Sëmundjet e veshkave te fëmijët, kujdesi që duhet të tregojnë prindërit

Shëndetësia

Sëmundjet e veshkave te fëmijët, kujdesi që duhet të tregojnë prindërit

Më: 9 janar 2021 Në ora: 06:16
Ilustrim

Mjekët nefrologë një vëmendje të veçantë i kushtojnë stilit të jetesës së shëndetshme, duke filluar që nga lindja e deri në moshat madhore. Por ajo që mbetet gjithmonë e rëndësishme për bluzat e bardha, mbetet ndërgjegjësimi i popullatës në lidhje me faktorët e riskut

Sëmundjet e veshkave nuk ndodhin vetëm tek të rriturit. Në një të dhjetën e njerëzve të prekur nga sëmundjet e veshkave, shumica e tyre janë fëmijë. Për të parandaluar në moshat e hershme, është e rëndësishme të promovojmë një stil jetese të shëndetshëm, duke filluar nga lindja e deri në moshat madhore.

Por ajo që mbetet gjithmonë e rëndësishme për mjekët, është ndërgjegjësimi i popullatës në lidhje me faktorët e riskut, inkurajimi i sjelljeve parandaluese dhe edukimi i gjithë profesionistëve të mjekësisë, për rolin kyç të zbulimit dhe reduktimin e rrezikut të sëmundjes kronike të veshkave, veçanërisht në personat me risk të lartë. Dr. Matilda Imeraj, mjeke në Shërbimin Nefrologji-Dializë, QSUT, tregon se parandalimi është kyçi i suksesit te shumë sëmundje.

Sëmundja

Sëmundjet e veshkave mund të ndikojnë te fëmijët tanë në mënyra të ndryshme, duke filluar që nga ç’rregullime të shërueshme pa pasoja afatgjata, deri në situata me rrezik për jetën. Sëmundjet akute të veshkave zhvillohen papritur, zgjasin për një kohë të shkurtër dhe mund të shërohen pas trajtimit të shkakut fillestar. Sëmundjet kronike zakonisht çojnë në dëmtime të parikthyeshme të quajtura, Sëmundje Kronike te Veshkave të stadit terminal, të cilat mund të trajtohen me Dializë ose Transplant.

Shkaktarët

Fëmijë me sëmundje të veshkave përballen me shumë sfida në jetë. Përveç sëmundjes, ata përballen e para, me imazhin negativ për veten dhe e dyta, me probleme në marrëdhëniet sociale, sjellje, etj. Sëmundjet kronike të veshkave te fëmijët, mund të shkaktohen nga defektet në lindje që ndodhin gjatë jetës intrauterine, si Agenesia dhe Displazia e veshkave, Veshkat Ektopike; sëmundjet e trashëguara nga prindërit , nëpërmjet gjeneve: Veshkat Polikistike dhe Alport syndrome; infeksione të ndryshme të veshkës, sindromi nefrotik; sëmundjet sistemike; traumat dhe refluxi vesiko ureteral.

Diagnostikimi

Diagnostikimi i hershëm i këtyre sëmundjeve problematike, ka një rol kyç në ecurinë e sëmundjes. Cilat janë ekzaminimet që duhen kryer për të arritur në këto diagnoza? Analiza e urinës, një analizë e thjeshtë nëpërmjet të cilës mund të zbulohet prania e albuminurisë, e infeksionit urinar, etj. Analizat e gjakut: Gjak komplet dhe Bilanc biokimik (urea dhe kreatinina), imazheria, e cila na ndihmon në vizualizimin e formës së veshkave pozicionit të tyre dhe evidentimi i anomalive. Nëse është e nevojshme, si në rastin e sëmundjeve më të komplikuara dhe biopsia e veshkës si standardi “i artë” për vënien e diagnozës së saktë. Më pas, trajtimi bazohet në shkakun që ka çuar në sëmundje.

Diagnozat që karakterizohen nga rritja e presionit arterial kanë nevojë për barna antihipertensive, infeksionet kanë nevojë për antibiotikoterapi, dhe sëmundjet sistemike dhe glomerulare për kortikoterapi. Në sëmundjet kronike të stadit terminal, Terapia Renale Zëvendësuese dhe Transplanti i veshkës, janë opsione në trajtim.

Dieta dhe Nutricioni

Për fëmijët me sëmundje kronike të veshkave, është e rëndësishme të ndiqet një dietë rigoroze. Prindërit dhe kujdestarët e tyre, duhet të konsultohen me mjekët, për çdo ndryshim në dietën e fëmijëve që vuajnë me këto sëmundje. Proteinat, kaliumi, kripa, fosfori dhe elementë të tjerë, duhet të jenë të pranishme në dietë, por në sasi të kontrolluara. Dieta hidrike e pasur, ka një rol të veçantë.

Këshilla për prindërit

Ruajini fëmijët nga mbipesha i cili është faktor risku për Diabet dhe Hipertension arterial. Kripa të merret në sasi të kufizuar, jo alkool dhe duhan gjatë shtatzënisë, konsumoni ujë dhe lëngje, sepse të mbash një veshkë të shëndetshme, do të thotë të veprosh shpejt. Në fund, mund të themi se, një fëmijë që vuan nga veshkat duhet trajtuar si adult dhe adultët që vuajnë nga të njëjtat probleme, duhen trajtuar si fëmijë dhe rezultati do të jetë i shkëlqyer.

Shkaktarët e problemeve në veshka

Defektet në lindje që ndodhin gjatë jetës intrauterine, si Agenesia dhe Displazia e veshkave, Veshkat Ektopike; Sëmundjet e trashëguara nga prindërit, nëpërmjet gjeneve: Veshkat Polikistike dhe Alport syndrome; Infeksionet; Sindromi nefrotik; Sëmundjet sistemike; Trauma; Refluxi vesiko ureteral;.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat