Fuqia e besimit: Spiritualiteti çon në një jetë më të shëndetshme, dhe një jetëgjatësi më të madhe

Religjion

Fuqia e besimit: Spiritualiteti çon në një jetë më të shëndetshme, dhe një jetëgjatësi më të madhe

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Një nivel i lartë spiritualiteti, lidhet me një shëndet më të mirë. Në këtë përfundim mbërrin një studim i fundit nga Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin e Harvardit, SHBA.

Po çfarë do të thotë saktësisht “spiritualitet” në këtë hulumtim? Sipas Konferencës Ndërkombëtare të Konsensusit mbi Kujdesin Shpirtëror, spiritualiteti është “mënyra se si individët e kërkojnë kuptimin, qëllimin, lidhjen, vlerën ose transcendencën përfundimtare”. 

Ndërsa për shumë njerëz, ai mund të përfshijë fenë e organizuar, mund t’i referohet gjithashtu shumë mënyrave të tjera për të “gjetur kuptimin përfundimtar të jetës”. Shembujt të lidhjeve të tilla përfshijnë krijimin e lidhjeve me natyrën , komunitetin ose familjen.

“Ky studim, përfaqëson analizën sistematike më rigoroze dhe më gjithëpërfshirëse të literaturës moderne në lidhje me shëndetin dhe spiritualitetin deri më sot”- thotë autorja kryesore e studimit Trejsi Balboni, profesore e onkologjisë në Shkollën Mjekësore tëHarvardi.

“Gjetjet tona tregojnë se vëmendja ndaj spiritualitetit në rastin e sëmundjeve të rënda, dhe në lidhje me shëndetin në përgjithësi, duhet të jetë një pjesë jetike e kujdesit shëndetësor në të ardhmen. Dhe rezultatet duhet të nxisin më shumë diskutime kombëtare dhe përparim, sa i përket mënyrës se si spiritualiteti mund të përfshihet në këtë lloj ndjeshmërie ndaj vlerave”- shton ajo.

“Shpirtërorja është e rëndësishme për shumë pacientë, ndërsa ata mendojnë për shëndetin e tyre. Të fokusohesh tek ajo në spitale, do të thotë të kujdesesh për të gjithë personin, dhe jo vetëm për sëmundjen e tij fizike”– shton Tajler Vanderuil, profesor i epidemiologjisë në Departamentin e Epidemiologjisë dhe Biostatistikës në Shkollën e Harvardit. 

Për këtë studim, autorët identifikuan sistematikisht dhe analizuan më pas të gjitha provat e disponueshme me cilësi të lartë në lidhje me raportin spiritualitet-sëmundje të rënda, të botuara midis janarit 2000 dhe prillit 2022. Në 8.946 artikuj që fokusohen tek sëmundje të rënda, 371 plotësuan kriteret e studiuesve. 

Ndërkohë, 215 artikuj të tjerë (nga 6.485) me fokus rezultatet shëndetësore, plotësonin kriteret për përfshirje. Më pas, një grup i strukturuar dhe multidisiplinar prej 27 ekspertësh i quajtur Paneli i Delfit, u mblodh për të analizuar provat më të forta kolektive të nxjerra nga ata artikuj shkencorë. 

Paneli përbëhej nga ekspertë të ndryshëm, si në kujdesin shëndetësor, ashtu edhe në fushën shpirtërore. Anëtarët përfaqësonin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh shpirtërore dhe fetare si myslimane, katolike, besime të ndryshme të krishtera, hindu, ateiste dhe “shpirtërore, por jo fetare”.

Paneli arriti në përfundimin se për një person përgjithësisht të shëndetshëm, “pjesëmarrja shpirtërore në njëkomunitet” (për shembull, ndjekja e shërbimeve fetare) lidhet me një jetë më të shëndetshme, një jetëgjatësi më të madhe, me një shëndet mendor më të mirë dhe me më pak përdorim të substancave narkotike.

Për më tepër, për shumë njerëz, spiritualiteti ndikon në rezultatet kryesore në të gjithë skenarët e sëmundjes, si cilësia e jetës dhe vendimet mbi kujdesin mjekësor. Në përgjigje të këtyre gjetjeve, autorët e studimit besojnë se spiritualiteti duhet të llogaritet më universalisht në mjediset e spitalore.

“Integrimi i spiritualitetit në kujdesin shëndetësor, mund të ndihmojë çdo person të ketë një shans më të mirë për të arritur mirëqenien e plotë dhe standardin më të lartë të arritshëm të shëndetit”- thotë një nga autorët e studimit Hauard Koh, profesor i Praktikës së Udhëheqjes së Shëndetit Publik në Shkollën e Harvardit. / StudyFinds

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat