100% shqip!

Politika

100% shqip!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 21 nëntor 2018 Në ora: 22:41
Ilustrim

Shteti i Kosovës arriti t`u rezistojë presioneve nga të gjitha anët për taksën e vendosur prej 10% për importet që vinë nga Serbia dhe Bosnja.

Kosova iu bëri ballë trysnive të padrejta nga disa shtete, të cilat thoshin se kjo taksë do shkatërrojë  procesin e ndërtimit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe do të rrezikonin dialogun mes këtyre dy shteteve.

Shteti i Kosovës iu kundërpërgjigj presioneve të këtyre shtete, duke rritur taksën për produktet që hynë në Kosovë nga Serbia në 100%, taksë kjo që do ta fundosë importin e Serbisë brenda territorit të Kosovës. Krejt kjo erdhi për shkak të angazhimit të Serbisë që Kosova të dështojë në të gjitha proceset integruese në organizata të mëdha.

Kosova dështoi të marrë votat e mjaftueshme në asamblenë e përgjithshme të INTERPOL-it që u mbajt në Dubai të martën, pavarësisht dy raundeve të votimit. Lufta e ashpër politike e lobuese kundër Kosovës nga Serbia, e bëri të vetën, mirëpo edhe qeveria e Kosovës u tregua dembele në këtë drejtim, pasi humbi betejën në këtë proces.

Taksa e rritur ndaj mallrave serbe prej 100%, është një kundërpërgjigje në kohën e duhur ndaj Serbisë, për t’iu treguar atyre se Kosova është një shtet serioz, i pavarur dhe sovran. Kjo ofensivë e Kosovës në këtë luftë politike ndaj Serbëve, mund t’iu jap goditje të rëndë atyre, pasi një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë së Serbisë, vjen nga eksporti i tyre në Kosovë.

Taksa e njëjtë edhe për Bosnjën, është po ashtu e duhur, pasi që Bosnja po e mban krahun politik të Serbisë kundër Kosovës. Madje ky shtet nuk ka edhe produkte cilësore për t’u konsumuar.

Një veprim i matur nga qeveria e Kosovës, është edhe vendimi që produktet që kanë mbishkrimin “Kosovo e Metohia”, të mos lejohen fare të hynë në Kosovë.

Që Serbisë t’i jepet goditja përfundimtare në këtë drejtim, këtë e kanë në dorë qytetarët e Kosovës, të cilët me bojkotimin e produkteve serbe, mund t’u japin hapësirë produkteve vendore dhe në këtë mënyrë, bizneset e Kosovës do të përparojnë dhe Kosova do të ketë një ekonomi stabile me eksport të rritur që do t’i sillte fitime të mëdha shtetit tonë, si dhe importim më të vogël.

Nëse qeveria e Kosovës mbanë qëndrim të palëkundur me këtë vendim, atëherë kjo do të jetë një “dush i ftohtë” për shtetin serb, e ndoshta edhe do të ndërronte qëndrimin politik karshi Kosovës, sidomos në lobimin kundër njohjeve të Kosovës si dhe anëtarësimin në organizata botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat