Alergji apo intolerancë ushqimore, si ta dallojmë?

Shëndetësia

Alergji apo intolerancë ushqimore, si ta dallojmë?

Më: 13 prill 2021 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Cili është ndryshimi mes alergjisë ushqimore dhe intolerancës ushqimore? Nga "SafeFood.eu".

Dikush me alergji ushqimore, ka një sistemi imunitar që e sheh ushqimin, gabimisht, si armik. Prandaj, mekanizimi mbrojtës i trupit hidhet në mbrojtje. Kjo prodhon një sërë simptomash, të cilat mund të luhaten nga një kruarje e lehtë, vështirësi në frymëmarrje e deri në gjendje shoku. Këto simptoma zakonisht ngjasin menjëherë pasi ushqimi është konsumuar.

Kur dikush është jotolerant ndaj ushqimit, sistemi i tyre imunitar zakonisht nuk përfshihet, simptomat marrin shumë më tepër kohë për t’u shfaqur, dhe, në përgjithësi, ato nuk janë të rrezikshme për jetën. Megjithatë, intoleranca ushqimore mund të ndikojë negativisht në shëndetin afatgjatë.

A janë alergjia dhe intoleranca ushqimore forma të helmimit ushqimor?

Jo. Në rastin e helmimit ushqimor, personi sëmuret për shkak se kanë ngrënë një ushqim të kontaminuar me baktere të dëmshme ose toksina. Askush nuk duhet të konsumojë ushqime të kontaminuara. Në rastin e alergjisë ushqimore apo intolerancës, ushqimi dëmprurës është i sigurt dhe mund të konsumohet nga shumica e njerëzve. Megjithatë, në disa njerëz shkakton një reagim që nuk është i shëndetshëm. Për shembull, kikirikët janë të ushqyeshëm dhe të shijshëm, dhe konsumohen nga një sasi e madhe njerëzish, por, për disa të tjerë, që i kanë alergji, kikirikët mund të jenë shumë të rrezikshëm.

Si e kuptoj nëse kam një alergji ushqimore ose një intolerancë ushqimore?

Është shumë e rëndësishme që një hiperndjeshmëri ushqimore (p.sh.: alergji ushqimore, intolerancë ushqimore ose sëmundja e celiakisë) të diagnostikohet nga mjeku. Të diagnostikuarit e vetvetes është tejet e rrezikshme, duke qenë se, shumë nga simptomat që shkaktojnë këto gjendje janë të ngjashme me një sërë sëmundjesh të tjera. Duhet kuptuar se helmimi ushqimor, që shkaktohet nga ngrënia e ushqimit të kontaminuar, dhe mospëlqimi i ushqimit – kur dikush nuk e ka qejf një ushqim të caktuar, por nuk sëmuret nëse e konsumon – nuk futen tek hiperndjeshmëritë ushqimore.

Nëse vetëdiagnostikoheni, mund të hiqni nga dieta e përditshme disa lloje ushqimesh që janë të sigurta dhe të ushqyeshme ndërkohë që, në të njëjtën kohë, vazhdoni të konsumoni ushqime që mund të jenë të rrezikshme. Nëse mendoni se keni një hiperndjeshmëri ndaj ushqimit, duhet të flisni me mjekun e familjes.

Çfarë ndodh në një reaksion alergjik?

Në thelb, kur një sistem imunitar reagon ndaj një përbërësi ushqimor gjatë një reaksioni alergjik, ai shkakton çlirimin e kimikateve, të tilla si histamina, nga qelizat e trupit. Kjo shkakton një ose të gjitha simptomat e mëposhtme:

– kruajtje ose ënjtje e gojës dhe fytit

– urtikarie në pjesë të ndryshme të trupit

– hundë dhe sy që kullojnë

– përskuqje e lëkurës

– të ndjerit në gjendje të sëmurë

– diarre dhe/ose të vjella

Nëse reaksioni është i rëndë, mund të shfaqen simptoma të tjera, duke përfshirë:

– ndjesi të papritur dobësie (shkaktuar nga rënia e tensionit të gjakut)

– probleme me frymëmarrjen (fyti mund të fillojë të fryhet ose të ngushtohet)

Ky është një reagim anafilaktik, i njohur edhe si shok anafilaktik, dhe është i rrezikshëm për jetën. Ky rast kërkon ndërhyrje të menjëhershme, me një injeksion me adrenalinë, dhe ndiqet nga asistenca mjekësore. Simptomat zakonisht shfaqen pas ekspozimit ndaj ushqimit, brenda disa sekondave ose minutave, mirëpo reaksioni mund të vonohet me disa orë.

Cilat janë simptomat e intolerancës ushqimore?

Simptomat e intolerancës ushqimore përfshijnë probleme me tretjen, si diarre, fryrje, dhimbje stomaku, etj. Mund të shkaktojë edhe humbje në peshë, letargji ose anemi, apo edhe migrenë dhe pasoja psikologjike si huti, deri në limonti. Megjithatë, këto shfaqen zakonisht në shtrirje të gjata periudhash kohore, së bashku me një llojshmëri simptomash të tjera që mund të rezultojnë nga kequshqyerja. Në disa raste, simptomat e intolerancës ushqimore ngjasojnë me ato të një reaksioni të lehtë alergjik.
Shumë nga simptomat e intolerancës ushqimore janë të ndërlidhura edhe me çrregullime të tjera të sistemit tretës, siç janë sëmundja e Crohn-it dhe Sindroma e Zorrës së Irrituar.

Çfarë ushqimesh shkaktojnë reaksione alergjike?

Edhe pse kikirikët dhe alergjitë që shkaktojnë frutat e thata, janë ndoshta më të njohurat për shkak të raportimit mediatik të rasteve të vdekshmërisë, çdolloj ushqimi mund të shkaktojë reagim alergjik në personat e predispozuar. Deri më tani, në botë janë dokumentuar alergji të shkaktuara nga 180 ushqime të ndryshme. Shumica prej tyre janë tepër të rralla dhe disa i përkasin popullsive apo rajoneve të veçanta të botës. Alergjia nga merluci është e përhapur në Skandinavi, ashtu siç është alergjia nga orizi në Kinë dhe ajo e selinos në Francë. Alergji të tilla janë më pak të njohura në Irlandë aty ku, njësoj si në shtetet e tjera të perëndimit, alergjitë më të shpeshta janë ato nga kikirikët, arrorët, vezët, guaskorët, qumështi dhe gruri.

Cilat janë ushqimet ndaj të cilave njerëzit mund të kenë intolerancë?

Intoleranca ushqimore lidhet me një llojshmëri të gjerë ushqimesh. Alergjitë më të shpeshta në Irlandë janë alergjitë ndaj qumështit (laktoza) dhe glutenit (sëmundja e celiakisë, intoleranca e grurit), gjithashtu edhe aditivëve ushqimorë, si MSG-ja (glutamat monosodiumi).

– Një person me intolerancë ndaj laktozës nuk e tret qumështin ashtu si duhet (laktoza është sheqer i qumështit). Laktoza nuk arrin të përthithet nga trupi dhe shkakton simptoma të tilla si shtrëngime dhe diarre.

– Një person që vuan nga celiakia reagon ndaj glutenit, e cila është një proteinë që gjendet në ushqime të tilla si gruri, thekra, elbi dhe tërshëra. Sëmundja dëmton zorrën e hollë dhe ndikon tek ushqyerja dhe mirëqenia e përgjithshme.

– Disa njerëz kanë raportuar simptoma të tilla si përskuqje, rritje të temperaturës së trupit dhe dhimbje koke, pasi kanë ngrënë shtuesin e aromës, të njohur si MSG. Këto simptoma njihen si “Sindroma e Restorantit Kinez”, për shkak se MSG-ja është një përbërës shumë i përdorur në kuzhinën kineze.

Ushqime të tjera, ndaj të cilave reagojnë njerëzit e predispozuar, përfshijnë edhe: verën e kuqe, djathin, kafeinën dhe salicylates (shtesa ushqimore), të cilat gjenden në disa lloje perimesh, frutash, erëzash, barishtesh, dhe në çokollata.

A mund të jesh alergjik ndaj më shumë se një lloj ushqimi?

Ka njerëz që mund të jenë alergjikë ndaj më shumë se një diçkaje. Ka gjithashtu mundësi që disa njerëz janë jotolerantë ndaj diçkaje të veçantë dhe janë alergjikë ndaj gjërave të tjera. Kjo varet nga kimikatet dëmtuese, dhe nëse ato janë po të njëjtët në ushqime, në polen, ose në çfarëdolloj materiali tjetër që shkakton alergji. Kjo dukuri njihet si reaksion i kryqëzuar: nëse keni alergji ndaj një ushqimi, trupi juaj mund të reagojë ndaj një substance tjetër (jo domosdoshmërisht ndaj një ushqimi tjetër) nëse përmban një proteinë, e cila është e njëjta proteinë që shkakton alergjinë fillestare.

Për shembull, reaksioni i kryqëzuar, tek një person që është alergjik ndaj karkalecave të tipit Dendrobranchiata, shkakton alergji edhe ndaj karkalecave të llojit Caridea, gaforreve dhe karavidheve.

Shpesh ndodh që njerëzit që kanë alergji kikirikët kanë alergji edhe miellin e fasuleve lupin.

Vezët e pulës bëjnë reaksion të kryqëzuar me vezët e tjera, dhe qumështi i lopës bën reaksion të kryqëzuar me qumështin e dhisë dhe të deles.

Dikush që ka alergji grurin mund të ketë alergji edhe thekrën dhe polenin e barit.

Disa reaksione të kryqëzuara janë më pak të dallueshme: alergjia ndaj grimcave të pluhurit të shtëpisë mund të shkaktojë alergji ndaj butakëve (molusqeve dhe guaskorëve), ndërsa alergjia ndaj gomës lateks, e shton rrezikun ndaj alergjive që shkaktojnë disa fruta dhe perime.

Njerëzit që kanë alergji polenin, sidomos polenin e mështenkës dhe drurit të ullirit, mund të shfaqin simptoma alergjike kur hanë lajthi, mollë, qershi, pjeshkë ose karrota.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat