Njoftim me rëndësi: Ky ilaç duhet larguar nga tregu në Kosovë

Shëndetësia

Njoftim me rëndësi: Ky ilaç duhet larguar nga tregu në Kosovë

Më: 24 mars 2022 Në ora: 15:07
Ilustrim

Oda e Farmacistëve të Kosovës, njofton se Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka marrë vendimin për pezullimin e barnave me substancën Ranitidinë.

“Në bazë të këtij vendimi produkti duhet të tërhiqet nga të gjitha institucionet shëndetësore (barnatore, spitale etj) dhe nuk duhet të vihet në dispozicion të pacientëve apo tu administrohet atyre. Ranitidina përdoret për reduktimin e acidit në lukth te pacientët me sëmundje të tilla si urthi dhe ulçera e lukthit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Njoftimi i plotë:

AKPPM – pezullon të gjitha certifikatat e Autorizimit për Marketing për produktin Ranitidinë.

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale duke u bazuar në rekomandimet e Komisionit Europian përkatësisht Komitetit për Barna për Përdorim Human (CHMP) nga EMA (Agjencia Europiane e Barnave) konfirmon vendimin për pezullimin e barnave me substancën ranitidinë për shkak të pranisë së niveleve të ulta të papastërtisë së quajtur N-nitrosodimetilaminë (NDMA) e cila klasifikohet si kancerogjen i mundshëm për njerëzit.

Të dhënat në dispozicion për sigurinë NUK TREGOJNË se ranitidina rrit rrezikun e kancerit dhe çdo rrezik i mundshëm ka të ngjarë të jetë shumë i ultë. Megjithatë, NDMA është gjetur në disa barna ranitidinë me nivele në rritje e vërejtur gjatë jetëgjatësisë së saj.

Në bazë të këtij vendimi produkti duhet të tërhiqet nga të gjitha institucionet shëndetësore (barnatore, spitale etj) dhe nuk duhet të vihet në dispozicion të pacientëve apo tu administrohet atyre.

Ranitidina përdoret për reduktimin e acidit në lukth te pacientët me sëmundje të tilla si urthi dhe ulçera e lukthit. Alternativat janë në dispozicion dhe pacientët duhet të kontaktojnë me profesionistët e tyre të kujdesit shëndetësor për këshilla se cilin bar duhet ta përdorin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat