“Marrëveshja për dorëzim territori”, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet

Politika

“Marrëveshja për dorëzim territori”, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet

Nga: N.Sh Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 11:31
Ramush Haradinaj

Korrigjimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ishte vetëm një lojë e radhës e kësaj qeverie të disfatave me moton "nënshkruaje dhe fale dhe pastaj ndoshta e kthejmë prapa"!

Kështu vlerëson, profesor Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, i cili shton se, ky soj qeveritarësh ia besojnë kohës dinakërinë dhe tradhtinë e tyre duke shpresuar se me fitimin e një kohe çështja e nxehtë do të harrohet.

“Sipas mendimit tim ky korrigjim nuk do të ndodhë më kurrë, sepse këta qeveritarë presin të kalojë koha dhe "t’i mbijë bari kësaj pune", sikurse edhe shumë herë të tjera në të kaluarën”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, ideator dhe nënshkruesi i marrëveshjes për demarkimin me Malin e Zi në vitin 2015, ishte Hashim Thaçi në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme, kur Kosova humbi përgjithnjë territor.

Image
Faton Kurti

“Ironia e tërë kësaj çështje është pozicioni dhe vetë Ramush Haradinaj, i cili në atë kohë ishte në opozitë dhe kundërshtar rigoroz dhe i spikatur i kësaj marrëveshjeje duke na thënë se ne duhet ta mbrojmë territorin me çdo kusht dhe nëse duhej edhe me luftë.

Ky i njëjti person kur mori postin e Kryeministrit në qeverinë e re ndërroi qasjen për këtë çështje për 360 gradë duke e kaluar këtë vendim në Kuvend me fusnotën se demarkimi do të kontrollohet edhe njëherë dhe nëse ka nevojë të korrigjohet”, vlerëson Kurti.

Kreu i Republikanëve, pohon se, tani duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe në asnjë mënyrë mos të tolerojmë që i njëjti individ, Thaçi, tani në postin e Presidentit, gjatë marrëveshjes Kosovë - Serbi, ta vendosë në tavolinë ndarjen e Kosovës!

“Të gjithë ata që sot falin territor dhe e rrezikojnë sovranitetin e Kosovës një ditë do të përgjigjen para ligjit.

Çfarë konsiderohet tradhti kombëtare?

Në terma juridikë tradhtia kombëtare cilësohet si akti më ekstrem kundër kombit dhe sovranitetit të një vendi dhe si e tillë është objekt i veprës penale që ndëshkohet me ligj. Ndër të tjerat si tradhti kombëtare konsiderohet edhe “Marrëveshja për dorëzim territori”.

Sipas kodit penal një nen specifik që përcakton ndëshkimin e tradhtisë:

“Marrëveshja për dorëzim territori”, të parashikuar nga Kodi Penal. Nga ajo çka parashikohet në Kodin Penal, konsumimi i veprës penale parashikon se marrëveshjet e bëra me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim, tërësisht apo pjesërisht të territorit, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet”, thekson ai.

“Përderisa qytetarët e Kosovës i votojnë këta lloj politikanësh të cilët në agjendë kanë vetëm interesat e tyre personale dhe si ti mbajnë karriget e tyre sa më gjatë, Kosova çdo ditë e më shumë do ta humbë rrugën e saj të zhvillimit demokratik dhe busullën drejt integrimit evropian”, përfundon Faton Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat