Katër sëmundjet kronike, që shkaktojnë pjesën më të madhe të shtrimeve në spital për Covid

Shëndetësia

Katër sëmundjet kronike, që shkaktojnë pjesën më të madhe të shtrimeve në spital për Covid

Më: 10 mars 2021 Në ora: 07:06
Ilustrim

Deri tani e dimë se pacientët e shtruar në spital me Covid-19 të formës së rëndë, kanë shpesh sëmundje para-ekzistuese ose probleme të ndryshme shëndetësore. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se mbipesha shoqërohet shpesh me simptoma serioze nga koronavirusi.

Së fundmi një studim i kryer nga Universiteti Taft në Boston, SHBA, siguroi një tablo të gjendjes klinike të pacientëve me koronavirusin Sars-Cov-2. Autorët treguan se cilat ishin 4 patologjitë dhe kushtet shëndetësore të lidhura me format më të rëndësishme të Covid-19,dhe që ndikojnë tek 2/3 e rasteve të shtrimit në spital.

Në total, u shqyrtuan të dhënat e më shumë se 900 mijë pacientëve. Analiza epidemiologjike (statistikore) tregon se në mungesë të 4 sëmundjeve, do të kishte qenë ndoshta e mundur të shmangeshin 2/3 (rreth 64 për qind) shtrimeve në spital, ose rreth 575 mijë shtrime në spital.

Në krye të listës është mbipesha, e vlerësuar në analizën statistikore si përgjegjëse për rreth 30% të shtrimeve në spital për Covid-19. Ndërkohë 26% të rasteve në spital i atribuohen hipertensionit, 21% diabetit,dhe thuajse 12% insuficiencës kardiake.

Roli i shumë prej këtyre kushteve ndryshon sipas grupmoshës. Për shembull, tek njerëzit nën moshën 50 vjeç, diabeti është përgjegjës për vetëm 8% të shtrimeve në spital, krahasuar me 29% tek njerëzit mbi 65 vjeç.

Anasjelltas, mbipesha ka të njëjtin ndikim negativ në të gjitha grupmoshat. Por edhe etnia luan gjithashtu një rol. Në SHBA më të prekurit janë afro-amerikanët dhe hispanikët. Duke kujtuar se të dhënat janë të vlefshme për pacientët amerikanë, dhe se në Evropë përqindjet mund të jenë të ndryshme, fakt është se në përgjithësi këto sëmundje e rrisin rrezikun e pasjes së një Covid-19 në formë të rëndë.

Prandaj rezultatet e studimit e vënë theksin tek parandalimi, ku rënia në peshë është thelbësore për uljen e gjasave për simptomat kryesore të koronavirusit, dhe zhvillimin e shumë problemeve të tjera shëndetësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat