Kosova në “kthetrat” e politikanëve të korruptuar, kërkohet ndryshimi i madh

Politika

Kosova në “kthetrat” e politikanëve të korruptuar, kërkohet ndryshimi i madh

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 dhjetor 2018 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Mesazhet drejtuar skenës politike nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë vazhdojnë të jenë qarta. Kësaj radhe i tillë vije edhe Ambasadori më i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përçoj disa mesazhe qortuese për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar në Kosovë.

Përmes një videoje e cila është bërë në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, e cila organizohet nga grupi prej disa OJQ-ve dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane, Kosnett ka thënë se përkushtimi i qytetarëve të Kosovës kundër korrupsionit është themeli i arritjes së synimit për integrim perëndimor.

“Ligjet e mira dhe procesi më transparent janë të rëndësishme, por nuk mjafton t’i keni sistemet në letër nëse ato nuk zbatohen me ndershmëri, plotësisht dhe në mënyrë të vijueshme”, ka thënë Kosnett.

“Qytetarët e Kosovës duhet të shohin që ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe që ai përdoret për të ndëshkuar sjelljen korruptuese, veçanërisht kur kryesit janë zyrtarë qeveritarë dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt”, ka deklaruar ndor tjerash Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Një pjesë e opozitës dhe shoqëria civile është e mendimit se kryemiku i shqiptarëve me dashamirësinë më të madhe foli për problemet që mbajnë peng zhvillimin e Kosovës dhe për individët që kanë marrë peng të sotmen e të ardhmen e Kosovës.

Deputetja e LDK-së: Mesazhi i ambasadorit Kosnett i qartë, të ndëshkohet koalicioni “PAN”

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se mesazhet e Ambasadorit amerikan duhet të jenë mesazh për popullin e Kosovës, se në zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme që mund të ndodhin, të ndëshkojnë këtë koalicion qeveritar PAN.

“Ambasada amerikane interesohet për sundimin e drejtësisë, luftimin e korrupsionit, sesa vetë Qeveria aktuale. Mesazhet e saj duhet të jenë mesazh për popullin e Kosovës, se në zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme që mund të ndodhin, të ndëshkojnë këtë koalicion qeveritar PAN”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Deputetja nga radhët e opozitës ka thënë se duhet domosdoshmërisht të bëhet ndryshimi i skenës politike, duke u drejtuar vendi nga partia shtet-formuese, me traditë, me njerëz siç thekson ajo nga akademia.

“Qeveria dështoi në shumë fusha, e sidomos në rrafshin ndërkombëtar, e ka prishur shumë imazhin e shtetit dhe besimin e aleatëve tanë. Duhet domosdoshmërisht të bëhet ndryshimi i skenës politike, duke u drejtuar vendi nga partia shtet-formuese, me traditë, me njerëz nga akademia etj. Kosova është duke u kthyer mbrapa me dekada nga PAN, duke ndërhyrë në drejtësi. Vetëm përkujtojeni rastin e kërcënimit të ish-prokurorit nga kryeministri aktual”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vendi duhet ta ketë orientim drejt aleatit kryesor e të përjetshëm, SHBA-në.

“Kosova duhet ta ketë orientim, hartë e drejtim se kah duhet të ecet, aleatin tonë të përjetshëm, SHBA-në”, ka përfunduar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi për gazetën “Bota sot".

Shahu: Amerikanët e duan vendin tonë më shumë se shumë shqiptarë

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik, Rexhep Shahu, duke e komentuar deklaratën e Ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kryemiku i shqiptarëve me dashamirësinë më të madhe foli për problemet që po e mbajnë peng zhvillimin e Kosovës dhe për individët që kanë marrë peng të sotmen e të ardhmen e vendit.

“Natyrisht që ambasadori amerikan Kosnett në emër të shtetit të tij që është kryemiku i shqiptarëve na thotë hapur dhe me dashamirësinë më të madhe për problemet që mbajnë peng zhvillimin e Kosovës dhe për individët që kanë marrë peng të sotmen e të ardhmen e Kosovës, individë që pretendojnë se janë prurësit e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, individë që pretendojnë se kanë në duart e tyre fatet e Kosovës, të sotmen e të ardhmen e saj”, ka pohuar Shahu.

Shahu për gazetën “Bota sot”, me tej shton duke thënë se është me shpresë se me qartësinë dhe këmbënguljen amerikane do të marrin udhë shumë procese të bllokuara integruese.

“Ambasadori amerikan edhe kësaj here pohoi para opinionit publik ato gjëra që do të donte të artikulonte çdo njeri në Kosovë dhe sërish edhe me këto deklarime e qortime po duket se amerikanët e duan vendin tonë më shumë se shumë shqiptarë. Besoj se me qartësinë e këmbënguljen amerikane do të marrin udhë shumë procese të bllokuara integruese. Ne mos, do të ndizen aspiratat e kërcënuara shpesh të shqiptarëve”, ka thënë në fund, analisti politik, Rexhep Shahu, për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve juridike: Vendi ka nevojë për ndryshime të mëdha

Image
Blerim Burjani

Në një linjë me ambasadorin amerikan Kosnett qëndron edhe njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani.

Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, qeverisjen aktuale e ka definuar si një qeverisje me një varg shkeljesh të mëdha të rendit dhe ligjit, dhe e cila e ka zaptuar Kosovën.

“Natyrisht të gjithë i dinë të metat e qeverisjes së shtetit, deri më tash kjo qeverisje definohet si problematike me rend dhe ligj, që dëmton shtetin, ekonominë e shtetit dhe buxhetin e shtetit, varfëron ekonominë e vendit, problemet kryesore të Kosovës mbetën mjaftë shumë aktuale që 18 vjet, korrupsioni, zhvatja e buxhetit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare në punësime familjare dhe nepotizëm, një varg shkeljesh të mëdha të rendit dhe ligjit”, ka thënë Burjani.

Me tej, ai ka thënë se e vetmja zgjidhje është që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe sipas tij, të ndodhë një ndryshim i madh demokratikë dhe një qasje plotësisht e re zhvillimit të shtetit.

“Nuk kanë të ndalur si zhvatjet, punësimi partiak, shumë probleme të tilla e kanë sjellë jetën e padurueshme të qytetarëve, ikjen e klasës intelektuale, shumica e njerëzve të profilit profesional nuk shohin perspektivë, andaj kjo ka bërë të mos ketë as liberalizim edhe për një kohë, se paku deri në fund të vitit 2019. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje, duhet të ndodhë një ndryshim i madh demokratik dhe qasje plotësisht e re zhvillimit të shtetit”, ka përfunduar analisti dhe njohësi i zhvillimeve juridike, Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat