Kur’ani, Profeti Muhamed dhe Ramazani

Religjion

Kur’ani, Profeti Muhamed dhe Ramazani

Nga: Rexhep Torte Më: 7 maj 2021 Në ora: 09:05
Rexhep Torte

Kur’ani Famëlartë po të  zbatohet, kuptohet dhe interpretohet drejt dhe me përpikëri, është e vetmja shpallje hyjnore dhe i vetmi libër i shenjtë që i sjell lumturi njeriut si individ, familjes, shoqërisë dhe mbarë njerëzimit.

Kur’ani në të gjitha ajetet kuranore që në fillim e gjer në mbarim këshillon, edukon dhe mëson vetëm për kryerjen e veprave të mira, me udhëzime lumturuese për punëmirët dhe me paralajmërime shkatërrimtare për keqbërësit.

Zbatimi i  këshillave dhe udhëzimeve kuranore  që i sjellin njeriut  lumturi dhe mirëqenie në këtë jetë dhe në jetën e përtejme  konsistojnë në adhurimin e Zotit Një, krijuesit të qiellit dhe tokës dhe në  kërkimin e ndihmës së tij për  zgjidhjen e çdo problemi apo për realizimin e çdo dëshire dobiprurëse.

Zbatimi i këshillave dhe udhëzimeve kuranore mbështeten në drejtësinë, mëshirën, solidaritetin dhe ndihmën e ndërsjellë  midis njerëzve.

Mysliman i devotshëm  konsiderohet vetëm besimtari që e adhuron dhe i frikësohet Allahut Një, që fal namazin dhe jep zekatin nga pasuria që e posedon.

Zekati përbën dhënien e një pjesë të caktuar nga pasuria e myslimanit si shenjë adhurimi  ndaj Allahut,  që është i obliguar ta jep myslimani i devotshëm, për të ndihmuar, të varfëritë, nevojtarët dhe udhëtarët gjatë vështirësive që hasin në udhëtimin e tyre.

Sipas Kur’anit nuk konsiderohet besimtar i devotshëm myslimani  i cili e ka sofrën e vet plot, ndërsa fqinji, ose farefisi i tij e kanë sofrën e zbrazët.

Sipas Kur’anit nuk konsiderohet besimtar i devotshëm myslimani  që kryen punë të liga, që është shpifës i së keqes, ngatërrestar dhe që  nuk e respekton drejtësinë, mëshirën dhe solidaritetin.

Profeti Muhamed është profeti i fundit dhe personaliteti shembullor i papërsëritshëm njerëzor për paqe, fisnikëri, tolerancë, mëshirë, bamirësi  dhe harmoni mbarë njerëzore.

Profetit Muhamed i është shpallur Kur’ani Famëlartë nga engjëlli Xhebrail në kohëzgjatje prej 23 vitesh. Ky  libër i shenjtë është udhëzim dhe paralajmërim për mbarë njerëzimin.

Kur’ani hyjnor nëpërmjet Profeti Muhamed përçon udhëzimet  profetike të  Zotit të Madhërishëm, Krijuesit të  botës në këtë jetë dhe në jetën e përtejme, dhe  tregon rrugën e drejtë dhe të vetme, se vetëm duke e adhuruar  me devotshmëri Zotin e Madhërishëm, me besim të sinqertë dhe vetëm duke kryer punë të mira e të dobishme për njëri tjetrin,  mund të bëjmë një jetë të lumtur për veten tonë,  për familjen, dhe  shoqërinë në zgjidhjen e konflikteve individuale, familjare, shoqërore dhe mbarë njerëzore.

Kur’ani që nga fillimi e gjer në fund  i konsideron mëkat të madh dhe të dënueshme nga Zoti i Madhërishëm veprat  e liga dhe të dëmshme që nuk e respektojnë mëshirën , respektin dhe ndihmën e ndërsjellë në familje dhe në shoqërinë në tërësi.

Majkël Hart, historian amerikan, në librin e tij  “The 100, a ranking of the most influential person in history” (100 njerëzit  më me ndikim në histori), e ka vendosur Profetin Muhamedi, të dërguarin e All-llahut në vendin e parë në historinë e njerëzimit, ku ka thënë, “E kam zgjedhur Muhamedin të jetë i pari në listën, edhe pse sigurisht  do të habiten shumë për këtë përzgjedhje  dhe kanë të drejtë, por Muhamedi është njeriu i vetëm në histori  që ka pasur sukses në nivel fetar dhe të kësaj bote. Ai është udhëheqës politik, komandant ushtarak, prijës fetar , dhe pas kalimit të 13 shekujve  nga vdekja e tij, ndikimi i Muhamedit vazhdon të jetëi fuqishëm dhe i freskët”.

Thënia e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi  më i mirë është udhëzimi i Profetit Muhamed.

Veprat më të liga janë ato të shpifurat që çojnë në lajthitje dhe lajthitja çon në zjarr.

Sipas Kur’anit falenderimi i takon vetëm Allahut dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Nga  Allahu  kërkojmë mbrojtje prej gabimeve  të vetes s’onë  dhe veprimeve tona të liga . Kë  e udhëzon Allahu  s’ka kush e lajthit dhe kë  e largon Allahu nga rruga  e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se Allahu është një dhe se Profeti Muhamed është i Dërguari i tij.

Bekir Halimi, studiues i Fesë Islame dhe autor ilibrit me titull “ I këtillë ishte Muhamedi Sal-la lallahu Alejhi  Vesel-lem”,  ka dhënë një kontribut i vyer  për vërtetësinë e personalitetit të Profetit Muhamed mbështetutr në fakte Kur’anore, të dijetarëve  dhe të  biografëve  që flasin për jetën,  pamjen,  virtytet dhe  veprimtarinë  e Profetit Muhamed.

Fytyra e Profetit Muhamed ishte e bukur, e rrumbullakët, e ndritshme dhe e bardhë në të kuqe që shkëlqente  si  një copë e Hënës. Ballin e kishte të gjerë që vetëtinte  si dielli. Djersët e tij  në fytyrë dukeshin si  margaritarë  dhe era e djersëve ishte më e  këndshme se mysku.

Kur zemërohej, dukej sikur shega  ta kishte derdhur  ngjyrën e vet në faqet e tij të llëmuara. Vetullat i kishte si hark por jo të  bashkuara. Sytë i kishte të mëdhenj, e bardha e syrit e përzier me të kuqe, beben e syrit e kishte shumë të zezë  dhe qerpikët të gjatë e të dendur.

Gojën e kishte të bukur dhe të madhe. Kur buzëqeshte dhëmbët e tij dukeshin si margaritarë. Mjekrën e kishte  të bukur e të dendur, që i mbulonte fytin dhe një pjesë të gjoksit. Ballin e kishte të  gjerë, kokën e madhe dhe qafën e gjatë. Flokët i kishte pak kaçurrela të ndara në mes.

Gjymtyrët, shpatullat dhe gjunjët i kishte të mëdha. Duart i kishte më të buta se mëndafshi. Trupi i tij ishte i drejtë, i fortë  jo shumë i shëndoshë, nga shoqëruesit e tij dukej më i gjatë. Profeti Muhamed ecjen e kishte të shpejtë. Këmbët në tokë i vinte plotësisht sepse i kishte  të shtruara. Kur dëshironte të shihte anash kthehej me tërë trupin. Ecte lehtë dhe shpejt.

Profeti Muhamed fliste qartë, rrjedhshëm dhe kuptueshëm. Allahu ia kishte dhënë mundësinë që me pak fjalë të shprehte shumë kuptime. Personaliteti i tij mbështetej në parimet e veta dhe  qëndrueshmërinë e tij në këto parime, të stolisura me moral  të lartë, sjellje  korrekte me dashamirët  dhe miqtë,  modesti  dhe thjeshtësi larg çdo komplikimi dhe shtirjeje.

U mbeti besnik  tërë jetës parimeve  të veta, e kumtoi shpalljen hyjnore  dhe i përhapi mësimet fisnike, të cilat shumica e atyre që e armiqësojnë  dhe e ofendojnë nuk i njohin sa duhet këto mësime tejet të dobishme pë jetën tonë.

Profeti Muhamed  i ka të përmbledhura të gjitha  tiparet e mirësisë dhe  të gjitha tiparet  e plota njerëzore, që i shpresojnë dhe dëshirojnë njerëzit e mençur, e që janë në përputhje  me natyrën e njeriut.

Profeti Muhamed ishte burim i dashurisë, ngrohtësisë së  ndjenjave, emocioneve  dhe dhembshurisë  për familjen e vet dhe jashtë familjes.

Edhe pse kishte obligime dhe detyra të mëdha e me përgjegjësi,  si kryetar shteti, komandant ushtrie, udhërrëfyes shpirtëror dhe i moralit të popullit të vet, ai nuk neglizhonte të jetë  i dashur dhe i afërt me familjen  e vet, duke u ndihmuar  grave edhe në punët e shtëpisë.

Profeti Muhamed  e respektonte të vërteten dhe drejtësinë dhe gjykonte sipas tyre. I dobëti trajtohej si i fuqishmi derisa ta merrte  hakun e vet, kurse i fuqishmi  trajtohej si i dobëti  derisa të merrej hakun nga ai.

Fisi Mahzum kishte kërkuar ndërmjetësim te Profeti Muhamed për ta shpëtuar nga dënimi nje grua që kishte vjedhur. Profeti Muhamed i hidhëruar nga ky gjest,  tha: ” Pasha Allahun , nëse Fatimeja , bija e Muhamedit  do të kishte vjedhur, do t’ia kisha prerë dorën”.

Profeti Muhamed  dallohej shumë edhe për nga morali  i lartë me të afërmit dhe të largëtit, me miqtë dhe armiqtë. Njerëzit i  takonte me buzëqeshje dhe gojëmbël, të keqen  e kthente me të mirë dhe nuk merrej me punë të ulëta.

Kur ithtarët e tij kërkuan nga Profeti Muhamed që të  lutet kundër idhujtarëve, ai u përgjigj, “Nuk jam dërguar si mallkues, por jam dërguar si mëshirë”.

Para 14 shekujve kur Profeti Muhamed  ishte kryetar shteti, kishte pushtet  dhe fuqi dhe kishte  shokë dhe ithtarë  që ishin të gatshëm  të bëjnë çmos  për ta mbrojtur, disa çifutë  dashakeq  kinse po e përshëndesin  i  thanë Profetit Muhamed “ Vdekja qoftë për ty”, ndërsa  Profeti Muhamed ua ktheu  përgjigjen , “Edhe për Ju”. Kur e dëgjoi  Aisheja bashkëshortja e tij këtë reagim të butë  u nevrikos tejmase , dhe u dha përgjigje me mallkime  dhe ofendime çifutëve. Profeti Muhamed reagoi ndaj kësaj sjellje të  Aishes, duke i thënë , “ Ngadalë o Aishe , sepse Allahu  e do mirësinë  në të gjitha çështjet”.

Sot ka njerëz mediokër dhe dashakeq  që e akuzojnë Profetin Muhamed  se gjoja ka qenë  kundër shkencës dhe civilizimit. Mirëpo e vërteta është se Profeti Muhamed ishte ai që i vendosi themelet  e shkencës dhe të civilizimit, mbi të cilat u ngrit Shteti Islam dhe e ngjalli rruzullin tokësor për shekuj me radhë.

Profeti Muhamed është pishtar i shkencës dhe civilizimit, sepse edhe fjala e parë e Kur’anit që iu shpall është “IKRE”

Me këtë rast nuk duhet lënë pa përmendur edhe  ngritjen e universiteteve dhe bibliotekave  të mëdha në Bagdad, Kajro, Kajrevan, Andaluzi (Spanjë) dhe kujdesin për shkencën dhe shkencëtarët, sa që në kohën e Harun Rashidit  përkthimi i një libri  dhe përpilimi i tij  paguhej me flori, aqë sa peshonte libri, aqë flori i jepej autorit.

Myslimanët  për fat të keq sot janë në një gjendje të mjerueshme dhe në prapambetje, për vetë faktin se janë larguar  nga Kur’ani, janë larguar nga porositë e  Profetit Muhamed.

Profeti Muhamed para 14 shekujve tregoi mëshirë dhe respekt ndaj femrave. Para ardhjes së Profetit Muhamed  gruaja nuk kishte aspak të drejta, nënçmohej, poshtërohej, madje edhe varrosej e gjallë.

Profeti Muhamed gruas ia dha  lirinë dhe jetën normale, duke e konsideruar dhe nderuar të barabartë me mashkullin. Sjellja e mirë ndaj femrës u bë kriter i mirësisë së pasuesve të tij , duke thënë, “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë  ndaj grave të veta”. “ Besimtarë më të mirë janë ata  që kanë moralin më të mirë, kurse  më të mirët në mesin e tyre  janë ata, që janë më të mirë ndaj grave të tyre”. “Silluni butë me gratë, sepse janë shumë të ndjeshme”, “ Ua ndaloj  kategorikisht të nëpërkëmbni  të drejtat  e dy të dobëtëve: jetimit dhe  gruas”. Profeti Muhamed edhe në momentin e fundtit të jetës së tij e dha amanetin , “Ju porosis  që të silleni mirë me gratë”.

Profeti Muhamed nuk ishte i mëshirshëm vetëm ndaj ithtarëve të vet, por ishte i mëshirshëm edhe ndaj kundërshtarëve të vet qofshin hebrenjë apo të krishterë.

Një fqinj çifut çdo ditë para shtëpisë së Profetit  Muhamed hidhte mbeturina. Profeti Muhamed këtë vepër të keqe nuk e përballonte me ashpërsi, por  e pastronte këtë bërllok, sepse  jetonte për qëllime fisnike  dhe mendonte për shpëtimin e njerëzimit nga vështirësitë.

Një ditë hedhja e bërllokut u ndërpre dhe Profeti Muhamed shkoi ta vizitojë çifutin në shtëpi ku e gjeti të sëmurë. Kjo vizitë e befasoi për së miri çifutin, i cili pa mëdyshje  hyri në fenë Islame.

Kjo tregon për mëshirën dhe dhembshurinë e Profetit Muhamed edhe ndaj  njeriut që i nxirrte lloj lloj pengesash me bërllokun.

Profeti Muhamed nuk ishte i ashpër dhe i vrazhdët. Idhujtarët e munduan, e keqtrajtuan, e internuan, mirëpo këto sjellje të tyre Profeti Muhamed i ktheu në bamirësi, mëshirë dhe kujdesej shumë që ata të udhëzohen.

Kur Profeti Muhamed shkoi në Taifi  për t’i ftuar  idhujtarët në Islam, në shpëtim, ata e refuzuan dhe e gurëzuan duke e përgjakur. Kur arrijti Xhibrili me melekët  të hakmerren, Profeti Muhamed  dha një përgjigje që ka hy në histori, ”Allahu im, falja popullit tim, sepse këta nuk dijnë”.

Profeti Muhamed ishte komandant i respektuar, shok i dashur, dhe i lartësuar me nderim  dhe që askush nuk ia kundërshtonte urdhrin. Profeti Muhamed  i donte të fukarenjtë, kishte dhembshuri ndaj tyre, rinte me ta , bisedonte, solidarizohej  dhe mundohej ta fus gëzimin në zemrat e tyre.

I huaji që vinte nga larg  kishte të drejtë për ushqim, veshmbathje , strehim , punë, shëndet dhe arsim.

Popujt në botën e sotme kanë nevojë të madhe  për një administratë të mbikëqyrur nga sistemi moral , që i lehtëson marrëdhëniet midis njerëzve, dhe i jep secilit hakun e vet, që të mos  humbin kohë pas procedurave të komplikuara dhe të drejtave të cenuara.

Profeti Muhamed ishte mëshirë për të gjithë. Baza e administratës së Profetit Muhamed ishte lehtësimi  i procedurave, duke i urdhëruar nëpunësit  që të jenë të pastër e të moralshëm në sjelljen e tyre me njerëzit.

Kur i dërgoi në Jemen  Muadhin dhe Ebu Musa  Eshariun si gjykatës  u tha,” Përgëzoni dhe mos largoni,  dhe  mos vështirësoni”.

Administrata e Profetit Muhamed kishte  seriozitetin dhe vendosmërinë, duke  ndaluar kategorikisht që të përcaktohet nëpunës  një person, duke pasur të tjerë më të aftë se ai. Administrata e  Profetit Muhamed ishte  shumë e vendosur  në llogaridhënie të nëpunësve  dhe atyre që bëjnë lëshime gjatë punës.

Profeti Muhamed thoshte, “Një dënim shumë i madh i pret ata që  mashtrojnë me veprimet e tyre , dhe ky dënim është privimi  nga Xheneti, me të cilin i ka përgëzuar të gjithë njerëzit.

Profeti Muhamed kishte mëshirë edhe ndaj kafshëve dhe shpezëve, duke ndaluar që kafsha të ngarkohej më shumë se mund të  mbajë. Ndaloi që kafshës t’i jepej pak ushqim,  ndaloi që kafsha të vritet pa të drejtë,  ndaloi që kafsha të bëhej shënjestër stërvitjeje për gjuetarë, sepse kjo ishte keqtrajtim i kafshëve.

Profeti Muhamed e ndaloi që njerëzit të bëjnë gara  për argëtim duke i vënë të kacafyten kafshët etj. Mëshirë të njëjtë Profeti Muhamed kishte edhe për shpendët.

Duke urdhëruar me ithtarët e tij  Profeti Muhamed  vërejti se ithtarët  i kishin marrë nga çerdhja zogjtë e një bylbyli, dhe urdhëroi që zogjtë  të kthehen në çerdhen   bilbilit të trishtuar.

Profeti Muhamed  ka arritur të ofrojë një organizim preciz  dhe homogjen, ku gërshetohen  kërkesat e shpirtit  me ato të trupit. I solli diçka të re botës, ku përzihen  gjërat shpirtërore  me ato materiale  në një harmoni  aqë të përkryer sa që nuk ishte parë më herët, duke ndërtuar një shtet ku s’ka jetë pa fe  dhe një fe që është e aftë  të krijojë një shtet të drejtë.

Profeti Muhamed arrijti t’i shërojë plagët e shpirtit , që i kishte shkaktuar jeta materialiste  dhe ta mbush zbrazëtinë  e shkaktuar  nga largimi i njerëzve ndaj kujdesit  për shpirtin.

Profeti Muhamed ishte një mësues i sinqertë shpirtëror, një politikan  i pastër dhe një qeveritar i drejtë. Kjo i ndihmoi t’i bashkojë shumë  fise të egra  dhe që ishin  në luftë mes tyre, duke ndërtuar lavdinë  dhe duke ngritur jetën  nën flamurin e besimit  në Allahun.

Ajo që e dallonte jetën e  Profetin Muhamed  dhe fenë e tij prej feve dhe ideologjive  tjera ishin mësimet e prera, që ua kishte dhënë ithtarëve të vet, që të kujdesen  për pastërtinë dhe ta ruajnë ambientin.

Profeti Muhamed i mësoi pasuesit e tij që t’i lajnë gjymtyrët e trupit, fytyrën, hundën, gojën, duart, këmbët  pesë herë në ditë, ndërsa larjen e trupit sa më shumë, por së paku një herë në javë, dhe sa herë që njeriu bëhet  xhunub.

Profeti Muhamed ka këshilluar që të mos ndoten vendet  me mbeturina afër njerëzve. I ka mësuar myslimanët të pastrohen pas kryerjes së nevojës. I ka mësuar t’i pastrojnë rrobat nga ndyrësirat.

Profeti Muhamed para 14 shekujve ua ka mësuar myslimanëve  parimin e karantinës, që të mos hyjnë e dalin nga një vend ku ka epidemi, që edhe sot karantinimi është bërë i domosdoshëm për mbrojtjen nga KOVID-19 që e ka pllakosur botën.

Profeti Muhamed tërë këto aktivitete i ka bërë për ta mbrojtur shëndetin e njerëzimit.

Njeriu që sot jeton në një kohë  me shumë presione shoqërore  dhe sëmundje psikike,  ka nevojë të madhe për  një buzëqeshje  të ngjashme me atë të Profetit Muhemed dhe të pasuesve të tij, për t’i  tejkaluar vështirësitë e jetës  dhe presionet e shoqërisë që shkaktojnë  kriza psikike, që e vështirësojnë jetën  e njeriut, duke e rrezikuar lumturinë dhe  rehatinë shpirtërore.

Profeti Muhamed  e preferonte  lehtësimin për njerëzit  dhe nuk e donte  vështirësimin e punëve për njerëzit, ai thoshte, “ Përgëzoni dhe mos largoni, lehtësoni dhe mos vështirësoni”., “Jeni dërguar që të lehtësoni e jo që të vështirësoni”.

Në historinë e njerëzimit  hasim personalitete dhe udhëheqës, të cilët gjatë fitoreve apo humbjeve të tyre, si cilësi të përbashkët e kanë patur hakmarrjen, cilësi e cila nuk është e pranishme  te Pejngamberët e Allahut.

Profeti Muhamed  është shembulli më  bindës  ne këtë  drejtim. Edhe pse ishte i dëbuar nga Mekeja , edhe pse i ishin uzurpuar  pronat dhe pasuria, edhe pse  ishte lënduar  rëndë gjatë fillimit të  përhapjes së  Shpalljes Hyjnore, edhe pse kishte pësuar edhe shumë peripeci tjera, ai kur  hyri si ngadhënjimtar dhe fitimtar në Meke, madhështia e personalitetit të tij  nuk e lejuan  që të hakmerret, por  e fali secilin  që i kishte bërë zullum.

Profeti Muhamed bëri amnisti të përgjithshme, edhe pse kishte mundësi  të hakmerret ashpër ndaj ndaj keqbërësve.

Profeti Muhamed  ua tha të gjithëve një fjali që ka hy në histori, “ Shkoni se jeni të lirë”. Kështu  Profeti Muhamed i edukonte ithtarët e vet  që të pasurohen me moral  të lartë  dhe të çlirohen nga përkufizimet  subjektive egoiste.

Allahu i Madhërishëm për këtë sjellje e ka urdhëruar Profetin Muhamed edhe në Kur’an, “ Ti (Muhamed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve”.

Profeti Muhamed sillej si njeri i rëndomtë  dhe veprimet e përditshme bënin pjesë në personalitetin e tij. Kështu që edhe sporti ishte pjesë përbërëse e jetës së tij. Ai merrej  me vrapim, mundje dhe  kalorësi, dhe i   nxiste edhe shokët që të merren me sport  për ta forcuar  trupin dhe për tu argëtuar   në dobi të shoqërisë, duke mos shkaktuar dëme në pasuri, në  shpirt dhe në moral.

Profeti Muhamed në mes të shkretëtirës, në një vend që nuk njihte civilizim  dhe qytetërim ndërtoi një  sistem arkitektonik  superior të dalluar, duke marrë në konsideratë  interesin e shtetit  dhe të shoqërisë .

Xhamia ishte qendra e kryeqytetit, aty ishte qendra e udhëheqjes  dhe e tubimeve gjatë ndodhive të rëndësishme dhe emergjente.

Xhamia ishte edhe strehimore  e të varfërve  derisa shteti dhe shoqatat humanitare  t’u siguronin  ushqim, veshmbathje  dhe strehim. Ishte strehimore edhe për të huajt që  që vinin nga jashtë. Planifikimi urbanistik asokohe parashihte ndërtimin e çarshisë dhe tregut  përreth xhamisë, që të jetë  më lehtë për tregtarët  dhe blerësit, si edhe komunikimi me xhaminë dhe faljen e namazit.

Në qytetin e Profetit Muhamed  populli  ishte një tërësi e lidhur  mes vete dhe të gjithë informoheshin  për ndodhitë  pa asnjë dallim.

Studiuesit habiteshin  me aftësitë e mëdha  të Profetit Muhamed, për ta shndërruar një popull  të pashkolluar  që nuk dinte shkrim e lexim  në një popull që mburrej me dijen dhe dijetarët  që zunë pozita shumë të larta  në shtet dhe shoqëri.

Kjo tregon se Profeti Muhamed ka patur aftësi  të madhe pedagogjike, ka qenë orator elokuent,  ligjërues i mrekullueshëm  dhe pedagog i suksesshëm.

 Profeti Muhamed i stimulonte vazhdimisht ithtarët e tij  që ta shtojnë diapazonin e dijes së tyre , duke u thënë, “Kërkimi i dijes është detyrim i çdo myslimani”.

Profeti Muhamed me sjelljet e tij me mirësi e mëshirë dallohej edhe në luftë,  edhe atëherë kur duhej të tregonte  ashpërsi e vrazhdësi.

Profeti Muhamed me moralin e tij fisnik  dhe mësimet e larta të zbritura nga Allahu, pa marrë parasysh kush ishte armiku i vet nuk e thyente  marrëveshjen derisa  nuk e thyente pala tjetër.

Pa marrë parasysh kush e kishte epërsinë në luftë  ai nuk i keqtrajtonte të plagosurit  e as  robërit, nuk i masakronte  kufomat e tyre, madje edhe ushtarëve  të vet ua ndalonte  që të bëjnë kësi veprimesh  pa marrë parasysh  se çfarë ndodhte, duke i dhënë  njerëzimit shembuj fisnikë  të sjelljes korrekte gjatë luftës.

Në një prej betejave  vendimtare  ku luftonte edhe Profeti Muhamed, Aliu radijAllahu  anhu,  vërejti një ushtar  të mbuluar në kokë, duke i masakruar  kufomat, dhe këtë vepër e bëri edhe ndaj  Hamzasë radijAlllahu anhu.

Kjo pamje e nervozoi shumë këtë komandant  dhe vendosi t’i hakmerret këtij ushtari armik duke e zhdukur. Kur iu afrua  u befasua, se ky ushtar  nuk ishte burrë, por ishte një grua e veshur me rroba burri. 

Kjo gjë e vuri në dilemë . A të hakmerret apo ta falë, ngadhënjeu  falja, e cila ishte rezultat i edukimit nga Profeti Muhamed.

Çfarë madhështie është kjo ?! Ç’farë respekti i madh është ky ndaj  gruas, edhe kur është në radhët e armikut . Kjo është madhështia e Profetit Muhamed dhe e shokëve të tij.

Sot edhe pse ka marrëveshje  dhe konventa ndërkombëtare, sërish robërit e luftës  persekutohen dhe keqtrajtohen fizikisht  dhe psiqikisht, dhe u shkelen të drejtat  njerëzore në mënyrë flagrante.

Profeti Muhamed që para 14 shekujve i përcaktoi botës një  metodologji humane njerëzore  për sjelljet ndaj robërve të luftës, të cilën po ta zbatonim  sot do të dilnim nga kriza e  robërve të luftës në të cilën ndodhemi.

Profeti Muhamed e ka ndaluar  kategorikisht, që të shkelen  të drejtat e robërve të luftës pa marrë parasysh arsyetimet e ndryshme. Sipas mësimeve të Profetit Muhamed, nuk lejohet  që robërit të keqtrajtohen fizikisht e psiqikisht, nuk lejohet të shahen, ofendohen , t’u ndërpritet ushqimi dhe uji.

Këto sjellje  përmenden  edhe Kur’anin Famëlartë, ku përshkruhen ithtarët e Profetit Muhamed, ku thuhet se “ Ata janë që për hir të Tij  u japin ushqim të varfërve, jetimëve  dhe të zënëve robër”.

Profeti Muhamed është shembulli më i mirë kundër  luftërave të pamoralshme, ku shkelen të drejtat e robërve të luftës, gjë që tregon për  mirësinë  e karakterit dhe të virtyteve te tij, për çka mund të shkruhen   libra të pafund.

Muaji i Shenjtë i Ramazanit, është muaji në të cilin engjëlli Xhebrail filloi t’ia zbret Profetit Muhamed Kur’anin Famëlartë.

Muaji i Shenjtë t Ramazanit, është muaji i adhurimit të Allahut Një, është muaji i mëshirës, bamirësisë dhe solidaritetit.

Muaji i Shenjtë i Ramazanit  është muaji  i cili ndihmon në fisnikërimin dhe pastrimin e shpirtit të besimtarëve nëpërmjet adhurimit të Allahut, faljes së namazit, leximit të Kur’anit dhe ndihmës të varfëve.

Muaji i Shenjtë i Ramazanit nëpërmjet agjërimit troket në ndërgjegjen e besimtarit, ia kujton myslimanit  çdo të thotë të jesh i uritur për ushqim dhe e etur për ujë.

Këto janë mesazhet që dalin nga ky libër për jetën dhe veprimtarinë e Profetii Muhamed, mbi bazën e Kur’anit, të dijetarëve dhe të biografëve të Profetit Muhamed, të këtij personaliteti njerëzor  shembëlltyre të papërsëritshme, që duhet t’i dijë çdo mysliman dhe jomysliman për ta kuptuar  të vërtetën për Kur’anin dhe Profetin Muhamed.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat