Mënyrat e reja – Si të përdorni xhenxhefilin e freskët në gatime

Shëndetësia

Mënyrat e reja – Si të përdorni xhenxhefilin e freskët në gatime

Më: 7 mars 2021 Në ora: 07:22
Foto ilustrim

Xhenxhefili është një zhardhok që ofron përfitime të mëdha shëndetësore. Vlerat e tij shtrihen përtej tretjes, dhimbjeve muskulare dhe infeksioneve. Xhenxhefili është gjithnjë pjesë e një zgjedhjeje të mençur ushqimore.

Këtë zhardhok mund ta përdorni në mënyra shumë të larmishme, jo vetëm në përgatitjen e ushqimeve, por edhe në dekorimin e shtëpisë apo në përgatitjen e pijeve.

Çaj me xhenxhefil

Sipas të dhënave pirja e çajit të xhenxhefilit është një akt mirësie për organizmin. Ziejeni 1-2 cm xhenxhefil në një me gotë ujë, shtoni mjaltë dhe limon dhe pijeni sipas dëshirës gjatë ditës.

Xhenxhefili për marinim

Grijeni xhenxhefilin dhe bashkojeni me piperin e zi, kripën, karafilin e thatë dhe trumzën. Hidhini mbi pulën ose salmonin dhe më pas masazhojini së bashku. Futini në frigorifer. Gatuajeni ushqimin e preferuar të nesërmen dhe shijoni ëmbëlsinë dhe veçantinë e xhenxhefilit.

Vaj esencial xhenxhefili

Xhenxhefili i nënshtrohet një procesi distilimi me avull për të nxjerrë më pas vajin esencial. Lexoni më poshtë recetën e sugjeruar.

Produktet:
1 filxhan çaji me copa xhenxhefili

1 filxhan e gjysmë me vaj ulliri

Një enë qelqi të cilën mund ta përdorni në furrë

Grirëse djathi

Udhëzimet:

Lajeni xhenxhefilin e freskët dhe thajeni për disa orë. Hidheni vajin e ullirit në enën e qelqit. Copëtojeni xhenxhefilin me gjithë lëkurë dhe grijeni. Shtoni vajin e ullirit dhe përzijeni mirë. Futeni enën në furrë dhe lëreni në një temperaturë të ulët për të paktën 2 orë. Hidheni lëngun në një napë dhe filtrojeni. Ruajeni në një vend të errët deri në 6 muaj. Përdoreni si përdorni vajin, duke e pirë një lugë në ditë ose në gatime.

Biskota dhe bukë me xhenxhefil

Xhenxhefili është një përbërës i rëndësishëm i biskotave të ëmbla ose bukës së bardhë. Në brumin e biskotave apo bukës shtoni pluhur xhenxhefili, ose xhenxhefil të grirë. Të dyja këto gatime mund të shoqërohen me krem pastiçerie ose djathë të bardhë. Në rastin e biskotave, xhenxhefili pikant kombinohet shumë mirë me kanellën e ëmbël në një delikatesë që të bën të lëpish gishtat.

Supë me xhenxhefil

Sugjerohet që xhenxhefilin ta përdorni në shumë prej supave tuaja të preferuara. Ky zhardhok kombinohet shumë mirë me supën e pulës e cila rigjallëron sistemin imunitar. Shtoni copa xhenxhefili ose xhenxhefil pluhur në supën tuaj.

Fruta deti me xhenxhefil

Xhenxhefili kombinohet mjaft mirë me peshkun dhe frutat e detit. Atë mund ta përdorni jo vetëm duke e grirë në salcat shoqëruese, por edhe në kavërdisje dhe marinim. Siç e shikoni, xhenxhefili është një zhardhok me shumë potencial.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat