Të nderuar klerikë! Të nderuar dibranë dhe bashkëkombës të mi!
Sot shënojmë një ditë të shënuar dhe historike për kombin, një ngjarje që kujton guximin dhe sakrificën e këtyre dibranëve trima e të mirë, atdhetarë, fisnikë, që lartësuan me veprën dhe humanizmin e tyre kombin shqiptar në plejadën botërore.
Sot bota e qytetëruar e ka kthyer këtë datë në një ditë simbol të kujtesës botërore, për të mos harruar krimet që i ndodhën njerëzimit në Luftën e Dytë Botërore. Shqipërisë nuk mund t’i mungonte kontributi dibran në mbrojtje të jetëve njerëzore. Dibra, krahinë që ka qenë gjithmonë në kuvendin e të ardhmes së atdheut tonë të dashur.
Pikërisht këtu, nga kjo rrugë, në dimrin e vitit 1943, patrioti Imer Ndregjoni do të merrte në dorëzim nga patriotët e Tiranës, Xhemal Herri dhe Avdulla Mëniku, familjen hebraike të Emanuel Rubenit, të përbërë prej 7 vetash, që kishin ardhur nga Beogradi në Tiranë. Besa e shqiptarit është betim që shtëpia e tij është e mikut dhe e Zotit.
Dhe kështu do të vazhdonte rrugëtimi dyditor nga ky vend drejt fshatit të bukur dhe të egër të Katërgrykëve të Dibrës, Lukanit, përballë malit të Runjës, i rrethuar me pyje shekullore të Vanasit dhe të Bungës. Aty do t’i priste kapiteni, luftëtari kundër serbëve, i plagosur nga ky armik shekullor, burri i shquar i Lukanit dhe Katërgrykëve, Llan Ndregjoni, në shtëpinë e tij trekatëshe.
Por në shërbim të hebrenjve do të ishte i gjithë fisi Ndregjoni, do të ishte i gjithë fshati Lukan, fiset Brucet, Dervishët, Ndreka e Buci, Totrakët e Lleshët, Loshët, Kokët e Bushët. E gjithë krahina e Katërgrykëve, me Qafmurrën, Selishtën, Kacninë, të gjithë ishin në gatishmëri për të shpëtuar miqtë që ishin vendosur tek Ndregjonët.
Në fund të vitit 1945, këtë familje e mbajti me krenari trimi i Qafmurrës, mikpritësi dhe humanisti Ramadan Biba, në katundin e vjetër të Murrës, i cili i përcolli drejt Tiranës, ku shkuan në vendin nga kishin ardhur. Dhe kështu u mbyll kjo histori qëndrese dhe humane.
Mirënjohje Katërgrykëve të Dibrës për mbrojtjen që u bënë hebrenjve! Venerim atyre burrave e grave që ndanin bukën dhe ushqimin me miqtë e largët, por të kërkuar nga nazizmi gjerman. Mirënjohje këtyre burrave e grave që u bënë pjesë e mbrojtjes së miqve.
Jam krenar që jam lukanjak, katërgrykas, dibran. Ndregjonët, Biba dhe katërgrykët u bënë lavdi e Dibrës për këto vlera kombëtare.
Ne e nderojmë këtë ditë, sepse ajo është një dëshmi e lavdisë së kombit shqiptar dhe e qëndresës ndaj çdo pushtuesi, pavarësisht regjimit dhe ideologjisë që mund të na imponoheshin.
Ne sakrifikuam për t’u siguruar lirinë dhe jetën hebrenjve, por me largimin e trupave naziste ne u gjetëm vetë si komb përballë një diktature të egër, si nazizmi — diktatura e kriminelit Enver Hoxha. Çfarë u ndodhi këtyre qëndrestarëve, humanistëve dhe fisnikëve të Dibrës?
Patrioti Llan Ndregjoni do të vritej në vitin 1946 në përpjekje me kriminelin Shefqet Peçi. Do t’i vrisnin djalin Xhevitin, 18 vjeç, dhe djalin e xhaxhait, Xhetanin, 24 vjeç. Atë kullë që kishte mbrojtur hebrenjtë, barbarët komunistë do ta digjnin si kullë e armikut të komunizmit.
Ramadan Bibën, së bashku me Imer Ndregjonin, do t’i arrestonin dhe do t’i dënonin me dhjetëra vite burg, duke i dërguar në kënetën e Vloçishtit në Korçë, ku do të dilnin të sakatuar nga ai gulag ku kryheshin tortura çnjerëzore.
Dhe ne, trashëgimtarët e tyre, do të provonim luftën e klasave, një torturë çnjerëzore që vetëm komunizmi enverist shqiptar na e imponoi. Ne, antikomunistët, fisnikët shqiptarë, provuam edhe pas pluralizmit një përndjekje nga kjo klasë politike.
Askush nuk e kishte menduar se, 35 vite më vonë, pasardhësit e Byrosë Politike do të drejtonin vendin, do të kishin në dorë ekonominë, do të bënin ligje dhe do të vijonin të vendosnin fatin e shqiptarëve. Askush nuk e mendonte se drejtuesi i partisë që ekzekutoi Llan Ndregjonin dhe dënoi me dhjetëra vite burg Ramadan Bibën dhe Imer Ndregjonin, do të ishte sot në Izrael duke folur për antisemitizmin, pa i nderuar këta burra që nderuan Shqipërinë dhe pa u kërkuar falje për ekzekutimet dhe burgimet që u kishte bërë partia e tij.
Askush nuk e kishte menduar se 6.000 shqiptarë nuk do të kishin një varr në tokën e tyre, sepse partia që i zhduki do të sundonte me pasardhësit e enveristëve. Askush nuk e kishte menduar se partia e parë opozitare, e krijuar në dhjetor të ’90-s, do t’i bashkohej partisë sunduese, rilindjes komuniste, për të mos i dënuar krimet e komunizmit siç bëri Europa.
Nuk mund të ndërtohet demokracia me muratorë të ferrit komunist, nuk mund të mbrohet liria me dhunuesit e të drejtave të njeriut. Sot flitet për drejtësi për dëshmorët e partisë, dhe jo për vlerat e larta të kombit shqiptar, siç janë këta dibranë trima e fisnikë.
Po e mbyll fjalën time me një shprehje të Martin Luther Kingut: “Një padrejtësi në çfarëdo vendi është një kërcënim për drejtësinë kudo!”