Rreziqet që mbartin lindjet e parakohshme

Shëndetësia

Rreziqet që mbartin lindjet e parakohshme

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 23:47
Foto ilustrim

Gjatë viteve të fundit edhe në vendin tonë shifrat e lindjeve të parakohshme kanë pësuar rritje. Ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje se një gjë e tillë ndodh si pasojë e rritjes së përdorimit të trajtimeve për fertilitetin, si dhe nga trendi i shtatzënive të mëvonshme.

Sipas të dhënave të bëra publike nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit, rezulton se 1 ndër 10 bebe në botë lindin para kohe, çka mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e të porsalindurit.

Lindja e parakohshme është shkaktari kryesor i vdekshmërisë tek të porsalindurit dhe mund të shkaktojë probleme shëndetësore kronike të mushkërive, vonesa në zhvillim dhe paralizë cerebrale.

Lidhur me shkaqet që ndikojnë në lindjet e parakohshme, bluzat e bardha thonë se ende nuk dihen saktësisht, por njihen një sërë kushtesh që luajnë një rol të rëndësishëm në provokimin e kontraksioneve në mitër përpara se bebi të jetë gati të lindë.

Kryesisht janë faktorët mjekësorë dhe stili i jetesës që ndikojnë në lindjet e parakohshme. Po sipas ekspertëve të shëndetit, ju mund të keni një lindje të parakohshme edhe pa asnjë shkak kryesor.

Megjithatë, ekzistojnë një sërë masash që mund të merren gjatë shtatzënisë për të shmangur një lindje të parakohshme, si dhe ndërlikimet që mund të vijnë prej saj. E për këtë është shumë e rëndësishme është që gjatë shtatzënisë gruaja të ndjekë një stil jetese të shëndetshëm jetese, bazuar në një dietë ushqimore të pasur dhe duke ndjekur në mënyrë të rregullt rekomandimet e mjekut specialist.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara këshillat dhe udhëzimet e specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, në lidhje me rastet kur kemi të bëjmë me lindje para kohe, rreziqet që mbartin, si dhe masat që mund të merren për t’i parandaluar.

Rastet kur një lindje konsiderohet e parakohshme

Bluzat e bardha të ISHP-së thonë se fëmijë i lindur para kohe do të quhet çdo i porsalindur që vjen në jetë para javës së 37-të të shtatzënisë.

Sigurisht që rreziku për shëndetin e fëmijës varet nga java e shtatzënisë në të cilën ndodh lindja (sa më e vogël të jetë shtatzënia, aq më shumë rriten rreziqet për të). Praktikisht, gjendja e fëmijëve të lindur midis javës së 34 dhe 36 të shtatzënisë do të quhet “prematurë e lehtë”.

Nëse fëmija vjen në jetë para javës së 32-të të shtatzënisë do të quhet “prematurë e rëndë”. Në këto raste fëmija do të jetë mjaft i rrezikuar për të pasur një shëndet apo zhvillim jo të mirë, dhe do të ketë nevojë për përkujdesje të veçantë dhe kura intensive nga ekipet e specializuara mjekësore.

Shtatzënitë që janë më të rrezikuara për lindje të parakohshme

Zakonisht gratë që kanë shtatzëni me binjakë, ose që pritet të sjellin në jetë më shumë se 2 fëmijë, si edhe ato që vuajnë nga ndonjë patologji kronike (si përshembull hipertensioni, ose diabeti) janë më shumë të rrezikuara për të lindur fëmijë para kohe.

Një tjetër faktor rreziku konsiderohen edhe faktorët socialë: gratë që kanë një gjendje ekonomike jo të mirë, ose që punojnë në kushte të vështira janë të prirura të mos e çojnë deri në fund shtatzëninë. Për këtë arsye mjekët gjinekologë këshillojnë që gruaja shtatzënë të zgjedhë një stil jetese që fal qetësi dhe siguri, shoqëruar nga një trajtim i përpiktë ndaj patologjisë që ajo ka (sigurisht nëse vuan nga ndonjë sëmundje).

Lidhur me pyetjen se sa është  probabiliteti që një shtatzëni të përfundojë para kohe, ekspertët thonë se: “Çdo vit në botë vijnë në jetë rreth 15 milionë fëmijë të lindur para kohe. Shifrat janë më të ulëta në vendet perëndimore dhe më të larta në vendet në zhvillim. Nisur nga statistikat, vetëm në një nga maternitetet më të frekuentuara të vendit tonë nga rreth 4500 lindje vjetore, 8 për qind e lindjeve përfundojnë para kohe”.

Këshillat si mund të parandalohet një lindje e parakohshme

Për të reduktuar rrezikshmërinë e një lindjeje të parakohshme, mjaft e rëndësishme është që gjatë shtatzënisë gruaja të ndjekë një stil jetese të shëndetshëm, bazuar mbi një dietë ushqimore të pasur me vitaminat, mineralet dhe përbërësit e tjerë të shëndetshëm, si dhe të ndjekë me kujdes dhe në mënyrë të rregullt takimet dhe rekomandimet e mjekut specialist

Çfarë ndodh në rast se një shtatzëni përfundon në lindje të parakohshme?

Në momentin që fëmija vjen në jetë, shëndeti i tij varet nga java kur ka ndodhur lindja dhe nga pesha që ai ka në momentin e lindjes. Ka shumë raste kur një fëmijë i lindur në javën e 35-të ose 36-të të shtatzënisë mund të qëndrojë në dhomë bashkë me nënën e tij dhe të ushqehet me gji, duke pasur pak a shumë të njëjtën përshtatje me jetën, njëlloj si fëmijët e lindur në kohë.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fëmijët e lindur para javës së 34 të shtatzënisë, të cilët kanë nevojë për një kujdes të madh mjekësor. Këta fëmijë qëndrojnë në repartin e specializuar për trajtimin e patologjive të fëmijëve të lindur para kohe.

Në rastet kur shfaqet nevoja e futjes së fëmijës në terapi intensive, fëmija duhet të mbahet nën kontrollin mjekësor spitalor për një kohë të gjatë, kryesisht derisa të jetë i aftë të jetojë pa ndihmën e aparaturave të posaçme.

Hapi i parë që “hedhin” këta fëmijë konsiderohet pavarësia në frymëmarrje dhe në ushqyerje, aftësi që duhet të zhvillohen normalisht gjatë shtatzënisë.

Bebet e lindura para javës së 35-të

Normalisht refleksin e të ushqyerit fëmija e fiton që në barkun e nënës, kryesisht nga java e 35-të e shtatzënisë. Nëse lindja ka ndodhur para javës së 35-të të shtatzënisë, fëmijës nuk i jepet të pijë gjatë 24 orëve të para.

Gjatë kësaj kohe ai ndihmohet me anën e një kateteri ombelikal. Më pas kontrollohet gjendja e përgjithshme e tij, ku mbahet nën mbikëqyrje ecuria e aftësive tretëse që ai shfaq. Mjeku gjatë kësaj kohe vlerëson fryrjen e barkut, të vjellat, ndonjë anomali të feceve, etj.

Si duhet ushqyer fëmija

Ushqimi kryesor i fëmijës duhet të jetë qumështi i nënës, i cili është i pasur me antitrupa të nevojshëm për të shmangur shfaqjen e ndonjë infeksioni.

Ushqyerja bëhet me anën e biberonit ose kateterit të vendosur në stomak, sepse fëmija mund ta ketë të vështirë të thithë gjirin.

Fëmijës nuk duhet t’i jepet qumësht artificial pasi ai mund të shfaqë vështirësi në tretje. A është përbërja e qumështit e njëjtë me atë të nënës që ka lindur në kohë? Sigurisht që po. Qumështi i gjirit është prodhuar për t’ju përshtatur nevojave të fëmijës në çdo moment.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat