Nuk ka asnjë burim islam që e përligj mbajtjen e shamisë

Religjion

Nuk ka asnjë burim islam që e përligj mbajtjen e shamisë

Nga: Bülent Ucar Më: 19 gusht 2022 Në ora: 16:31
Bülent Ucar

Ne e dimë se Profeti Muhamet ka pasur katër vajza dhe disa mbesa por, nuk kemi asnjë burim të saktë, nëse vajzat dhe mbesat e tij, gjatë kohës së fëmijërisë dhe më vonë në jetë, e kanë mbështjellur kokën me shami. Në Testamentin Islam, nuk ka asnjë burim të saktë që e përligj mbajtjen e shamisë nga vajzat, në moshën e adoleshencës. Eshtë vetëm një marrëveshje brenda shkollave islame. Në botën islame, ka grupime, lëvizje të ndryshme, madje edhe shumë prindër, etër dhe nëna, të cilët i detyrojnë vajzat të mbështillen me shami, duke iu referuar si detyrim në Kuran. Një gjë e tillë, shkakton tensione të larta në shoqërinë islame.

Të gjitha këto, bashkë me prindërit, kanë si qëllim që vajzat, që në moshën fëmijërore, të mësohen me mbështjelljen e kokës me shami. Një gjë të tillë, unë e mendoj jo vetëm të pabazuar në besimin islam, por edhe shumë të gabuar pedagogjikisht. Kjo lloj sjelljeje, shkakton tensione dhe kriza shpirtërore dhe psikike, te vajzat fëmijë. Ato detyrohen që të mbështillen me shami, dhe të sillen ndryshe nga bashkëmoshataret e tyre, pa kuptuar asgjë, vetëm se detyrohen nga të rriturit.

Flitet se në botën islame, një detryim i tillë, është shumë masiv. Unë mendoj ndryshe. Mendoj se ky detyrim është shumë më i vogël nga ai që flitet.

Kam punuar për një kohë të gjatë si mësues në shkollat fillore në Bonn dhe Duisburg. Numri i migrantëve (nga bota islame), ishte rreth 70 përqind e numrit të nxënësve. Midis tyre, vetëm një pakicë shumë e vogël vajzash, mbanin shami koke.

Debati i sotëm mbi mbajtjen e shamisë së kokës, më ngjan shumë më tepër me një debat hipokrit, se sa me një të vërtetë. Eshtë vetëm një mjet për t’i vënë njerëzit në lëvizje. Debate të tilla duhet të merren me shumë rezervë.

Në rastet e prurjeve të mëdha të migrantëve, nga bota islame në Gjermani, apo vende të tjera të Europës, numri i vajzave të mbështjellura me shami, mund të jetë më i madh se ai i zakonshëm, por edhe nëse është kështu, duhet menduar si një dukuri e përkohshme. Deri më sot, unë nuk kam asnjë studim mbi numrin e vajzave fëmijë, në kopshte dhe shkolla, që mbajnë shami koke. Ajo që unë e di me siguri, është fakti që, në Gjermani, numri i vajzave që mbështillen me shami, është gjithnjë e më i vogël. Ky numer, në dhjetëvjeçarin e fundit, nga 40 përqind, ka rënë në 20 përqind.

Vihet re fakti që, gratë që kanë mbajtur shami në moshën e fëmijërisë, në përgjithësi, janë më të gatshme për t’a pranuar shaminë gjatë jetës. Një dukuri e tillë vihet re në disa vende isalme si Turqi etj.

Çdo detyrim, ngado që vjen ai, dhe vendimmarrja shtetërore për të mbajtur ose jo shaminë e kokës, i mendoj të dëmshme dhe të gabuara. Kjo shkakton reaksione zemrimi te vajzat fëmijë, dhe grupime sociale artificiale. Krijohen shoqëri paralele, të cilat në shumë raste përfshihen në përplasje sociale. Vendimmarrjet për mbajtjen ose jo të shamisë së kokës, duhet të jenë individuale, me vullnetin dhe dëshirën e vetë personit.

Në shumë raste debatet zhvillohen në mënyrë histerike, me përplasje shumë të mëdha ndjenjash dhe mendimesh. Gjithmonë, viktima janë vajzat fëmijë. Ka edhe raste të shumta që brenda familjeve, shpërthejnë konflikte midis vajzave të mitura apo të rritura, me prindërit e tyre, për mbajtjen e shamisë. Në raste të tilla, vajzat duhet menjiherë të merren në mbrojtje nga shteti. Janë të rrezikuara.

Nëse një vajzë apo disa, shfaqin ndjenjën e pasigurisë në shkollë, mësuesit duhet të reagojnë menjihrë, së bashku me prindërit dhe organet e specializuara.

PS: Bülent Ucar është drejtori i Institutit të Teologjisë Islame, më i madhi në Gjermani. Në Universitetin në Osnabrück ai hulumton në historinë e islamit dhe përgatit klerikë islamë.

Përktheu Lekë Imeraj - shkrimtar, përkthyes, publicist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat