Shkencëtari francez Etienne-Emile Baulieu, që krijoi pilulën e abortit, ka vdekur sot në moshën 98-vjeçare në shtëpinë e tij në Paris, konfirmoi e veja e tij në një deklaratë.
Ai ndihmoi në zhvillimin e ilaçit oral RU-486, i njohur si mifepristone, i cili u ka ofruar miliona grave në botë një alternativë të sigurt dhe të lirë ndaj një aborti kirurgjikal, transmeton BBC.
Presidenti Emmanuel Macron e quajti Baulieu "një fener guximi" dhe "një mendje progresive që u mundësoi grave të fitonin lirinë e tyre".
“Pak francezë e kanë ndryshuar botën në një masë të tillë”, shkroi ai në X.
Aurore Berge, ministrja e Francës për Barazinë Gjinore, tha në X, se Baulieu u orientua gjatë gjithë jetës nga një kërkesë: ajo e dinjitetit njerëzor.
Baulieu u lind më 12 dhjetor 1926 në Strasburg. Ai ndryshoi emrin për t'iu bashkuar rezistencës franceze kundër pushtimit nazist kur ishte 15-vjeç.
Pas diplomimit, ai udhëtoi në Shtetet e Bashkuara, ku punoi me njeriun e njohur si babai i pilulës kontraceptive Gregory Pincus. Ky i fundit e këshilloi atë të fokusohej në hormonet seksuale.
Në Francë, Baulieu krijoi një metodë për të bllokuar efektin e hormonit progesteron, i cili është thelbësor që veza të implantohet në mitër pas fekondimit.
Ndërsa pilula e abortit u zhvillua brenda 10 vjetëve, Baulieu shpenzoi dekada duke i shtyrë qeveritë ndërkombëtare të autorizojnë ilaçin, pavarësisht se u përball me kritika të ashpra. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shtoi atë në listën e saj të barnave thelbësore vetëm në vitin 2010.