A ndikon në jetën seksuale Koronavirusi, flet seksologu nga Kosova

Seksi

A ndikon në jetën seksuale Koronavirusi, flet seksologu nga Kosova

Më: 1 janar 2021 Në ora: 16:20
Hajrullah Fejza

Megjithëse shumica e njerëzve duket se shërohen nga COVID-19, seksologu kosovarë, Hajrullah Fejza ka paralajmëruar për disa efekte që mund të ndikojnë në jetën seksuale të pacientëve.

A ndikon Covid -19 në shëndetin seksual? Kësaj pyetje është munduar t’i jep një përgjigje Specialist i Seksologjisë, Hajrullah Fejza, ani pse thotë se ende nuk ka studime të mirëfillta në këtë fushë.

Në një intervistë, Fejza tha se në ordinancën e tij kanë filluar të shkojnë pacientë që kanë këso probleme.

“Duke qenë sëmundje që prek shumë sisteme në organizëm, COVID-19 pa shmangshëm ndikon edhe në shëndetin seksual të njeriut. Edhe në ordinancën tonë të seksologjisë në Prishtinë kohëve të fundit kemi patur një numër të rasteve që kanë qenë të prekur me COVID-19, te të cilët kanë filluar të manifestohen probleme të funksionimit seksual”, tha seksologu i vetëm që ka Kosova.

Ai thotë se, ndikim të konsiderueshëm paralajmërohet të ketë në çrregullimin e dëshirës dhe interesit seksual në të dy sekset si dhe çrregullime të ereksionit te burrat dhe lëngëzimit te gratë.

“Studime të pakta janë bërë deri tani në këtë fushë por të gjitha tregojnë që këto dëmtime janë të pranishme dhe se ato janë si pasojë e këtyre efekteve: Efekti psikologjik: Nëse e kemi parasysh faktin se truri është organi seksual më i rëndësishëm atëherë lehtë është të kuptohet pasoja që rezulton nga atakimi i shëndetit mental te rastet me COVID-19.  Humbja e interesit dhe dëshirës për aktivitet seksual në të dy sekset është pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj sëmundje. Efekti vaskular: Virusi që shkakton COVID-19 dëmton në masë të madhe murin e brendshëm të enëve të gjakut dhe rrjedhimisht dëmton qarkullimin normal e të mjaftueshëm të gjakut. Kjo pastaj rezulton me çrregullime te ereksionit te burrat kurse te gratë dëmton fazën e eksitimit në ciklin e përgjigjes seksuale që manifestohet me mungesë të lëngëzimit ( tharje vaginale) dhe dhembje gjatë aktit seksual”, tha Fejza.

Ai tha se përkeqësimi i përgjithshëm i shëndetit është se ndikimi i kësaj sëmundje në sistemin nervor, të frymëmarrjes dhe qarkullimit të gjakut mund të dëmtojë funksionin erektil e që për pasojë paraqiten probleme afatgjate te personat e prekur nga ky infeksion.

“Me siguri që kërkohen studime e kërkime të shumta në këtë fushë për të konstatuar më saktë efektet e vërteta të COVID-19 në shëndetin seksual”, përfundoi Fejza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat