, me shpresën ta kafshojë ndonjë plesht qorr! Assesi kërkesa serbe nuk guxon të plotësohet, me asnjë kusht, sepse assesi nuk mund të jetë pengesë e dialogut, por përkundrazi, nxitje për dialogim”, ka deklaruar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test