Flirti i Thaçit me Rusinë, goditje e madhe për Kosovën

Politika

Flirti i Thaçit me Rusinë, goditje e madhe për Kosovën

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 14 nëntor 2018 Në ora: 22:26
Hashim Thaçi dhe Vladimir Putin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me veprime tendencioze po e injoron miken shumëvjeçare të shtetit tonë, Gjermaninë, duke e “ndërruar” me një shtet si Rusia, e cila është krah i djathtë i armikut të Kosovës, Serbisë.

Takimi dhe biseda mes presidentit Thaçi dhe presidentit rus, Vladimir Putin ka ngjallur reagime jo vetëm në opinionin në Kosovë, por në mbarë botën. Ky takim nuk mund të quhet thyerje akulli, por qarje e një akullnaje, e cila pas shkrirjes mund të ketë pasoja nga “vërshimi” i saj negativ që mund ta kaplojë Kosovën.

Një dialog mes Thaçit e Putinin, assesi nuk mund t’i sjellë gjëra pozitive Kosovës, por vetëm do hedhë benzinë në idenë e zjarrtë të presidentit të Kosovës, për lëkundje kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, në një marrëveshje të mundshme mes dy presidentëve të këtyre shteteve në dialogun në Bruksel.

Injorimi i Hashim Thaçit nga Gjermania dhe SHBA-të në idenë e tij, ka sjellë veprime revolucionare nga ai për një zëvendësim të aleatëve të Kosovës, duke e bërë atë me shtetet që po e përkrahin idenë e tij, ide kjo e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës dhe për një destabilizim të mundshëm në Ballkan.

Tentimi për t’i kthyer “frymëmarrjen” idesë së tij, kanë bërë që presidenti Thaçi të kërkojë aleatë ndërkombëtar, derisa ideja e tij po ngjason serbo-ruse.

Sipas tij, nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë. Por, në mënyrën më logjike të mundshme, marrëveshje paqësore për Rusinë, do të thotë arritja e një marrëveshje që favorizon Serbinë, ndërsa Kosova të dalë humbëse nga dialogu.

Rusia ishte ajo që në vitin 1999, dërgoi trupat ushtarake të saj në aeroportin e Prishtinës, për t’i dalë në ndihmë shtetit serb gjatë luftës në Kosovë. Atë kohë, presidenti Putin kishe vizituar për herë të parë Kosovën, ku kishte ardhur t’i përgëzojë ushtarët rus. Që nga ajo kohë, Putin nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë.

Kjo do të thotë se, Putin është i interesuar vetëm për zhvillimet që janë kundër Kosovës.

Ndikimi rus në Kosovë, më shumë se ai gjerman, nuk ka qenë as në ëndrrat më të këqija të shqiptarëve. Por, presidenti aktual i Kosovës, po e bën këtë ëndërr një realitet të hidhur, që sigurisht do të ketë pasoja në të ardhmen për shtetin tonë dhe do të jetë një rrënim i gjithë asaj që është ndërtuar për afro katër dekada.

“Foto me Trump-in, takim me Putinin”, është përkufizimi më i mirë në këtë ngjarje, e thënë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Braktisja e Gjermanisë dhe SHBA-ve, dhe tentimi për t’i zëvendësuar ata me shtetin rus, do të jetë një goditje e madhe për Kosovën, ku do ngecim në proceset për integrime evropiane dhe shuarje e tërësishme e ëndrrës shekullore, atë të bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat