Sali Berisha: Baton Haxhiu dhe Hashim Thaçi bashkëpunëtorë të Serbisë. Publicistët: Berisha ka fakte për veprimtarinë e Thaçit dhe Haxhiut

Politika

Sali Berisha: Baton Haxhiu dhe Hashim Thaçi bashkëpunëtorë të Serbisë. Publicistët: Berisha ka fakte për veprimtarinë e Thaçit dhe Haxhiut

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 8 dhjetor 2018 Në ora: 10:26
Baton Haxhiu, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë një interviste para disa ditësh, akuzoi rëndë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe gazetarin Baton Haxhiun, si miqë me bashkëveprime në rrugën e ndarjes së Kosovës.

Emri i Baton Haxhiut është lakuar jo rrallë si bashkëpunëtor i Thaçit. Madje, ka dyshime se Haxhiu mund të ketë qenë bashkëpunëtor i Ivica Stanishiqit gjatë kohës së paraluftës. Këto dyshime vinë nga disa deklarime të publicistëve të ndryshëm në Kosovë.

Lidhur me deklaratat (akuzat) e Sali Berishës drejtuar Hashim Thaçit dhe Baton Haxhiut, kanë folur për “Bota sot” publicistë dhe analistë të rrethanave.

Pse Berisha akuzoi Thaçin, profesori ndërkombëtar tregon arsyet

Prof. Dr. Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ka folur lidhur me deklaratat e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzoi presidentin Thaçi si “argat” të Serbisë.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Bytyçi thotë se Sali Berisha gjithmonë e ka kundërshtuar idenë e ndarjes së Kosovës, madje edhe para se Serbia të kryente krime kundër njerëzimit.

 “Ish-kryeministri dhe presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka treguar se gjatë karrierës së tij politike e ka kundërshtuar gjithmonë me forcë idenë e ndarjes së Kosovës. Madje dhe para se Serbia të kryente krime kundër njerëzimit në Kosovë, duke asgjësuar mijëra njerëz, duke përdhunuar mijëra të tjerë, duke djeg e shkatërruar gjithë Kosovën, përfshirë trashëgiminë kulturore e historike të saj. D.m.th para se Millosheviqi të bënte eksperimentin e asgjësimit të ekzistencës fizike dhe të kujtesës historike të shqiptarëve në Kosovë. Kjo do të thotë se pas asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë, ideja e ndarjes është një mijë herë më e papranueshme sesa para luftës. E megjithatë Hashim Thaçi dhe Edi Rama e kanë pranuar këtë ide”, ka thënë Bytyçi.

Ai ka renditur tri pika pse Berisha e quajti ashtu Thaçin.

Bytyçi fillimisht mendon se Edi Rama dhe Hashim Thaçi janë pjesë e ndarjes së Kosovës.

“Po të kemi parasysh këto fakte, atëherë kuptohet se akuza e zotit Berisha është e bazuar, e drejtë dhe e saktë për disa arsye: 1. Së pari, se ideja e ndarjes së Kosovës ishte dhe është ide e Beogradit dhe politikanëve serbë. Hashim Thaçi dhe Edi Rama janë bërë pjesë e këtij projekti. Pse janë bërë pjesë? Arsyet i dinë vetëm ata. Por e vërteta është se të dy këta janë agjitatorë dhe argatë të Serbisë. Sepse punojnë e luftojnë fort e me këmbëngulje për të realizuar në Kosovë një projekt serb”, tregon Bytyçi.

Ai e quan Thaçin tradhtar, duke thënë se e kritikonte Rugovën për takimet me delegacione në Beograd, mirëpo tash takohet fshehurazi në skute me Vuçiqin.

“2. Së dyti, të pranosh idenë e ndarjes, sot pas lufte, kur ke kritikuar Ibrahim Rugovën pse me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar bëri vizitë në Beograd në vitin 1998, kur atë atëherë e kishte cilësuar si tradhtar, është argatizëm që shkel dy herë në moralin politik dhe njerëzor. Rugova shkoi në Beograd me delegacion, ku bënte pjesë edhe Fehmi Agani, Veton Surroi e të tjerë politikanë të Kosovës. Hashim Thaçi takohet dy herë në muaj me presidentin e Serbisë fshehtas në skutat e Romës. E Thaçi atëherë e akuzonte Rugovën për “tradhti”! Çfarë i bie të jetë vetë ai sot?! Njëmijë herë tradhtar! Nëse e shqiptoj këtë term, në këtë rast nuk ka asnjë konotacion relative. Sepse në përvojën historike dhe në praktikën e sotme të shteteve, kushdo udhëheqës në botë që është i gatshëm të tjetërsojë territorin e vendit të vet, jo vetëm cilësohet tradhtar, por edhe dënohet si tradhtar. Prandaj tradhtia e Hashim Thaçit nuk është e diskutueshme, nuk është relative, nuk përbën më dyshim. Është një krim i rëndë i konsumuar. Vetëm se Kosova nuk është shtet ligjor i së drejtës që dikush nga prokurorët t’i vendosë hekurat në duar! Këtë përgjegjësi ligjore dhe kombëtare do ta vujnë jo vetëm prokurorët e tredhur prej Thaçit, por vetë shteti dhe populli I Kosovës!”, ka shtuar ai.

Bytyçi: Berisha ka edhe fakte dhe info të tjera të mëparshme

Dhe së treti, prof. Bytyçi mendon se Thaçi dhe Rama duhet të ndoqën penalisht për tradhti kombëtare. Sipas tij, Sali Berisha me të drejtë e akuzon Thaçin, ndërsa thotë se Berisha ka informacione të shumta që nuk mund t’i publikojë në këtë kohë.

“3. Së treti, në ndryshim nga çdo lloj tradhtie dhe argatizmi, që në të gjitha rastet bëhen të fshehta, tradhtia e Thaçit, argatizmi i tij konsumohen ditë për ditë në dritë të diellit. Ai ka dhënë prova tradhtie të lartë ndaj atdheut në të gjitha deklaratat e tij, por edhe në reagimet që ka bërë kundër kritikeve të idesë së ndarjes së Kosovës. Po ashtu Edi Rama! Ky I fundit duhej ndjek penalisht për deklaratën e tij në Pejë se “Kush i Thotë Hashim Thaçit tradhtar, është gomar”! Në mos drejtësia e Tiranës e kapur prej tij, procesin penal ndaj Ramës duhet ta fillonte prokuroria e Prishtinës ose e Pejës, sepse krimi është kryer në Pejë! Sipas ligjit, pavarësisht se kush e kryen një krim të caktuar, ai ndiqet nga drejtësia e vendit, ku krimi është kryer! Këto prova duhen administruar ligjërisht në përputhje me kodin penal. Nëse do kishim shtete funksionale,, ligjore e të së drejtës të dy këta tradhtarë të deklaruar të atdheut e të kombit shqiptar do duhej të ishin dënuar ashpër. Për këto arsye zoti Berisha ka të drejtë absolute, kur e tregon me gisht Hashim Thaçin. Në dijeninë time zoti Berisha ka edhe fakte dhe info të tjera të mëparshme. Mospublikimi I atyre informacioneve lidhet me rrethanat dhe personat implikuar, si dhe pozitën e vështirë të Kosovës në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare në këto kohë. Megjithatë do të vijë një ditë kur shqiptarët do të mësojnë të vërteta të hidhura të dikurshme, të cilat lidhen me tradhtinë e sotme të Hashim Thaçit”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Miftari: Sali Berisha ka të drejtë

Image
Naim Miftari

Ish anëtari i shërbimit inteligjent të Kosovës, Naim Miftari, duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë çështje, ka thënë se Sali Berisha ka të drejtë në ato akuza dhe kjo vjen për shkak se Berisha ka qenë shumë vite njeriu kryesor i pushtetit shqiptar dhe ka pasur qasje në shërbimin inteligjent ushtarak dhe SHISH, prandaj sipas Miftarit, deklaratat e Berishës janë fjalë shumë serioze.

Ai gjithashtu thotë se edhe ZKZ (G2), në të cilin edhe ai vet bënte pjesë, ka të dhëna të tilla.

“Sali Berisha kur i përmend lidhjet e Hashim Thaçit dhe Baton Haxhiut dhe Serbisë për ndarjen e Kosovës, ka të drejt plotësisht.  Mos të harrojmë se Sali Berisha ka qenë shumë vite njeriu kryesor i pushtetit shqiptar dhe ka pasur qasje në shërbimin inteligjent ushtarak dhe SHISH, prandaj janë fjalë shumë serioze. Atë e arsyetoj se edhe të dhënat tona nga ZKZ (G2) e UÇK dhe TMK, pastaj policisë të Kosovës dhe SHIK-ut. Nuk ka kurrfarë dyshimi se Baton Haxhiu ka qenë para luftës bashkëpunëtor dhe postier koordinator i Ivica Stanishiçit, kryeshefit të UDB-DBS Serbe, ndërmjetësues i takimeve në Brezovicë nga shefi i UDB dhe ish liderëve komunistë shqiptarë të Kosovës, pra Batoni ka qenë i rëndësishëm dhe është edhe sot i rëndësishëm edhe për UDB(BIA) dhe mik i profesionit të Hashim Thaçit”, ka thënë Miftari.

Ai thotë se presidenti Thaçi është rekrutuar si agjent nga DSGE franceze.

“Dihet mirë se lidhjet e presidentit tonë me qarqet dhe diagramet serbe është edhe i trashëguar familjarisht. Mos të harrojmë se para luftës dhe gjatë luftës, vëllai i presidentit tonë ka qenë agjent i UDB-KOS dhe ka dëmtuar bukur shumë UÇK-në dhe njerëzit kryesor të luftës të cilit ju kishin vrarë njerëzit kryesor të luftës, pastaj përmes ndikimit direkt të UDB në DGSE Franceze presidentin tonë e kishin rekrutuar DGSE përmes agjentit dhe shefit edhe sot të Hashim Thaçit, Denjear Arnaud i cili është dhëndër serb, kurse zyrtarisht sot është parlamentar evropian (Arnaud nuk ka votuar për liberalizimin e Kosovës) dhe këshillon edhe Vuçiçin edhe Thaçin”, ka shtuar ai.

Për Denjear Arnaud, Miftari thotë se ka aranzhuar takimet sekrete Thaçi-Vuçiq.

“Ai ka aranzhuar takimet sekrete Vuçiç- Thaçi në Romë dhe i njëjti e ka takuar që dy herë Thaçin, kryetarin francez E.mannuel Macron, ku temë është ndarja e Kosovës. Prandaj presidenti i 'jonë' i kapur ngushtë nga dosjet e UDB dhe nga dosjet ndërkombëtare për krim të organizuar dhe për vrasjet politike të kundërshtarëve që i ka urdhëruar vet, nuk ka edhe rrugë tjetër pos ta mbron interesin Serb-Rus- Francez, duke u paraqitur si pismajker por gjithnjë në dëm të Kosovës. Mos harrojmë se sot po qohet shumë pluhur për formimin e ushtrisë, pikërisht i njëjti person është, pra Thaçi që çarmatosi dhe tradhtoj interesin e vendit dhe UÇK-në në marrëveshjen anti shqiptare K90 dhe dihet edhe roli i KFOR-it Francez pro serb nga 1999 dhe ndarja e veriut të Kosovës gjer sot mban vulën franceze ,serbe dhe të presidentit tonë, sidomos pas pastrimit etnik të veriut me 2 dhe 3 shkurt të vitit 2000. Këtu s’ka sekrete aspak, Sali Berisha ka të drejt plotësisht”, ka potencuar Miftari.

Islami: Baton Haxhiu njihet në opinion si njeri dhelparak e dinak

Image
Gazmend Islami

Kurse, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami thotë se Haxhiu është një “dhelparak” i cili përshtatet në të gjitha regjimet.

“Baton Haxhiu njihet në opinion si njeri dhelparak e dinak, që përshtatet në të gjitha regjimet, qofshin ato të huaja a vendore. Djali që vinte nga një familje jo që ishte e ndershme e patriotike, por një familje që kishte lidhje të fuqishme me pushtetin e atëhershëm ju hapshin rrugët kudo që shkonte, edhe sot edhe gjatë luftës ishte i tillë, here e shpallte veten të vdekur e herë të gjallë e faktikisht ishte njeri i mbrojtur”, deklaron Islami për gazetën “Bota sot”.

Ai i quan skandaloze deklaratat e Haxhiut për shkëmbim territoresh, andaj duhet të bojkotohet nga shoqëria shqiptare.

“Deklarata e tij skandaloze para disa javësh, që vendin tone ti falim një shteti tjetër, tregon vetëm medaljen tjetër që është duke marrë nga kumbarët e tij të dikurshëm dhe të kumbaritë të tij Thaçit, unë mendoj që ka vdekur shpirti i qytetarisë se po të kishim një lëvizje sadopak ky do të duhej të bojkotohet nga gjithë shoqëria shqiptare, ashtu siç janë edhe disa tjerë që promovojnë vlera të tilla ani shqiptare, të falësh toka do të thotë që je tradhtar sepse Kushtetuta e vendit të jep epitetin e tillë”, thotë Gazmend Islami.

Maxharraj: Në Kosovë janë tani realitete të reja

Image
Prof. Dr. Binak Maxharraj

Ndërsa Prof. Dr. Binak Maxharraj shprehet për “Bota sot” se Haxhiu i erdhi në ndihmë Thaçit për idenë e këtij të fundit. Veprimet e Haxhiut, Maxharraj i quan shokuese dhe problematike.

“Si për “çudi” për ti dhanë “zemër e kurajë” Hashim Thaçit për këtë “sihariç”, i erdh në ndihmë edhe një shoku i tij i “luftës dhe i paqes” që dikur po të takoheshin, do ta hanin pa pjekë njeri tjetrin, askush tjetër pos Baton Haxhiut, i cili haptas po e përkrah e Hashim Thaçin. Unë nuk dua të merrem me Baton Haxhiun, sepse opinioni i gjerë e njehë më mirë së unë. Por është shok për mua si shkencëtarë që i njehë në thelb problemet ekonomike dhe demografike të rajonit, deklarimi i tij se fundi i armiqësisë shekullore midis Serbëve dhe Shqiptarëve mund të vijë sa mshel e qel sytë, përkundër shumë e shumë brezave që Kosova ka sakrifikuar për të ardhur deri këtu ku është sot. Sipas tij e ardhmja mundet të nderohet pa e njoftë të kaluarën dhe sakrificat e bëra me shekuj  duke ia shtrirë dorën e pajtimit armikut tonë shekullor, thua se nuk ka ndodhë asgjë. Ai pastaj e vajton situatën në Veri ku thotë që “se kemi në dorë”, pa e thanë asnjë fjalë se pse ndodhi kjo që se kemi në dorë, dhe se tani Veriu krejt me të gjitha simbolet është serbe. Pra, sipas tij për hir të gjeneratave të reja në Serbi dhe Kosovë po u dashka te ndodhë shkëmbimi e territoreve duke thënë haptas së Veriu duhet te ikë, t’i bashkohet Serbisë ne këmbim me Luginën e Preshevës, pra duke e futur në lojë vetëm faktorin etnik”, potencon Maxharraj.

Për më tepër, ai thotë se në Kosovë mbizotëron realiteti i një shteti të pavarur dhe sovran, e kjo është “thembra e Akilit” që po i dhemb Serbisë.

“Në Kosovë janë tani realitete të reja, realitet është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kjo është ajo Thembra e Akilit,  z. Haxhiu që po i dhembë Serbisë. Kosova si shtet është rreshtuar në krah të paqes, duke ua dhanë të gjitha të drejtat, bile edhe më shumë serbëve në Kosovë”, përfundon për “Bota sot” Binak Maxharraj.

Mehmeti: Rroli i Thaçit në bisedimet aktuale me Serbinë nuk i ndihmon çështjes shqiptare

Image
Faton Mehmeti

Faton Mehmeti, analist politik thotë se akuzat e Sali Berishës për Hashim Thaçin dhe Baton Haxhiun, janë rezultat i informacioneve të Berishës.

“Besoj se akuzat e z. Berishës nuk janë kuturu dhe as inatqore, por vjen si rezultat i informacioneve që ka ndaj veprimtarisë se Thaçit. Sigurisht se z. Berisha ka informacione të kualifikuara për të kaluarën e Thaçit, rolin e tij ndaj të djathtës që përfaqësohet nga z. Berisha dhe Presidenti historik Rugova. Për më tepër, roli i Thaçit në bisedimet aktuale me Serbinë nuk i ndihmon çështjes shqiptare, andaj ish kryeministri Berisha reagon me tone të larta” thekson Mehmeti.

Ai e mbështet Sali Berishën në akuzat e këtij të fundit drejtuar Thaçit dhe Haxhiut.

“Duke qenë spiun francez është afër mendsh që Thaçi po punon për Serbinë dhe interesat e saja. Asnjëherë s’duhet pritur diçka të mirë nga spiunët, pasi roli i spiunit është të punoj kundër vendit të tij në interes të të tjerëve. E mbështes plotësisht z. Berisha dhe zëri i tij duhet ndjekur, në mënyrë që të largoj sa më pate spiunin nga pushteti. Thaçi nuk përfaqëson Kosovën por Serbinë, ky spiun duhet dëbuar nga pushteti sa më parë”, ka thënë ai.

Zyra  për informim e Presidencës nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me akuzat e ish Kryeministrit Sali Berisha. Pyetjes nuk i është përgjigjur as gazetari Baton Haxhiu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat