Vaksinim ndaj Covid-19 në këmbim të parave? Pse kjo ide do sillte efektin e kundërt

Shëndetësia

Vaksinim ndaj Covid-19 në këmbim të parave? Pse kjo ide do sillte efektin e kundërt

Nga: George Loewenstein & Cynthia Cryder Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 13:02
Foto ilustrim

Miratimi i vaksinës së parë anti-Covid në Shtetet e Bashkuara, u festua gjatë fundjavës që shkoi si fillimi i fundit të pandemisë. Por rruga nga vaksinimet e para deri tek ato masive, që do të ndalin përhapjen e koronavirusit është e gjatë.

Përveç sfidave logjistike të shpërndarjes së vaksinës, njerëzit duhet të jenë të gatshëm ta marrin atë. Deri në fund të nëntorit, 37 për qind e amerikanëve thanë se nuk do të vaksinoheshin. Dy ekonomistë të shquar, N.Gregori Mankiu dhe Robert Litan, dhe politikanët Xhon Delanej dhe Endrju Jang kanë propozuar ose mbështetur idenë e pagimit të amerikanëve që pranojnë të vaksinohen.

Në pamje të parë, kjo duket si një ide e arsyeshme;ekonomia na mëson se njerëzit reagojnë ndaj stimujve financiarë. Por hulumtimi i sjelljes, sugjeron që kjo strategji mund të japë efektin e kundërt. Njerëzit nuk u përgjigjen stimujve, si minjtë që shtypin levat që u sjellin ushqimin.

Ata përpiqen të kuptojnë se çfarë do të thotë pagesa e ofruar. Në këtë rast, oferta rrezikon të nënkuptojë se vaksina nuk është diçka me vlerë. Studimet e cituara në një studim me titull “Tom Sojeri dhe ndërtimi i vlerës” (duke iu referuar një episodi të famshme të librit të Mark Tueinit, ku Tom i bind shokët e tij se lyerja me bojë e një gardhi është një aktivitet i dëshirueshëm), kanë zbuluar se kur njerëzit nuk janë të sigurt nëse diçka është e mirë apo e keqe, perspektiva e pagesës i ndihmon ata të vendosin, por në një kahje negative.

Në një nga studimet, një profesor i pyeti studentët e tij nëse do të merrnin pjesë në një lexim të poemës “Fije bari” të shkrimtarit Uollt Uitman, duke i ofruar gjysmës së studentëve një pagesë në para për të ndjekur leximin, ndërsa pyeti gjysmën tjetër nëse do të paguanin ata vetë për të marrë pjesë në këtë aktivitet.

Atyre që iu ofruan para, raportuan më pak interes për të marrë pjesë. Edhe ata që nuk janë të sigurt nëse do të vaksinohen, ashtu si ata që nuk janë të sigurt nëse do të ndjekin leximin e poemës së njohur, pagesa ka shumë të ngjarë të dërgojë mesazhin se vaksinimi nuk është diçka që nuk do të donit t`a bënit pa kompensim.

Gjithashtu, për shkak të pagesës njerëzit ka gjasa të mbërrijnë në përfundimin se vaksina mund të jetë e rrezikshme. Në studimin tonë me Kevin Volp dhe Alesk London, ne zbuluam se njerëzit supozojnë në mënyrë të natyrshme se pagesat sinjalizojnë praninë e një rreziku.

Përmes disa eksperimenteve, ne përshkruam disa teste klinike ku u ofruan shuma të ndryshme për pjesëmarrjen në një studim, që përfshinte një procedurë të panjohur të testimit. Ne zbuluam se njerëzit besonin se rrezikshmëria e një studimi ishte më e madhe kur pagesa ishte më e lartë, edhe pse përshkrimet e procedurave të studimit ishin të njëjta.

Ngjashëm, pagimi i njerëzve për t’u vaksinuar, mund t’i çojë ata të arrijnë në përfundimin se ajo është më e rrezikshme, nga sa do të supozonin në një rrethanë tjetër. Të dhënat e deritanishme sugjerojnë që vaksinat e hershme kundër Covid-19 nga Pfizer dhe Moderna, janë të sigurta dhe efektive, gjë që tashmë ka çuar në miratimin emergjent të vaksinës së Pfizer.

Megjithëse pagesat direkte për vaksinimin, mund të shtojnë në një periudhë afatshkurtër numrin e atyre që vaksinohen, në fund efektet e përshkruara mund të çojnë në të kundërtën e efekteve të synuara, sidomos tek ata që nuk janë të sigurt nëse rreziqet e vaksinimit i tejkalojnë përfitimet e tyre.

Përveç faktit që vaksina u duket më e rrezikshme, pagesa mund të bëjë që njerëzit të kenë më pak të ngjarë të vaksinohen në funksion të qëllimit vetëmohues për të ndihmuar të tjerët. Shumë studime kanë treguar se pagimi i njerëzve për të ndërmarrë veprime altruiste, jep shpesh efektin e kundërt.

Një qasje më premtuese, mund të jetë kushtëzimi me vaksinimin e aktiviteteve të dëshiruara siç janë udhëtimet. Linja ajrore australiane “Qantas”, raporton se ajo dhe linjat e tjera ajrore po konsiderojnë mundësinë që vaksinimin t`a bëjnë një kriter detyrues për udhëtimet ajrore ndërkombëtare.

Nëse një vaksinim lidhet me aktivitete të pëlqyeshme si udhëtimet dhe qasja në ngjarje të mëdha publike, vetë vaksinimi do të vlerësohet pozitivisht. Kur njerëzit perceptojnë përfitimet e ndryshme të vaksinimit, skepticizmi ka të ngjarë të zhduket, të paktën tek disa prej tyre. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat