Trashëgimia fetare është tregues dokumentues i vazhdimësisë ose ndërprerjes historike të një kulture dhe komuniteti.
Objektet sakrale janë dëshmi materiale të pranishmërisë historike — ku ato ruhen, tregojnë një vazhdimësi kulturore dhe shpirtërore; ku ato zhduken, shpesh pasqyrojnë ndërprerje historike të komuniteteve që i kanë ndërtuar.
Vranja, ku xhamitë osmane pothuajse nuk ekzistojnë më, paraqet një model të ndërprerjes së vazhdueshme të një komuniteti që dikur ishte pjesë integrale e jetës urbane. Kështu Vranja kaloi nga pluralizmi osman e deri në zhdukjen e objekteve islame
Gjatë periudhës osmane, Vranja ishte një qendër urbane me strukturë të përzier fetare, ku objektet islame përbënin një pjesë thelbësore të peizazhit qytetar.
Sipas defterëve osmanë (nüfus dhe temettuat) dhe burimeve lokale të shek. XIX, në Vranjë ekzistonin disa xhami urbane, mejtepe dhe vakëfe dhe varreza myslimane të organizuara.
Pas pushtimit serb të viteve 1877–1878, ndodhi:
• shkatërrimi ose mbyllja e xhamive,
• ndërrimi i funksionit të objekteve fetare islame,
• zhdukja e toponimisë fetare shqiptaro-islame.
Vetë Jovan Hadži-Vasiljević pranon se pas 1878-s Vranja u “çlirua nga elementi mysliman”, çka në praktikë nënkuptonte zhdukjen e objekteve sakrale të tij. Sot, Vranja paraqitet si qytet monokonfesional, ku trashëgimia islame është ose e padukshme, ose e zhdukur plotësisht!
Vranja përfaqëson modelin e ndërprerjes së dhunshme të vazhdimësisë sakrale.
Zhdukja e objekteve sakrale të myslimanëve në Vranjë përbën një nga kapitujt më të errët dhe më pak të trajtuar të historisë urbane dhe demografike të Serbisë jugore. Ky proces nuk ishte i rastësishëm, as thjesht pasojë e kohës apo e modernizimit urban, por pjesë e një politike sistematike të spastrimit etnik, kulturor dhe fetar, sidomos pas vitit 1878, kur Vranja u aneksua nga Principata e Serbisë.
Xhamitë, mejtepet, teqetë, varrezat myslimane dhe vakëfet përbënin jo vetëm objekte kulti, por edhe shenja identitare të pranisë shekullore shqiptaro-myslimane në qytet.
Gjatë periudhës osmane (shek. XV–XIX), Vranja (İvranye) ishte një qendër urbane me përbërje të theksuar myslimane. Sipas defterëve osmanë (Nüfus, Temettuat), udhëpërshkrimeve osmane dhe evropiane dhe të dhënave të vetë Hadži-Vasiljević-it, qyteti kishte një numër të konsiderueshëm xhamish, lagjesh myslimane (mahalla), si dhe objekte ndihmëse fetare e arsimore. Në Vranjë ekzistonin xhami qendrore (xhami të vakëfeve të mëdha), xhami lagjesh, mejtepe dhe medrese dhe varreza myslimane brenda dhe jashtë qytetit.
Pas Luftës Serbo-Turke (1877–1878) dhe Kongresit të Berlinit popullsia myslimane (kryesisht shqiptare) u dëbua masivisht, qyteti u spastrua etnikisht dhe objektet sakrale myslimane mbetën pa komunitetin e tyre natyror. Ky moment shënon fillimin e zhdukjes së qëllimshme të trashëgimisë islame në Vranjë.
Format e zhdukjes së objekteve sakrale ishin shkatërrim fizik dhe shumë xhami u rrënuan, dogjën dhe u shkatërruan plotësisht, menjëherë pas hyrjes së ushtrisë serbe.
Disa objekte sakrale myslimane u shndërruan në depo, kazerma, stalla, u përdorën si ndërtesa administrative ose private dhe humbën çdo funksion fetar.
Kështu, emrat osmanë u zhdukën nga toponimia, nuk u ruajtën mbishkrime, pllaka dhe dokumentacioni. Xhamitë u zhdukën edhe nga hartat zyrtare!
Varrezat myslimane u rrafshuan me tokë, u mbuluan me ndërtesa dhe shnërruan në parqe apo objekte publike dhe mbetën pa asnjë shenjë përkujtimore.
Një aspekt veçanërisht problematik është heshtja e historiografisë zyrtare serbe, trajtimi selektiv i burimeve dhe justifikimi i shkatërrimeve si “pasojë lufte” ose “urbanizim”.
Edhe autorë si Hadži-Vasiljević, ndonëse japin të dhëna të vlefshme, shpesh i minimizojnë përmasat e zhdukjes, shmangin përgjegjësinë shtetërore dhe e paraqesin procesin si “natyror”.
Zhdukja e objekteve sakrale solli ndërprerjen e vazhdimësisë fetare, fshirjen e kujtesës kolektive të myslimanëve të Vranjës, pamundësinë e trashëgimisë materiale për brezat pasues dhe deformimin e historisë urbane të qytetit.
Sot, Vranja paraqitet si qytet “historikisht homogjen”, një konstrukt artificial që fsheh realitetin shumetnik të së kaluarës.
Përfundim
Zhdukja e objekteve sakrale të myslimanëve në Vranjë nuk ishte akt i izoluar, por pjesë e një projekti të gjerë të çrrënjosjes etnike dhe kulturore. Rikthimi i kësaj teme në diskursin shkencor dhe publik është në rënd të parë detyrim moral, nevojë historiografike dhe kusht për drejtësi historike.
Pa njohjen e xhamive të shkatërruara, tyrbeve dhe varrezave të rrënuara e të fshira dhe të komunitetit të dëbuar, historia e Vranjës mbetet e cunguar dhe e falsifikuar.