​Trendi i shotsave me xhenxhefil, a ndihmojnë me të vërtetë në imunitet?

Shëndetësia

​Trendi i shotsave me xhenxhefil, a ndihmojnë me të vërtetë në imunitet?

Më: 12 maj 2025 Në ora: 13:10
Foto ilustrim

Shots-at me xhenxhefil janë bërë një trend vitet e fundit, falë perceptimit se janë të mira për imunitetin. Por se a janë të mira me të vërtetë, shkruan The Guardian.

Emily Leeming, dietologe në King’s College në Londër, thotë se është e pamundur që ato të jenë një kurë mrekullie. Ajo shpjegon se ekziston vetëm një sasi e vogël kërkimesh që tregojnë se ekstraktet e gingerolit, polifenolët aktivë në xhenxhefil, mund të ndihmojnë në uljen e disa treguesve të inflamacionit (një përgjigje imune), por provat janë mjaft të dobëta, transmeton KosovaPress.

“Arrita të gjej vetëm një numër të kufizuar studimesh me shumë pak pjesëmarrës, të publikuara në revista me cilësi të ulët, dhe zakonisht përdorin ekstrakte të përqendruara të komponentit aktiv të xhenxhefilit, e jo lëng të freskët si ai që gjendet në dyqane”, thotë Leeming.

Për lëngjet, ajo pyet: “A është komponenti aktiv në sasi të mjaftueshme? A mbetet aktiv? A ruhet lëngu për kohë të gjatë? A i nënshtrohet trajtimit termik?”

Ajo përmend një studim të vogël, me cilësi mesatare, i cili u fokusua te persona në kushte ekstreme: burra që përdornin shirit vrapimi dhe që kishin marrë xhenxhefil të thatë në sasi të ngjashme me atë që gjendet në një shot lëngu, krahasuar me një placebo.

“U vu re se pas stërvitjes ata kishin nivele më të ulëta të inflamacionit, por këto rezultate mund të mos jenë të vlefshme për raste inflamacionesh të shkaktuara nga sëmundje, apo për njerëz që nuk janë sportistë ekstremë”.

Më e rëndësishmja, për sa i përket inflamacionit, Leeming thotë: “Asnjë ushqim nuk do të jetë një zgjidhje e shpejtë për sistemin tuaj imunitar”. Inflamacioni mund të ulet vetëm përmes një diete të shëndetshme e të balancuar, me aktivitet fizik të rregullt, gjumë cilësor dhe menaxhim të stresit.

Një shot ditor xhenxhefili mund të ndihmojë pak, por ka mënyra më të lehta dhe më të lira që japin ndikim më të provuar mbi imunitetin tuaj.

“Nëse doni të merrni shots me xhenxhefil, nuk ka asgjë të keqe, dhe mund të ketë ndonjë përfitim të vogël”, shton ajo, përcjell KosovaPress.

“Por ndoshta është më mirë t’i shpenzoni ato para për ushqime të plota, si manaferrat apo drithërat e gatuara, që ndihmojnë në rritjen e fibrave dhe ushqejnë mikrobiomën e zorrëve, e cila ndihmon në mbështetjen e sistemit tuaj imunitar”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat