Pilula e Covid: Ilaçi antiviral i Pfizer merr dritën jeshile

Shëndetësia

Pilula e Covid: Ilaçi antiviral i Pfizer merr dritën jeshile

Më: 28 janar 2022 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha të enjten se ka miratuar pilulën anti-Covid të Pfizer, Paxlovid, duke u bërë ilaçi i parë antiviral i miratuar për përdorim në Bashkimin Europian.

EMA rekomandoi "autorizimin e Paxlovid për trajtimin e Covid-19 te të rriturit që nuk kanë nevojë për oksigjen shtesë dhe që janë në rrezik që sëmundja të bëhet e rëndë".

Antiviralët funksionojnë duke reduktuar aftësinë e një virusi për t'u riprodhuar, duke frenuar kështu sëmundjen. Një produkt i tillë është një lajm i mirë sepse mund të përdoren me lehtë (thjesht me një gotë ujë në shtëpi).

Pfizer tha në dhjetor se Paxlovid ul shtrimet në spital dhe vdekjet te njerëzit në rrezik deri në 90% kur merret në ditët e para pas shfaqjes së simptomave.

EMA vlerësoi të dhënat nga një studim që përfshin pacientët me Covid. “Trajtimi me Paxlovid uli ndjeshëm shtrimet në spital ose vdekjet te pacientët që kishin të paktën një gjendje shëndetësore që i rrezikonte për të pasur simptoma të rënda,” tha EMA.

Shumica e pacientëve në studim ishin të infektuar me variantin Delta, tha agjenia, ndërkohë që vuri në dukje se testet laboratorike tregojnë se Paxlovid duhet të jetë efektiv kundër Omicron.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Izraeli janë vendet që tashmë i kanë dhënë dritën jeshile trajtimit të ri të Pfizer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat