Abazi: Qëndrimi i NATO-s për ushtrinë është i dhembshëm

Politika

Abazi: Qëndrimi i NATO-s për ushtrinë është i dhembshëm

Nga: G.B Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 12:32
Haki Abazi

NATO ka dalë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës tani, duke thënë se nuk është momenti i duhur dhe se nëse ndodh kjo, Prishtina do të përballet me pasoja.

Ndërsa në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ushtria do të formohet me 14 dhjetor, kur dhe është thirrur seanca për votimin e saj.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ideja e formimit të ushtrisë së Kosovës është abortuar me pranimin e formimit të Listës Serbe si rezultat i dialogut.

“Formimi i Ushtrisë me ligj ka qenë ide e gabuar që nga fillimi. Është mbrapshtuar procesi i shtetndërtimit, nuk ka njerëz të mençur, të gjithë janë farefis dhe njerëz që nuk kanë as përvojë, as dije e as gatishmëri për të dëgjuar. Nuk bëhet shtetndërtimi me njerëz që mendojnë me arrogancën provinciale e veprojnë pa analiza. E vërteta është se këta që janë në pushtet e kanë abortuar mundësinë e formimit të ushtrisë me kushtetutë kur kanë pranuar që të formohet Lista Serbe si rezultat i dialogut. Dialogu ka qenë thembra e Akilit për shtetin Kosovës. Me dialog dhe fusnotë Thaçi e ka hedhur për dritare planin e Ahtisarit dhe ka rihapur çështjen e statusit për të përfituar nga ai proces për vete dhe bashkëpunëtorët e tij”, është shprehur ai.

Abazi vlerëson se qëndrimi i NATO-s është i dhembshëm dhe se ideja e formimit të ushtrisë kundër vullnet të NATO-s është naive, andaj ai propozon që të shkohet në zgjedhje.

“Qëndrimi i NATO-s është i dhembshëm por sigurisht që institucionet e Kosovës dhe gara naive që është duke u bërë se kush e bëri ushtrinë ka sjellë Kosovën në situatë shumë të vështirë dhe të dobët. Këta njerëz duhet larguar nga politika të gjithë së bashku, bashkë me këshilltarët e tyre që janë vërtetuar që janë të papërgatitur për marrëdhëniet ndërkombëtare. Ideja se mund të formohet ushtria me ligj dhe kundrejt vullnetit të NATO-s është po ashtu naive. Duhet shpallur zgjedhjet për të gjitha arsyet praktike por edhe për të shpëtuar fytyrën e vendit se sinqerisht ka arritur fundi i sjelljes jonormale të individëve që janë bartës të funksioneve të larta shtetërore”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën ”Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat