25 operacione zemre tek pacientët me Covid: Të gjitha rastet kanë dalë me sukses

Shëndetësia

25 operacione zemre tek pacientët me Covid: Të gjitha rastet kanë dalë me sukses

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 17:17
Foto ilustrim

Pandemia e koronavirusit është një ndër sfidat më të mëdha shëndetësore me të cilën po përballet prej afro një viti sistemi shëndetësor. Kardiokirugu Altin Veshti na tregon se përpos rrezikut të përditshëm, ndërhyrjet në zemër nuk janë ndërprerë asnjë ditë.

“Kemi bërë një ndryshim në dhomat e pacientëve, duke reduktuar numrin e pacientëve që qëndrojnë në dhoma, në mënyrë që të mos jenë afër. Sigurisht kemi reduktuar edhe numrin e familjarëve, që hyjnë e dalin. Por në asnjë moment nuk është ndërprerë shërbimi i kardiokirurgjisë, si për emergjencat, si për urgjencat”.

Në jo pak raste, mjekët kanë hyrë në sallë pa e ditur se pacienti është me Covid.

“Shifra ekzakte është te diku mbi 25 pacientë që janë operuar këtu me Covid. Unë personalisht kam operuar pacienten e parë në kardiokirurgji me Covid, që ka qenë një zëvendësim i një valvule mitreale. Kam operuar dhe bypass-e. Vetëm në një rast e kemi ditur më përpara që pacienti ishte i infektuar me Covid dhe për emergjencën që përbënte, ndërhymë dhe i shpëtuam jetën”.

Por të gjitha ndërhyrjet kanë qenë të suksesshme. Kardiokirurgu Veshti na sqaron se nuk ka të dhëna shkencore, por klinikisht është parë ndikim pozitiv i ndërhyrjes tek këta pacientë.

“Metodat, të cilat ne përdorim për të ndërhyrë në zemër, nuk e kemi të dhënën shkencore, por kemi të dhënat klinike, që jemi të bindur që ndihmon në kalimin më lehtë të sëmundjes Covid”.

Në këtë luftë të përditshme për të shpëtuar jetën e çdokujt që shkon në derën e spitalit, shumë mjekë janë infektuar me Covid. Në shërbimin e Kardiokirurgjisë janë krijuar dy dhoma të veçanta, të cilat shërbejnë vetëm për pacientët që janë me Covid dhe monitorohen deri në përmirësim të situatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat