A është uji i gazuar po aq i shëndetshëm sa ai i zakonshëm?

Shëndetësia

A është uji i gazuar po aq i shëndetshëm sa ai i zakonshëm?

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 00:59
Foto ilustrim

Shumë njerëz pëlqejnë të pinë ujë të gazuar. Edhe pse është një zgjedhje më e mirë se lëngjet me sheqer dhe pijet e tjera që përmbajnë sasi të mëdha sheqeri, ekspertët paralajmërojnë se uji i gazuar duhet të konsumohet me masë

Për adhuruesit, uji i gazuar ofron një përvojë që uji i zakonshëm nuk mund ta bëjë: zhurma e flluskave kur hapni një shishe, therja në gojë kur pini, dhe nganjëherë një aromë e butë “natyrale".

Uji i thjeshtë është i shkëlqyeshëm për hidratim, por “do të habiteshit sa njerëz nuk duan të pinë ujë të thjeshtë, sepse nuk u pëlqen shija”, thotë Anna Linge, dietologe e regjistruar në Qendrën Mjekësore Universitare në Uashington DC, duke shtuar se “shtimi i flluskave e bën atë më të pranueshëm”.

Dietologët pajtohen që uji i gazuar, i cili përfshin ujë të gazuar artificial, është po aq hidratues sa uji i zakonshëm, por uji i rubinetit ka një avantazh shtesë – ai përmban fluor, i cili ndihmon në parandalimin e dëmtimit të dhëmbëve, shkruan The New York Times.

"Nëse përdorni ujë me fluor për larjen e dhëmbëve, për gatim dhe hidratim, lirisht mund të përfshini ujë të gazuar në dietën tuaj”, thotë Linge.

Por kini parasysh se uji i gazuar ka më shumë acidik se i zakonshmi.

Uji me flluska përmban dyoksid karbon, i cili shndërrohet në acid karbonik në kontakt me pështymën duke ulur pH në gojën tuaj.

Mund të jenë të dëmshme për dhëmbët, duke rritur mundësinë e kariesit. Sidoqoftë, duhet të theksohet se uji mineral është shumë më i shëndetshëm për dhëmbët sesa lëngjet e gazuara ose të frutave, siç tregohet nga rezultatet e një studimi të botuar në vitin 2016 në revistën e Shoqatës Amerikane të Dentarëve.

Disa prodhues shtojnë thartirë limoni në ujin e gazuar për të përmirësuar shijen, gjë që mund të rrisë nivelin e aciditetit. Një gjë e ngjashme do të ndodhë nëse shtoni vetë feta limoni ose limete në ujë. Pra, është e vështirë të dihet saktësisht se çfarë i shtohet ujit nëse si përbërës përmendet vetëm “aroma natyrale”.

Pak kërkime janë bërë mbi ujin e gazuar dhe pasojat që ai lë në dhëmbë. Megjithatë, sipas Dr. Brittany Seymour, docent në Departamentin e Stomatologjisë në Harvard dhe zëdhënëse e Shoqatës Amerikane të Stomatologjisë, “duhet të pini shumë ujë të gazuar në ditë për të bërë po aq dëm sa lëngjet e gazuara apo të frutave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat