Përshpirtëria e Nënës Tereze (25-vjetori i vdekjes)

Religjion

Përshpirtëria e Nënës Tereze (25-vjetori i vdekjes)

Nga: Don Lush Gjergji Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 13:50
Autori Don Lush Gjergji

“Shpërblimi im më i madh është ta dua Jezusin. Ai është gjithçka për mua. Është jeta ime, dashuria ime, shpërblimi im, gjithçka për mua.”

(Nëna Tereze)

Pyetja më e rëndësishme e jetës tonë, nga e cila varet gjithçka - edhe amshimin - është pikërisht kjo: kush është për mua – për ne, Jezusi?

Kjo është një pyetje e pashmangshme për çdo njeri, edhe më tepër për çdo të krishterë, që kërkon jo vetëm ndonjë përgjigje intelektuale- të mësuar apo të gjetur diku apo nga dikush - por jetësore, qenësore, thelbësore, personale. Është “provimi” i jetës tonë.

Kjo ishte pyetja e apostujve para dymijë vjetësh, dhe është pyetja e çdo kohe. Për t’u përgjigjur në këtë pyetje, ta përcjellim metodologjinë e Jezusit. Ai, i kishte pyetur nxënësit e tij: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” (Mt 16, 13)

Si atëherë, po ashtu edhe sot, ka shumë përgjigje, vlerësime, mendime, interpretime lidhur me Jezusin.

Disa kishin pritur që Ai do të çlironte popullin e zgjedhur nga robëria politike dhe ekonomike, shoqërore, prandaj, janë dëshpëruar me Të. Të tjerët e kanë dëbuar, sepse kishte shumë kërkesa për ndërrimin e plotë të jetës. Të tjerët e kishin pranuar, apostujt, nxënësit, miqtë, një pjesë e popullit, e sidomos mëkatarët, të varfrit, të sëmurët, fëmijët, gratë. Të tjerët ishin haptas kundër Jezusit, bile kërkonin në çdo mënyrë ta eliminonin dhe vrisnin. (khs. Mt 16, 13-20)

Pyetja e Jezusit, edhe sot, ka shumë përgjigje. E rëndësishme është kjo: çka thonë sot të tjerët për Jezusin, për Kishën, krishterimin, bashkësitë tona famullitare, në bazë të jetës tonë, duke shikuar dhe vlerësuar ne si nxënësit e Krishtit.

Pjesa e dytë e pyetjes së Jezusit është: “Po ju – u tha atyre – ç’thoni kush jam unë?” (Mt 16, 15().

Në emër të apostujve, edhe kësaj radhe, përgjigjet Simon Pjetri: “Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!” (Mt 16, 16).

Ishte feja e mrekullueshme e Pjetrit, apostujve, Kishës, të gjithë atyre që besojnë në Jezu Krishtin.

Jezusi e lavdëroi këtë përgjigje: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta ka zbuluar mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell!" (Mt 16, 17).

Duke lexuar dhe medituar këtë pjesë të ungjillit, Nëna Terezë ka shkruar:

“Ti je Zot.

Ti je Zoti nga Zoti.

Ti je i lindur dhe jo i krijuar.

Ti je i njëqenëshëm me Atin.

Ti je Biri i Zotit të gjallë.

Ti je vetja e dytë e Trinës së Shenjt.

Ti je një me Atin qysh në parim.

Ti je Biri i dashur,

në të cilin Ati gjen gëzimin e tij.

Ti je Biri i Marisë,

ngjizur nga Shpirti Shenjt,

në kraharorin virgjëror.

Ti linde në Betlehem

me pelena të mbështolli Maria

dhe të vendosi në grazhdin me kashtë.

Ti je njeriu i përgjithshëm,

pa shumë arsimim,

gjykuar nga klasa e ditur e populli...

Jezusi është Fjala e bërë Njeri...

Buka e jetës,

flija e pafajshme për mëkate tona në kryq,

flija e paraqitur në meshë për mëkate

të botës dhe të mia.

Fjala për t’u shpallur,

e Vërteta për t’u zbuluar,

Rruga për t’u ndjekur,

Jeta për t’u jetësuar,

Drita për t’u ndezur,

Dashuria për t’u dashur,

i urituri për t’u ngijë,

i eturi për t’u shuar,

i zhveshuri për t’u veshur,

i pastrehuari për t’u mirëpritur,

i sëmuri për t’u mjekuar,

i braktisur për t’u dashur,

i dëbuari për t’u pranuar,

i gërbuluri për t’ia larë plagët.

Lypësi për t’iu buzëqeshur,

i dehuri për ta dëgjuar,

i sëmuri mental për ta mbrojtur,

fëmija për ta bartur në krah,

i verbëri për ta udhëhequr,

memeci për t’i folur,

topalli për të ecur,

droguari për ta ndihmuar,

lavirja për ta nxjerrë nga rruga dhe dëgjuar,

burgosuri për ta vizituar,

moshuari për ta shërbye...”

Në një takim e kërkova të ma shpjegonte jetën e saj kaq të thellë për Zotin, Kishën dhe për çdo njeri që vuan. Ajo me thjeshtësi dhe përzemërsi më tha kështu: “Fshehtësia ime është Jezusi, dashuria e tij e madhe për mua, urata, meditimi, adhurimi i përditshëm një orë, kushtet tona rregulltare. Motoja ime është kjo: Të gjitha për Jezusin, të gjitha Jezusit nëpërmjet Marisë. Ja pesë gishtat e dorës: Të gjithë këtë ma bëni mua! Kujtoje dhe shikoje dorën, pesë gishtat e dorës, çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, si rrëmim të ndërgjegjes. Ç’kam bërë sot për Jezusin.”

T’i kthehemi pyetjes fillestare: çka thonë sot njerëzit për Jezusin? Çka themi ne – dëshmojmë ne, para botës, për Jezusin: kush është Ai? Nga kjo pyetje – përgjigje varet jeta jonë, shëlbimi. Më mirë është të ballafaqohemi tash, fill, sot, çdo ditë, sepse nesër do të mund të jetë tepër vonë!

Bota pret prej nesh një përgjigje koherente, të qartë, të guximshme, të sinqertë, që do të zgjojë edhe te tjerët dëshirën që të jenë si ne, edhe më shumë, si vetë Jezusi! Një përgjigje e tillë është e mundshme vetëm me jetën – fenë tonë – dhe me dashuri. Nëna Terezë na porositë: “Mos të kërkojmë t’i detyrojmë të tjerët në fenë tonë. Të mundohemi të bëjmë ashtu që Krishti, Drita dhe Jeta e tij të kalojë në ne, nëpërmjet nesh, në botë.”

Prishtinë, 9 nëntor 2022 Radio Maria – Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat