Një ilaç për Alzheimer konsiderohet zbulim i rëndësishëm

Shëndetësia

Një ilaç për Alzheimer konsiderohet zbulim i rëndësishëm

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Shkencëtarët e kanë konsideruar si tejet të rëndësishëm zbulimin e një ilaçi që besohet se ngadalëson shkatërrimin e trurit nga sëmundja e njohur si Alzheimer – forma më e shpeshtë e harresës.

Megjithatë, ilaçi lecanemab ka efekt të vogël dhe ndikimi i tij në përditshmërinë e njerëzve të prekur nga kjo sëmundje është duke u diskutuar.

Sipas studimeve, ilaçi e ka ngadalësuar përkeqësimin e sëmundjes për një të katërtën përgjatë 18 muajve të trajtimit.

Ilaçi, po ashtu, besohet se funksionon në fazat e hershme të sëmundjes, andaj shumë njerëz kanë mundësi të kalojnë nëpër disa faza derisa ta identifikojnë atë.

Lecanemab sulmon proteinat e dëmshme që krijohen në trurin e një njeriu që ka Alzheimer.

Ai është antitrup – sikurse ata që krijon trupi për të luftuar viruset dhe bakteret – i cili është krijuar për të mësuar sistemin imunitar që të pastrojë nga truri proteinat e dëmshme.

Aktualisht personave që vuajnë nga kjo sëmundje u përshkruhet një terapi vetëm për menaxhim të simptomave, mirëpo asnjëra nuk e lufton atë.

Në studimin e ri janë përfshirë 1.795 vullnetarë, të diagnostikuar në fazë të parë të sëmundjes.

Atyre u janë dhënë dozat e ilaçit të ri çdo katër ditë.

Rregullatorët amerikanë janë duke analizuar këto të dhëna për të vendosur nëse do ta miratojnë ilaçin për përdorim të gjerë.

Krijuesit e tij – kompanitë farmaceutike Eisai dhe Biogen – planifikojnë të aplikojnë vitin tjetër për miratim të ilaçit në shtetet tjera./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat