Transformimi i FSK-së në Ushtri vazhdon, me gjithë vërejtjen e NATO-s - Bota Sot
Transformimi i FSK-së në Ushtri vazhdon, me gjithë vërejtjen e NATO-s

Politika

Transformimi i FSK-së në Ushtri vazhdon, me gjithë vërejtjen e NATO-s

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 18:13
FSK

Projektligjet, të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen më 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, ka konfirmuar të enjten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Këto komente, Haradinaj i ka bërë në seancën e Kuvendit të Kosovës duke vlerësuar se “ligjet dhe ushtria do të kalojnë në mënyrë të dinjitetshme dhe Kosova do të ecë në rrugën e saj”.

"Nuk kemi arritur që çdo qeverie anëtare të NATO-s, t’ua shpjegojmë të vërtetën e transformimit të FSK-së. Por, ne i kemi plotësuar ato kushte bazike të sqarimeve për të ecur përpara me ushtrinë tonë, pra i kemi plotësuar. Me këtë, jo vetëm që nuk do të vihet në rrezik e ardhmja jonë me NATO-n, por përkundrazi. Ne, nga ata që absorbojmë siguri, në të ardhmen do të ofrojmë siguri", ka deklaruar Haradinaj.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, transformimi i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.

Komentet e Haradinajt pasojnë deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të "përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, ka njoftuar po sot se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’i njoftuar rreth takimit të së mërkurës mes ministrave të Jashtëm të NATO-s për Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg ka deklaruar se ia potencoi, si Prishtinës, ashtu edhe Beogradit, nevojën për qetësi dhe përmbajtje, si dhe anashkalim të ndonjë hapi apo deklarate provokuese.

“Me Haradinajn, kam shqyrtuar planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Kam theksuar se një hap i tillë vjen në kohë të papërshtatshme dhe është kundër këshillës së dhënë nga disa aleatë të NATO-s, andaj mund të ketë pasoja negative në perspektivën e Kosovës për integrim euro-atlantik”, është thënë në deklaratën e NATO-s.

Përveç tjerash, ai ka thënë se nëse do të rritet mandati i FSK-së, NATO-s i duhet të shqyrtojë nivelin e bashkëpunimit me këtë Forcë.

Sa i përket bisedimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në deklaratën e NATO-s është thënë se Stoltenberg i ka përmendur presidentit serb nevojën për t'i zbutur tensionet.

“Ua kam rikujtuar të dyve se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të Prishtinës dhe Beogradit, është rruga e vetme për të arritur paqe dhe stabilitet në rajon", ka thënë Stoltenberg.

Në anën tjetër, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha përparimet që janë bërë në FSK, kanë shkuar në koordinim me aleatët e Kosovës dhe NATO-n.

*Hashtag: Kur dhe si do të bëhet Kosova me ushtri?

 Ai ka thënë se deklaratat e sekretarit të NATO-s, Stoltenberg mund të kuptohen edhe si një lloj presioni nga disa shtete anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

"Të gjitha të arriturat e FSK-së, janë bërë në bashkëpunim me NATO-n me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë. Dhe, veprimi për kapacitete ushtarake, nuk është bërë pa i njoftuar partnerët tanë ndërkombëtarë. Deklarata pasqyron atë unitetin e brendshëm të shteteve të NATO-s karshi Kosovës, sepse ne e dimë se aty janë katër shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës", është shprehur Berisha.

Ai ka deklaruar, po ashtu, se deri tash, të gjitha kërkesat e NATO-s janë zbatuar nga autoritetet e sigurisë së Kosovës.

"Nuk ka asnjë kërkesë që ne nuk e kemi plotësuar me planin që kemi pasur dhe ai kryesisht ka qenë për integrimin e komuniteteve, ose politikat e kuadrove. Ne kemi raporte të mira ndërmjet FSK-së dhe NATO-s dhe të gjitha raportet që janë bërë, kanë qenë shumë pozitive. Në të gjitha takimet janë vlerësuar pozitivisht të arriturat", ka shtuar Berisha.Nga ana tjetër, Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se për të vazhduar me transformimin e kapaciteteve të FSK-së, do të ishte mirë që të mos nxitohet në Kuvend, pa pasur një pëlqim nga aleatët e Kosovës.

"Unë mendoj se duhet të merret pëlqim e të mos ngutemi. Ne i kemi të miratuar ligjet në leximin e parë, janë të gjitha të përgatitura, por mirë është që të mos merret një hap që mund të sjellë pasoja", ka vlerësuar Ibishi.

Ndryshe, nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë bërë të ditur se komisioni i ka përfunduar të gjitha punët sa i përket ligjeve për FSK-në dhe se ato, më 14 dhjetor, do të jenë në Kuvend./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test