BIK-u shkarkon imamin që njohu teorinë e evolucionit e tha se ateistët mund të shkojnë në xhenet - Bota Sot
BIK-u shkarkon imamin që njohu teorinë e evolucionit e tha se ateistët mund të shkojnë në xhenet

Religjion

BIK-u shkarkon imamin që njohu teorinë e evolucionit e tha se ateistët mund të shkojnë në xhenet

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 18:48
Imami, Drilon Gashi

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Gashi ka njoftuar se ka marrë nga BIK-u vendimin se i shkëputet kontrata, për shkak të deklaratave të tij.

“Të nderuar miq, ju njoftoj që sot e mora këtë vendim nga kryesia e Bashkësisë Islame, përmes të cilit më shkëputet kontrata e punës dhe shkarkohem përfundimisht nga detyra e imamit në Xhaminë Nur në Vitomericë të Pejës”, ka shkruar Gashi, teksa ka shtuar se “arsyetimi i tyre çuditërisht thotë se përmes deklaratave të mia paskam shkelur Kuranin dhe traditën profetike”.

“Ndërsa unë deklaroj që çdo herë jam munduar ta pasoj vetëm argumentin, të vërtetën dhe t’i qëndroj besnik rrugës së drejtë dhe Kuranit. Sa u përket këtyre akuzave, unë do t’i elaboroj ato edhe një herë me gjerësisht dhe në mënyrë argumentuese. Mirëpo, ajo që dua të theksoj është që dobësia themelore e kësaj pjese të lidershipit të tanishëm të Bashkësisë dhe grupeve tjera islamike në përgjithësi, është mungesa e të menduarit racional. Nëse dëshiron të punosh me ta, ata nuk do t’ju lejojnë të mendoni në mënyrë kritike e as të dialogoni, me pretekstin se po kundërshtoni parimet e dëgjimit dhe bindjes. Ky parim ua lehtëson atyre të eliminojnë çdo mendje kritike të ndonjë prej anëtarëve të tyre, dhe ata që rezistojnë përjashtohen”, ka thënë ish-imami.

Ai ka thënë tutje se nuk është “i zhgënjyer pse ia mbyllën derën e Xhamisë, më hodhën në rrugë dhe mbeta i papunë, por më dhemb zemra për këtë sistem të instaluar brenda institucionit më të madh fetar në vend, i cili në këtë mënyrë, katërcipërisht po bie nën ndikimin e ideologjive dhe doktrinave fetare politike të jashtme”.

“Kontributi im nuk do të ndalet asnjëherë. Hulumtimi dhe gjurmimi i të vërtetës më mban gjallë, më bën të lirë, më jep jetë dhe shpresë. Zotit i ankohem dhe tek Ai mbështetem”, ka thënë ai në fund.

Në arsyetimin e BIK-ut, të cilin e ka publikuar në profilin e tij në Facebook Drilon Gashi, thuhet se është vërtetuar se deklarimet e tija publike bien ndesh kaëtrcipërisht me doktrinën dhe postulatet islame që bazohen në Kuran dhe Synet, si dhe me qëndrimet e të gjithë dijetarëve të Ymerit.

“Pohimi se Ademi (njeriu) është rezultat i evolucionit nga lloji i kafshëve, mohimi i ekzistencës së xhinëve apo, pohimi se ateistët do të shkojnë në xhenet, etj. ka përhapur paqartësi, të cilat i ka kryer i lartpërmenduri”, thuhet në arsyetimin e BIK-ut.

Sipas BIK-ut, Gashi “duke deklaruar evolucionin pa mos e argumentuar edhe me një të vetmen dëshmi por vetëm me insinuata e hamendje, dhe me deklarimet e tij të cilat bien ndesh edhe me parimet Islame ka shkaktuar pakënaqësi në kolektivin ku punon dhe në tërë territorin e Kosovës dhe tek myslimanët duke përhapur të pavërteta, ka shkelur mbi interesat e Bashkësisë Islame të Kosovës”.

Kësisoj, Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë ka vendosur që Gashit “t’i shkëputet kontrata e punës dhe të shkarkohet njëkohësisht nga detyra e imamit, hatibit dhe mualimit në xhaminë ‘Nur’ në fshatin Vitomiricë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...