Kushtetuta baritore mbi kishën në botën e sotme, “Gaudium et Spes” – Gëzimi dhe shpresa

Religjion

Kushtetuta baritore mbi kishën në botën e sotme, “Gaudium et Spes” – Gëzimi dhe shpresa

Nga: Don Lush Gjergji Më: 21 qershor 2022 Në ora: 12:54

Kjo Kushtetutë baritore përfundimisht është aprovuar nga etërit e Koncilit të Dytë të Vatikanit më 7 dhjetor 1965, pas shumë përpunimeve, ndryshimeve, përplotësimeve, diskutimeve në nivelin e komisioneve, teologëve, këshillimeve dhe takimeve të shumta.

Struktura bazë e kushtetutës baritore GS

Hyrja apo impostacioni bazë është binomi Kisha-Bota moderne tashmë në botëkuptimin e ri të njësuara dhe të afruara, mos të them edhe të bashkuara (krh. GS 1-3).

Gjendja e njeriut në botën e sotshme (khs. GS 4-10).

Pjesa e parë – Kisha dhe thirrja e njeriut (khs. GS 11-45), ku theksohen dhe përpunohen katër veçori:

Antropologjia e krishterë;

Mësimi social i Kishës;

Puna njerëzore;

Misioni i Kishës në botën e sotme.

Pjesa e dytë (khs. GS 46-90), që ndahet në këta kapituj:

Martesa – familja (khs. GS 47-52);

Nxitja e përparimit kulturor (khs. GS 53-62);

Jeta ekonomike-shoqërore (khs. GS 63-72);

Jeta e bashkësisë politike (khs. GS 73-76);

Promovimi i paqes dhe ndërtimi i bashkësisë së popujve (khs. GS 77-90);

Përfundimi (khs. GS 91-93).

Shprehja dhe kuptimi “Shenjat e kohës” për herë të parë është përdorur në enciklikën e famshme të papës Gjoni XXII “Pacen in terris” në prill të vitit 1963.

Koncili Dytë i Vatikanit përmend, shqyrton dhe analizon këtë “gjuhë” të re të Zotit dhe të kohës, sidomos në tri drejtime dhe aspekte:

Ngritja dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror i klasës punëtore;

Angazhimi dhe hyrja e gruas në jetën publike;

Përfundimi i kohës dhe përvojës së kolonializmit.

Sot, pas 50 viteve, cilat mund të jenë “shenjat e kohës” sonë që lypset analizuar dhe zbërthyer?

Sipas mendimit dhe vlerësimit time ka shumë shenja të tilla, por unë do t’i numëroj disa prej tyre, ato që më duken të rëndësishme dhe jetësore për ne:

Lëvizjet e ndryshme kishtare dhe të krishtera në botë, sidomos atë rinore dhe vullnetare, që e mbajnë bashkësinë e krishterë të gjallë dhe vepruese në shumë lëmi;

Prania e të huajve në Evropë dhe në botë, proceset e mërgimit, si për shkaqe të luftës, po ashtu edhe për mungesë të punës, që shkaktojnë gjithnjë e më shumë pluralizmin etnik dhe fetar;

Shekullarizimi i jetës dhe botës, sidomos i familjes, e cila vazhdimisht pëson ndryshime dhe kalon prej asaj patriarkale, tradicionale, të madhe, në atë bërthamore apo nukleare, të vogël, të përbërë prej bashkëshortëve dhe fëmijëve:

Revolucioni teknologjik në mjetet pamore-dëgjimore;

Dialogu i hapur ekumenik mes të krishterëve, dialogu ndërfetar me të tjerët, si dhe ai me ateistë;

Rrënimi i sistemeve ideologjike dhe proceset e globalizimit në mbarë botën.

Këto dhe shumë veçori të kohës sonë mund t’i përmbledhim në tri grupe ose me tri emërtime: Mungesa gjithnjë më e madhe e shpresë, qetësisë shpirtërore dhe gëzimit në jetën e njeriut, familjes dhe shoqërisë, një lloj lodhjeje dhe pakënaqësie, aty-këtu edhe shenja të dëshprimit.

Kushtetuta Gaudium et Spes përballon në mënyrë të gatshme çështjet e Kishës në botën bashkëkohore, si dhe “shenjat e kohës” për mbarë njerëzimin me të cilin ajo nuk është në ballafaqime, mbrojtje apo sulme, por në marrëdhënie të dialogut të hapur dhe të sinqertë, në bashkëndarjen e fatit, apo si thotë edhe vetë titulli, të gëzimeve dhe shpresave tashmë të përbashkëta.

Dialogu është një nga qëndrimet dhe synimet bazë të Konclit të Dytë të Vatikanit me të gjithë, pa kurrfarë animi apo përjashtimi.

Qëndrimi i parë i kushtetutës GS ndaj botës është pa dyshim bashkëndarja (khs. GS 4-11).

Orientimi pastoral ose baritor nuk është kurrsesi braktisja apo zëvendësimi i pjesës doktrinale, por atë e konkretizon dhe zbaton nëpërmjet bashkëpunimit dhe bashkëkërkimit me njerëzit vullnetmirë.

“Në pyetje është, pra, njeriu, njeriu i shqyrtuar në njësi dhe në tërësinë e tij, me trup dhe me shpirt, zemër dhe ndërgjegje, me arsye dhe vullnet, njeriu i tillë do të jetë boshti i paraqitjes sonë” (Dokumentet Konciliare, DRITA, 1992, GS 3, f. 108; khs. GS 10).

Kisha me bindje të plotë se Jezu Krishti është Shëlbuesi i njeriut dhe njerëzimit, analizon “shenjat e kohës” dhe sfidat e ndryshme për Kishën dhe botën moderne, si dhe propozon, ofron, mundëson bashkëjetesë dhe bashkëveprim.

Drama e botës së sotme sipas GS

Kisha katolike e pranon autonominë e ligjshme të realiteteve tokësore, njerëzore (krh. GS 36; 41; 56; 76), që konkretisht domethënë shkenca, kultura, arti, politika, ekonomia..., janë të lira dhe të pavarura prej Kishës, por jo edhe prej Zotit, duke dëbuar integralizmin dhe hegjemonizmin fetar apo kishtar. Kjo vetëdije dhe ky përcaktim është shumë i guximshëm, largpamës, do të thosha edhe profetik, sepse Kishën e liron prej çdo lloji të pretendimeve apo tundimeve tokësore, politike, ekonomike, sundimtare.

Nga ky parakusht apo parashtrim lind edhe promovimi i të drejtave dhe lirive njerëzore dhe fetare, pluralizmi, i cili ka edhe shumë kufizime dhe rreziqe, sidomos atë që teologu i madh H. De Lubac e quajti “tragjedia e humanizmit pa Zot”, apo papa Benedikti XVI vazhdimisht e cilëson si “diktatorin e ditëve tona” – relativizmin në çdo kuptim dhe drejtim.

Njeriu pa dyshim është dhe duhet të jetë qendra e jetës dhe veprimit, “porsi qendër dhe kulm i tërësisë” (LG 12), e jo në arbitrarizëm, anarkizëm apo relativizëm, pa ndonjë vlerë absolute dhe të pacenueshme për të gjithë.

Kështu ka lindur antropologjia moderne e cila ka disa aspekte të veçanta:

Dëshira dhe kërkesa e njeriut që të realizohet pa Zotin, në disa raste edhe kundër Zotit (khs.GS 12-13);

Njeriu që theksohet më tepër si korp, e më pak psikë dhe shpirt, si qenie e arsyeshme dhe shoqërore, si njësi specifike dhe e përbërë (khs. GS 14):

Ndërgjegjja njerëzore, si vend i privilegjuar ku zbulohet ligji i Zotit, të cilat ai nuk ia ka dhënë vetvetes, por të cilit duhet t’i nënshtrohet (khs. LG 16);

Njeriu i krijuar në përngjasim të Zotit, gjë kjo që fatbardhësisht nuk është zhdukur as me mëkat, dhe të cilën e ka përmirësuar përfundimisht Jezu Krishti (khs. LG 22).

GS pikënisje për risi

Nga ajo që është thënë deri me tash vjen në shprehje dhe spikamë qëndrimi i ri i Kishës katolike nëpërmjet KDV, sidomos në Kushtetutën baritore GS, e cila nënvizon dhe thekson gjithnjë se Kisha nuk është më në mbrojtje apo sulmuese, por pjesë e kësaj bote, me një detyrë shumë të madhe dhe përgjegjëse, ungjillëzimi i botës konkrete, me rol profetik dhe me proces të inkulturimit.

“Ne jemi dëshmitarët e humanizimit të ri që është duke lindur, në të cilin njeriu përcaktohet më së pari sipas përgjegjësisë ndaj vëllezërve dhe ndaj historisë” (LG 55).

Dikur, siç dihet, Kisha dhe bota ishin në kundërshtim, herë të hapur, herë të mbuluar apo të heshtur, ndërsa sipas GS Kisha në botën e sotme është, do të duhej të ishte “shenja e kohës” – dmth. e Zotit për njeriun dhe njerëzimin konkret.

Teologjikisht kjo arsyetohet kështu: Kisha dhe bota kanë të njëjtin burim – Zotin (khs. GS 36), dhe si të tilla s’mund t’i kundërvihen njëra tjetrës, sepse kështu do të ishin në kundërshtim edhe me vetë Zotin.

Aspekti tjetër shumë i rëndësishëm, ndoshta edhe vendimtar, për ne është kristocentrizmi i theksuar, sepse vetëm në Jezu Krishtin njeriu gjen “dritën e misterit hyjnor, Adamin e ri” (khs. GS 22).

Gjatë dymijë viteve të krishterimit për të parën herë është përpunuar dhe aprovuar një Kushtetutë kryekëput baritor, gjë kjo që e vërteton edhe vetë titulli, por edhe më tepër përmbajtja e saj. Ajo është një lloj e përmbledhjes së të vërtetave themelore të fesë së krishterë të cilat i propozohen, ofrohen dhe dhurohen botës së sotme.

Mu për këtë është përpunuar gjatë dhe me shumë kujdes, maturi, urti. Disa ekspertë dhe pjesëmarrës në këtë përpunim, pohojnë se janë dhënë diku 12 redaktime. Përse dhe si kështu?

Sepse objekti i Kushtetutës GS – Kisha në botën e sotme, ishte dhe është mjaft i ndërlikuar;

Metodologjia e Kushtetutës është krejtësisht e re dhe për shumëçka e panjohur;

Binomi Kisha-Bota përjashtoheshin, e luftonin njëra-tjetrën;

Adresarët, apo atyre që iu drejtohej, nuk janë më të krishterët, fetarët, por mbarë njerëzimi.

“Teksti i Cyrihit” që si bazë e kishin përpunuar dhe redaktuar dy teologë, P. Haubtman dhe B. Hering, së bashku me komisionet përkatëse.

Gjatë përpunimit pati diskutime të shumta, herë-herë edhe të ashpra, sidomos rreth disa çështjeve të hapura dhe të pa definuara mirë më parë, si: ateizmi bashkëkohor, martesa, paqja dhe lufta, barazia gjinore...

Disa shqyrtime pozitive dhe kritike

Janë disa shqyrtime, aty-këtu edhe kritika konstruktive dhe qëllim mire, që mendoj se është mirë të përmenden dhe analizohen sa më shumë.

Shumë studiues dhe ekspertë gjatë këtyre viteve kanë pohuar me të drejtë se teksti i Kushtetutës baritore GS nuk është i njësuar apo homogjen, por ka edhe dallime, mos të themi edhe kundërshtime të brendshme. Përse ndodhi kjo “anomali”?

Teksti i Kushtetutës baritor GS është me shumë një lloj oferte, propozimi, çka dhe si Kisha do të duhej të ishte dhe të bënte në krahasim me botën e sotme, pra, më pak konkrete, gati aspak urdhëruese apo detyruese. Tematika e cila trajtohet është bota e sotme, me gjitha dukuritë, kërkesat, nevojat, ndërrimet, përparimet, rreziqet, synimet, pra, një lloj “konglomerati”, apo si do të thoshim ne në mënyrë figurative një “thes” në të cilin ka gjithçka. Kisha katolike me shumë përgjegjësie dhe dashuri e përballon kohën dhe hapësirat ku ajo jeton dhe vepron, dhe si e tillë, bashkëndan fati e njeriut dhe të njerëzimit, por gjithnjë me ndriçimin e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë së krishterë.

Kushtetuta baritore ka mundësuar zhvillim e rrymave të ndryshme teologjike, si p. sh. “teologjia politike”, “teologjia shoqërore”, “teologjia e çlirimit”, “teologjia e shpresës”, “teologjia e trupit njerëzor”...

Është ngjallur laikati (shekullarët), që më parë ishte pothuaj pasivë, ku qytetari-besimtari janë së bashku dhe kërkojnë të mirën e përbashkët;

Antropologjia e krishterë ndoshta edhe ka lindur nëpërmjet kësaj Kushtetute, si dhe pastorali gjithëpërfshirës, jo vetëm sakramental, por për të gjitha moshat, si dhe katekeza specifike;

Kushtetuta GS duhet të lexohet dhe trajtohet si dokument i KDV dhe Papëve të cilët e kanë përpunuar, aprovuar dhe zbatuar, e këta janë: Shën Gjoni XXIII, Shën Pali VI dhe Shën Gjon Pali II, ka vazhdua me Papën në dorëheqje Benedikti XVI dhe vazhdon me Papën e sotshëm Françeskun.

“Zemra” apo thelbi i kësaj Kushtetute është numri 22, historia e njeriut dhe njerëzimit, e cila si qëllim kryesor e ka Jezu Krishtin, si “qendra dhe arsye e botës”.

Kërkimi i vazhdueshëm i “shenjave të kohës”, si hapje dhe kërkimi ndaj Zotit dhe botës, është një qëndrim pozitiv dhe konstruktiv për vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit me mbarë botën;

Njeriu është një mister i cili vetëm nëpërmjet Krishtit dhe Kishës gjen kuptimit e jetës dhe të veprimit, cakun përfundimtar – amshimin;

Kisha është gjithnjë në shërbim të Zotit dhe të Mbretërisë së tij.

Prishtinë, 21 qershor 2022 Radio Maria – Kosovë Don Lush GJERGJI

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat